Serbi / Kompania kineze Zijin investon në minierën më të madhe të bakrit

15/09/2018 10:10 PM 0 komente

Serbia ka zgjedhur një firmë kineze për të investuar në minierën e saj të bakrit të goditur nga borxhet, zgjedhje e cila erdhi menjëherë pasi kompania ofroi të investojë 1.26 miliardë dollarë.

Marrëveshja, e cila i jep kompanisë Zijin Mining të Kinës, 63% të aksioneve në kompleksin e minierave dhe shkrirjes së RTB Bor në Serbinë Lindore, vendos edhe gjurmën e radhës së influencës ekonomike të Pekinit në rajonin e Ballkanit.

Si pjesë e marrëveshjes, kompania kineze Zijin ka premtuar të mbulojë borxhin prej 200 milionë dollarësh të RTB Bor dhe të mbajë 5.000 vende pune në minierë, u tha gazetarëve në një intervistë për shtyp, ministri serb i Energjisë dhe Minierave, Aleksandar Antic. Kontrata pritet të nënshkruhet në shtator, ndërsa Zijin mund të nisë menaxhimin e kompanisë në fillim të vitit të ardhshëm, shtoi z. Antic.

Një kompani tjetër kineze bleu fabrikën e vetme të çelikut në 2016, ndërsa firma të tjera kanë ndërtuar projekte infrastrukturore në të gjithë Ballkanin si pjesë e ambicieve globale të nismës “Një Rrip, një Rrugë”, të Pekinit.
Këto marrëveshje kanë ngritur shqetësime në Bruksel dhe në Europën Perëndimore mbi rritjen e ndikimit kinez në rajon, si dhe kushtet e rrezikshme të huave për vendet pritëse.

Serbia prej kohësh është munduar që ta privatizonte minierën e bakrit, por disa prej tenderëve të fillimit dështuan, për shkak të mungesës së interesit të investitorëve të huaj. Sektori minerar ishte një shtyllë e sektorit industrial të Serbisë përpara rënies së Jugosllavisë komuniste në fillim të viteve 1990.

Por ajo u shndërrua në një barrë të rëndë për ekonominë e vështirë të vendit, për shkak të keqmenaxhimit dhe sanksioneve ndërkombëtare gjatë regjimit të Presidentit, Slobodan Millosheviç. Për shkak të mungesës së investimeve dhe teknologjisë së vjetër, prodhimi vjetor i bakrit të RTB Bor ra në më pak se 40,000 tonë në 2005, nga më shumë se 170,000 tonë përpara vitit 2000. Sipas të dhënave të kompanisë, në gjysmën e parë të 2018-s ajo eksportoi 15,000 tonë bakër, me një sasi të ardhurash totale prej 107 milionë dollarësh amerikanë, një rritje prej 23% në krahasim me vitin e kaluar.

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz