Shitjet e makinave evropiane u rritën në ritmin më të ulët në një vit në nëntor teksa zbehja e rritjes ekonomike dekurajoi klientët të shpenzonin në blerje, duke nxitur prodhuesit e makinave përfshirë Fiat Chrysler Automobiles NV (FCA) të ulin çmimet.
Regjistrimet u rritën 1.2 për qind në 989.457 automjete muajin e kaluar nga 977,607 një vit më parë, tha sot Shoqata e Prodhuesve Evropianë të Makinave me qendër në Bruksel, ose ACEA. Shitjet njëmbëdhjetë-mujore fituan 5.5 për qind në 12 milionë makina.
Një ekonomi e plogësht evropiane po pengon rigjallërimin e tregut të makinave të rajonit, i cili ra për gjashtë vjet radhazi në nivelin më të ulët në dy-dekada në vitin 2013. Banka Qendrore Evropiane në fillim të këtij muaji reduktoi parashikimin e saj të rritjes për vendet që përdorin euron, dhe Presidenti i BQE Mario Draghi tha se papunësia e lartë po ‘frenon’ rimëkëmbjen.
Kjo situatë nxiti shitësit e makinave në Gjermani, ekonominë më të madhe të Evropës, të thellojnë reduktimet e çmimeve muajin e kaluar, me markën italiane Fiat të FCA-së që ka ofruar një ulje mesatare prej 18 për qind, sipas revistës Autohaus PulsSchlag. Mbarë industria u përball me një ulje mesatare që kërceu në 12.7 për qind të cmimit ekzistues nga 11.8 për qind që shënonte në tetor.