Ministri i Bujqësisë i Rumanisë i është shtuar zërave, të cilat bëjnë thirrje që vendi të vazhdojë të pengojë blerësit e huaj nga hyrja e mëtejshme në bujqësi.
“Rumania do të përpiqet që të bllokojë të huajt nga blerja e ngastrave të tokës pas vitit 2013, kur vendi supozohet që të hapë tregun e vet, siç është rënë dakord në traktatin e hyrjes në BE”, tha ministri i Bujqësisë, Stelian Fuia.
“Ne e dimë që shanset tona nuk janë shumë të mëdha, por nuk ka rëndësi, ne do të përpiqemi”, shtoi ministri.
Këshilltari presidencial për Bujqësinë, Valeriu Steriu, qëndron në të njëjtën linjë, dhe është më optimist rreth shanseve të Rumanisë.
“Bukureshti do të përpiqet që të zgjasë embargon edhe për dy vjet të tjera, pas 31 dhjetorit 2013, në mënyrë që të mbrojë vendin nga një valë blerësish të huaj, që duan të përfitojnë nga çmimet e ulëta dhe si rrjedhojë,
do të kontrollojnë bujqësinë rumune”, tha Steriu .
Në bazë të kushteve të traktatit të hyrjes së Rumanisë në BE thuhet se që nga viti 2013, tregu duhet të hapet në mënyrë që t’u lejojë të huajve të blejnë tokë në vend, pa iu dashur që të krijojnë një kompani vendase më parë.
Për momentin, të huajt mund të blejnë tokë në Rumani përmes kompanive të krijuara në vend dhe jo si individë.
Pavarësisht pengesave, sipërfaqja e tokës në Rumani, që zotërohet nga të huajt, është rritur në vitet e fundit, çka i ka nxitur autoritetet që të marrin në konsideratë vendosjen e kushteve më të ashpra.
Ministri i Bujqësisë i Rumanisë ka deklaruar se të huajt tashmë zotërojnë rreth 700 mijë hektarë tokë bujqësore, që përbën 8.5% të tokës bujqësore në vend.
Nga kjo sipërfaqe, rreth një e katërta u përket qytetarëve italianë, 15% gjermanëve dhe rreth 10% janë blerës nga Lindja e Mesme.
Gjatë viteve të fundit, për shkak të një zgjidhjeje më të qartë të titujve të pronësisë, shumë kompani perëndimore filluan të blejnë tokën në Rumani, të tërhequra nga çmimi i ulët. Toka bujqësore mund të blihet për rreth 2000 euro për hektarë.
Në mënyrë ironike, toka bujqësore nuk shihet si një aktiv nga pjesa më e madhe e rumunëve, që tentojnë ta quajnë bujqësinë si një gjë të së kaluarës.
Rumania ka rreth 1.3 milionë hektarë tokë të punueshme që nuk përdoret, sipas statistikave. Sipërfaqja totale bujqësore e Rumanisë është 14.7 milionë hektarë të punueshëm.
Pothuajse gjysma e popullsisë rumune prej 21 milionë banorësh jeton në fshat. Por bujqësisë, për një periudhë të gjatë, i kanë munguar investimet, ndërsa probleme të tjera përfshijnë fragmentarizimin e sipërfaqes,
problemet me pronësinë dhe teknologjinë e vjetruar.
Sa kushton pasuria e paluajtshme në fshat
Çmimet e pasurive të paluajtshme në Rumani janë rritur gjatë viteve të fundit, por ritmet e shtrenjtimit në qytet kanë qenë shumë më të larta se ato në fshat.
Mungesa e kërkesës ka bërë që çmimet në zonat rurale të jenë shumë më të ulëta se ato në qytet.
Problemi me të cilin përballen blerësit ka të bëjë kryesisht me gjetjen e një pasurie të paluajtshme. Ka një mungesë transparence për shkak se pjesa më e madhe e pronarëve preferojnë që të shesin pasuritë përmes fjalëve të gojës,
sesa nëpërmjet agjentëve të pasurisë së paluajtshme. Kur bëhet fjalë për shtëpitë që shiten në zonat piktoreske të vendit, të cilat mund të blihen mesatarisht me 40-60 mijë euro, duhet pasur parasysh edhe kostoja e restaurimit të tyre.
Një artikull i “Financial Times” vlerëson bukuritë e fshatrave të Saksonit, duke i krahasuar ato me parajsën.
Rumani
Do liberalizohen çmimet e energjisë
Bukureshti do të zbatojë rritjen me faza të çmimeve të energjisë elektrike, si për individët, ashtu dhe për bizneset, në linjë me një marrëveshje midis qeverisë dhe FMN-së, që është bërë publike ditët e fundit.
Çmimet do të rriten me rreth 10%, duke filluar nga korriku dhe një shtrenjtim i ngjashëm do të vijojë në vitin 2014.
Analistët thonë se ky është hapi i parë në drejtim të liberalizimit të tregut të energjisë në shtetin e Ballkanit.
“Rumania ka nevojë për rreth 35 milionë euro, në mënyrë që të modernizojë industrinë e saj energjetike”, ka shpjeguar analisti Mihai Tanasescu.
Liberalizimi i tregut të energjisë të Rumanisë është kërkuar si nga FMN, ashtu dhe nga BE.
Masa të tjera do të përfshijnë një heqje graduale të tarifave më të ulëta për familjet e varfra, një masë që do të prekë 1.4 milionë konsumatorë, ose rreth 17% të totalit të konsumatorëve familjarë.
Duke filluar nga viti 2015, rumunët nuk do të kenë më “tarifa sociale” për energjinë elektrike. Në vend të kësaj, qeveria planifikon të ofrojë ndihma financiare për ata që kanë të ardhura më të ulëta se paga mesatare,
që është 700 lei (165 euro) në Rumani.
Masa të tjera mund të përfshijnë rritje në eksportet e energjisë së prodhuar në vend, që aktualisht pengohet nga çështje teknike dhe legjislative.
Liberalizimi i çmimeve të gazit pritet që të fillojë vitin e ardhshëm në Rumani.
Rumania është një nga prodhuesit më të mëdhenj të energjisë në Ballkan.
Rumania prodhon energji nga uji, bërthamore dhe nga termocentralet me qymyr, por pjesa më e madhe e njësive të saj kanë nevojë për investime të mëdha teknologjike, në mënyrë që të plotësojnë kushtet mjedisore dhe të nxisin prodhimin.