Shitjet on line: Biznesi i vështirë virtual në Shqipëri

20/03/2016 8:03 AM 0 komente
Mobile marketing and online store

Janë vetëm në fillesat e para, megjithatë po gjejnë vështirësi të rriten në një treg që është pothuajse i paeksploruar dhe të mbijetojnë në mesin e konkurrencës së “egër” të shitjeve tradicionale me pakicë. Operatorët e parë të e-commerce (shitjeve online) raportojnë të ardhura minimale dhe janë ende me humbje. Por, shpresat mbeten pozitive

 

Nga: Deada Hyka

 

Ishin dhe janë shumë optimistë se e ardhmja i përket shitjeve online, pavarësisht sfidave, megjithatë fillimet po rezultojnë të vështira.

Kompanitë e para të shitjeve online në Shqipëri, që filluan të shtohen ndjeshëm rreth tre vjet më parë, po rezultojnë me të ardhura minimale dhe janë ende me humbje, mbylljet nuk mungojnë, ndërsa operatorët e huaj po tërhiqen. Xhiro e kompanisë më të madhe në këtë segment nuk i kalon 150 mijë euro, ndërsa të tjerët qarkullojnë deri në 30 mijë euro në vit.

123.al, një nga pionierët e ofrimit të shitjeve online (kryesisht shërbime) ka raportuar shitje prej 1.5 milionë lekësh në 2014-n, me një rënie drastike në krahasim me 8.7 milionë lekë vitin e mëparshëm, ndërsa humbjet ishin në 2014-n 1.48 milionë lekë, pothuajse sa të ardhurat, sipas bilancit të dorëzuar në QKR.

Streha shpk, (grepi.al) e hapur në janar 2013 raportoi atë vit të ardhura prej 244 mijë lekë dhe humbje prej 196 mijë lekë (bilanci i 2014-n nuk është dorëzuar në QKR, ndërsa në janar të këtij viti, ka shtuar objektin e aktivitetit duke përfshirë guidat dhe portalet turistike).

Kaymu, një projekt global i “Rocket Internet” për zhvillimin e tregjeve online në vendet në zhvillim, ndërsa ka qenë i suksesshëm në shtete të tjera, në Shqipëri u mbyll pa filluar mirë. Albania E-commerce (Zero.al) është një tjetër biznes, i regjistruar në janar 2014 dhe i pezulluar në tetor 2015, sipas veprimeve në QKR.

Por, ka dhe operatorë që po rriten me shpejtësi, ndonëse janë ende me humbje.

Nettrade Albania (Dyqani taxi) ka rritur ndjeshëm të ardhurat në vitin e parë të plotë të aktivitetin në 2013, duke arritur në 3.4 milionë lekë, ndërsa humbjet ishin 1.6 milionë lekë. Të ardhurat janë rritur me 25% në 2014-n, sipas të dhënave nga vetë kompania.

Ecuri të qëndrueshme ka dhe Ikub Albania, që e ka aktivitetin më të diversifikuar dhe menaxhon faqen e shitjeve online ebuy.al, që raportoi të ardhura prej 21 milionë lekësh në 2014-n, me rritje vjetore prej 33%. Megjithatë, edhe ai rezultoi me një humbje prej rreth 6 milionë lekësh.

Dy janë vështirësitë e zhvillimit të këtij tregu në Shqipëri: infrastruktura e blerjes dhe siguria e transaksioneve. Këtyre u shtohet dhe kultura e munguar e blerjeve online.

Përfaqësuesit e këtyre bizneseve pohojnë të bindur se potenciali i zhvillimit të tregut të blerjeve online në Shqipëri do të jetë sfida më e madhe ndaj bizneseve tradicionale, duke shpresuar kështu se do të lënë pas vështirësitë, duke arritur konsolidimin e tregut. Megjithatë mbyllja e Kaymu Albania në vend, pjesë e një kompanie të madhe blerjesh online Kaymu Europe, vetëm një vit pas ardhjes në vend, për shkak të problemeve të financimit, tregon shenjat e një vështirësie të këtij sektori…

 

Shpresa vdes e fundit

Megjithatë, aktorët kryesorë të tregut janë optimistë për të ardhmen. Ata tregojnë se dy janë arsyet kryesore që konsumatorët shqiptarë po u drejtohen blerjeve online: rritja e aksesit në internet dhe përdorimi i mjeteve teknologjike të zgjuara në një shkallë të gjerë.

Trendi në rritje viteve të fundit për përdorimin e lartë i pajisjeve teknologjike po i nxit shqiptarët që të jenë përdorues të dyqaneve online. Njëherësh me shtimin e përdorimit të internetit po rritet edhe shfrytëzimi i mundësive që ai të ofron. Gjithnjë e më shumë, shqiptarët nuk po e përdorin atë vetëm për të lexuar një lajm apo për të komunikuar, por edhe për të bërë blerje produktesh apo shërbimesh të ndryshme. Disa kompani të mëdha ofrojnë shërbimet e tyre edhe në internet, duke u ofruar kështu klientëve kursim kohe, sikurse theksojnë edhe ata.

Tregtia online është e gjerë, pasi përfshin shumë industri dhe shumë tregje të ndryshme, por ndër progreset e ndjeshme, është rritja e madhe e iniciativave për të shitur online. Kështu pohon Laidi Ferruni, drejtuesi i platformës 123.al, ndër pionierët e dyqaneve virtuale.

“Në 2015-n, kemi hasur çeljen e shumë kompanive të reja që duan të shesin dhe të veprojnë nëpërmjet internetit, këto si shqiptare, ashtu edhe kompani të huaja që duan të zgjerohen në tregun shqiptar. Industria e tregtisë online brenda Shqipërisë, si e tërë, ka pasur një rritje të konsiderueshme brenda 2015. Me shumë mundësi mund të jetë dyfishuar në krahasim me vitin e kaluar dhe mendoj që kjo tendencë do vazhdojë për disa vite në vijim”,- thotë z. Ferruni, duke treguar ecurinë e këtij tregu gjithnjë e në zhvillim.

Ndërsa Valer Pinderi, nga dyqani dhe njëkohësisht start-up Dyqan Taxi, pohon se sektori i e-commerce është i ri në Shqipëri, kështu kompanitë që operojnë në mënyrën e duhur nuk kanë rrugë tjetër vetëm se të rriten. “Në vitin 2014, ne sërish u dyfishuam në hapësirë dhe në staf, duke arritur në 12 punonjës. Xhiroja gjithashtu pati një rritje prej rreth 25% nga 2013 në 2014. Ndërsa 2015 ishte viti ku ne nxorëm faqe të tjera online, gjithashtu kompania filloi të ofrojë shërbime për nevojat e-commerce të kompanive të tjera. Kjo rritje doli si rezultat i një investimi të ri që u bë nga aksionerët e kompanisë dhe brenda vitit numri i punonjësve shkoi në 25, kurse xhiroja u rrit me gati 200%. Për ne, pritshmëritë e vitit të ardhshëm janë edhe më të mëdha dhe numri i punonjësve pritet të shkojë në 50 brenda dhjetorit 2016”- pohon z. Pinderi, duke treguar mundësitë e këtij biznesi dhe parashikimin për më tej.

Të porosisësh mallra online është diçka e shpejtë dhe e leverdishme, por t’i marrësh ato nuk është gjithmonë aq e thjeshtë. Drejtuesit e këtyre dyqaneve virtuale në Tiranë pohojnë se infrastruktura e blerjeve është një element që duhet përmirësuar më tepër. “Problem i madh mbetet infrastruktura e blerjes në vetvete. Shumë kompani të reja po shkojnë drejt tendencës për t’i deleguar pagesat nëpërmjet shërbimeve fizike, si pagesë me korrier, pagesë në dyqane partnere etj. Pavarësisht se prezenca e tyre është online. Mendoj që kemi shumë punë të konsiderueshme përpara për të thjeshtëzuar procesin e blerjeve të menjëhershme, që bëhet e mundur nëpërmjet kartave të kreditit dhe debitit”,- tregon Laidi Ferruni për “Monitor”.
Valer Pinderi pohon se problematike është siguria e klientit, e cila nga kultura e përgjithshme e biznesit në Shqipëri, jo e asaj online, ka krijuar një ndjenjë pasigurie te klienti. “Këtë pasiguri ne po përpiqemi ta kthejmë në avantazh konkurrues duke iu mundësuar kthimin e produktit klientit pa asnjë arsye dhe pa pagesë brenda 48 orëve”,- pohon ai, por ky element është negativ për biznesin. Tjetër problem që Pinderi vë në dukje është kultura dhe mënyra e komunikimit të njerëzve me monedhën vendase. “Në një masë të gjerë të popullsisë vihet re paaftësia për të kuptuar vlerën reale të Lekut, termi ‘Lek i vjetër’ dhe ‘Lek i ri’ i shkakton konfuzion gjatë gjithë kohës klientëve tanë”,- tregon Pinderi.

Eralda Mitro, administratorja e “Ebuy.al” tregon për “Monitor” se viti 2015 ka shënuar rritje prej 150% në krahasim me vitin e kaluar të këtij biznesi. “Faktorët që kanë ndikuar janë rritja e bazës së klientëve besnikë që rikthehen për të blerë në faqe, por edhe klientët e rinj që kanë gjithmonë e më tepër besim për të testuar blerjet online.”- pohon ajo. Si rezultat e fluksit të blerjeve që po rritet, mbështetur nga aksesimi më i lartë i internetit, znj. Mitro tregon se, për muajin dhjetor janë trefishuar kapacitetet në sektorin e Kujdesit ndaj Klientit, për të plotësuar me cilësi maksimale të gjitha kërkesat dhe blerjet.

 

Shitjet online, ende pjesë e vogël e shitjeve me pakicë

Sipas studimit të E-commerce Europe, tregu i e-commerce i Shqipërisë, Bjellorusisë, Bosnjë dhe Hercegovinës, Maqedonisë, Moldavisë, Kosovës, Malit të Zi dhe Serbisë në total për 2014 ka qenë 747 mln euro, trendi i të cilave është 75% produkte dhe 25% shërbime.

Mirëpo, tregtia online zë një pjesë të vogël të “tortës” së shitjeve të pakicës në tërësi. E shprehur në shifra, për vitin 2013 xhiroja e kompanive kryesore në këtë treg nuk i kalon 300 mijë euro, duke zënë një peshë të papërfillshme të tregtisë me pakicë në Shqipëri

 

Modeli botëror, blerjet online kanë ndryshuar

Industria e shitjes me pakicë ka ndryshuar shumë vitet e fundit, sidomos në vendet më të zhvilluara si ato të Europës Perëndimore e ato të Amerikës së Veriut. Për t’u theksuar është se tashmë markat e ndryshme globale, si dhe shitësit me pakicë po krijojnë modele të ndryshme për të bërë procesin e blerjes, sa më komod e të shpejtë.

Një model që ka gjetur mjaft qasje pozitive në Europë e sidomos në vende si Anglia, tregon për “Monitor”, Stela Dhami, nga Colliers International Albania, është ai i blerjes online dhe i marrjes së produktit në një pikëshitje të caktuar ose ndryshe etiketuar si “Click and Collect in Store”. “Kjo mënyrë blerjeje ka sjellë një komoditet të rritur për konsumatorin, i cili ka mundësi që të zgjedhë me kujdes artikullin për të cilin është i interesuar dhe më pas për ta tërhequr atë artikull në një dyqan që ka pranë”,- pohon znj. Dhami.

Ky lloj modeli ka ndryshuar edhe anën logjistike të të gjithë procesit të shitje-blerjes, sipas saj. Tashmë logjistika duhet të jetë edhe me konkurruese dhe e shpejtë për të kapur dhe për të kënaqur klientin në total. Aq konkurruese duhet të jetë, saqë në tregje të mëdha si ato të Nju Jorkut, ku konsumatorët presin që të marrin produktet e porositura online, brenda një ore.

Operatorët e logjistikës tashmë në botë po gjejnë mënyra të reja operimi që e bëjnë këtë shpejtësi të mundshme për konsumatorët.

Por, në Shqipëri, thotë znj. Dhami, ky model nuk është fare pak i aplikueshëm sepse industria e shitjes me pakicë është ende në stadet e saj të para të zhvillimit dhe konsumatori kërkon përvojën e të shkuarit në një ambient tregtar për të zgjedhur produktin përkatës. “Sido që të jetë, mbetet një fushë për t’u monitoruar në të ardhmen, për të parë se si do të zhvillohet kjo lloj industrie dhe zhvillimet e saj përkatëse teknologjike dhe në vendin tonë”, – thotë në fund Stela Dhami.

 

Intervistat:

Laidi Ferruni, drejtues i platformës “123.al”

“Potenciali i tregut online në Shqipëri është i madh, sfidohen bizneset tradicionale”

 

Si ka qenë ecuria e tregtisë online vitet e fundit në Shqipëri?

Ky vit ka qenë po aq sfidues, sa edhe inkurajues në të njëjtën kohë. Në terma të përgjithshëm, ka pasur shumë efekte të tregut, të cilat kanë ndikuar në një rënie të lehtë në numër transaksionesh në 2015, por me çdo gjasë kjo është momentale.

2015 na ka dhuruar shumë sfida, por të gjitha këto sfida na kanë bërë të kuptojmë se cilat janë tendencat që duhet të ndjekim në 2016.
Tregtia online është e gjerë, pasi përfshin industri të ndryshme dhe tregje të ndryshme, por ndër progreset e ndjeshme, është rritja e madhe e iniciativave për të shitur online. Në 2015-n, kemi hasur çeljen e shumë kompanive të reja që duan të shesin dhe të veprojnë nëpërmjet internetit, si shqiptare, edhe kompani të huaja që duan të zgjerohen në tregun shqiptar.
Një tendencë e përgjithshme e këtyre kompanive të reja është të funksionojnë kryesisht me pagesa në terren, kundrejt pagesave online me karta krediti dhe debiti, për t’iu përgjigjur mazhorancës së tregut. Përhapja e madhe e pagesave fizike, lidhur me tregun online nuk është domosdoshmërisht pozitive, por të paktën është një hap i madh drejt zgjerimit të tregut në përgjithësi.
Industria e tregtisë online brenda Shqipërisë si e tërë ka pasur një rritje të konsiderueshme brenda 2015-s. Me shumë mundësi mund të jetë dyfishuar në krahasim me vitin e kaluar dhe mendoj që kjo tendencë do të vazhdojë për disa vite në vijim.

 

Cilët janë kryesisht artikujt që preferojnë shqiptarët të blejnë online?
Për sa i përket 123.al, ne si kompani vazhdojmë të fokusohemi kundrejt shërbimeve dhe përvojave, në vend të produkteve, pasi kemi plane shumë të mëdha zgjerimi në këtë treg specifik. Brenda sektorit tonë, mund t’ju themi që shqiptarët preferojnë kryesisht shërbime praktike dhe të shpejta. Këtu hyjnë masazhet, trajtimet në spa, trajtime dobësimi, paketa turizmi ose hotele, kurse etj.
Në fushën e produkteve, edhe pse përbëjnë vetëm 3% të inventarit tonë online, përgjatë viteve kemi vënë re një tendencë të madhe për të porositur ora luksoze me ulje të konsiderueshme si markat Theorema dhe Pionier.

 

Çfarë vështirësish hasen në vendin tonë në modelin e të bërit tregti online?
Te vështirësitë kryesore vazhdon të ngelet problem i madh infrastruktura e blerjes në vetvete. Siç e përmenda dhe te pyetja e mësipërme, shumë kompani të reja po shkojnë drejt tendencës për t’i deleguar pagesat nëpërmjet shërbimeve fizike, si pagesë me korrier, pagesë në dyqane partnere etj. Pavarësisht se prezenca e tyre është online.
Mendoj që kemi shumë punë të konsiderueshme përpara për të thjeshtëzuar procesin e blerjeve të menjëhershme, që bëhet e mundur nëpërmjet kartave të kreditit dhe debitit.
Megjithëse sot, më në fund, kemi procesor pagesash online, të bazuar në Shqipëri, kemi ende shumë përmirësime të ndjeshme për të bërë, në mënyrë që të thjeshtëzojmë mënyrën se si shqiptarët bëjnë transaksione online.

Rreth dy vite më parë, realizuam transaksionin e parë komercial në Lek nëpërmjet një karte debiti në bashkëpunim me Raiffeisen Bank. Duke e thënë këtë, mund të deduktojmë që jemi shumë herët për të pritur ndryshime të mëdha në infrastrukturë dhe në zakone gjithashtu. Vështirësi të tjera ka po ashtu, por mendoj që mundësitë janë më të mëdha se problemet.

 

 A ka potencial për zhvillim tregu online në Shqipëri? A ndikojnë zhvillimet e fundit teknologjike dhe përdorimi i tyre?

Në lidhje me potencialin, përgjigjja është po dhe po e madhe. Potenciali i tregut online në Shqipëri është aq i madh saqë shumë njerëz nuk arrijnë ta konceptojnë ende.
Shqipëria krahasuar me shumë vende të zhvilluara në botë, ka një adaptim shumë të lartë të përdorimit të internetit në mobile dhe nëpërmjet smartphones.
Në vitet që vijnë do të shohim një zhvillim shumë dinamik të tregut online në Shqipëri dhe do shohim shumë kompani të reja të suksesshme që do të çelin në treg dhe sfidojnë shumë biznese tradicionale.
Një potencial shumë i madh gjithashtu qëndron në bizneset online, të cilat do të hapen në Shqipëri, por do të kenë qëllim për të tregtuar jashtë Shqipërisë, duke krijuar kështu shumë vende pune të reja në vend dhe duke ndikuar në ekonominë e vendit drejtpërdrejt.

 

Flet Valer Pinderi, drejtuesi i “DYQAN TAXI”

 “Në tregtinë online, çmimi është një nga avantazhet konkurruese”

 

Si ka qenë ecuria e tregtisë online vitet e fundit në Shqipëri?

Sektori i e-commerce është një sektor i ri në Shqipëri, kështu kompanitë që operojnë në mënyrën e duhur nuk kanë rrugë tjetër vetëm se të rriten. Krijimi i kompanisë sonë në vitin 2012 ishte testi i parë që bëmë në e-commerce me faqen tonë të parë të dyqanit, me vetëm 3 veta staf. Viti 2013 filloi me mbi dyfishim të kapacitetit në staf dhe ambienteve të punës duke u konfirmuar si një kompani e mirëfilltë e-commerce në Shqipëri. Numri i punonjësve u shtua në 6. Por rritja nuk ndaloi asnjë muaj dhe në vitin 2014 ne sërish u dyfishuam në hapësirë dhe në staf, duke arritur në 12 punonjës. Xhiroja gjithashtu pati një rritje prej rreth 25% nga 2013 në 2014. Ndërsa 2015 ishte viti ku ne nxorëm faqe të tjera online, si www.simjalti.alwww.luledielli.alwww.sekret.al dhe gjithashtu kompania filloi të ofrojë shërbime për nevojat e-commerce të kompanive të tjera. Kjo rritje doli si rezultat i një investimi të ri që u bë nga aksionerët e kompanisë dhe brenda vitit, numri i punonjësve shkoi në 25, kurse xhiroja u rrit me gati 200%. Për ne, pritshmëritë e këtij viti janë edhe më të mëdha dhe numri i punonjësve pritet të shkojë në 50 brenda dhjetorit 2016, sipas planit aktual të biznesit që kemi.

 

Cilët janë kryesisht artikujt që preferojnë shqiptarët të blejnë online?

Ashtu siç e theksova edhe më sipër, shitjet online në Shqipëri janë në hapat fillestare, kështu që edhe kërkesa drejtohet nga oferta e bizneseve që janë në treg. Pra aty ku ne fokusohemi dhe përmirësojmë shërbimin, aty shikohet edhe një rritje në kërkesë. Por reagim më të shpejtë dhe pozitiv ndaj blerjeve kanë këto produkte të cilat po i rendis.

Artikulli që gjeneron më shumë trafik dhe pyetje është në mënyrë absolute telefoni celular, sa herë ne nxjerrim një model të ri apo një ofertë, vërshojnë pyetjet dhe interesi duket në rritje, por gjithashtu është një artikull shumë i ndjeshëm ndaj çmimit dhe ndaj parametrave të tjerë, prandaj nuk konsiderohet një artikull i lehtë për t’u shitur.

Moda, në të kundërt, ka më pak reagim se celulari por shitje më të shpejtë dhe të mëdha në numër, sepse konsumatori vendimin e merr shpejt duke u influencuar lehtë nga trendi dhe pamja e produktit. Produkti i tretë më i kërkuar te ne janë pajisjet e teknologjisë dhe risitë në treg, të cilat ne përpiqemi t’i kemi të parët në treg, të tilla janë orat smart, android box etj.

Tjetër kategori e suksesshme janë produktet sezonale të cilat ndryshojnë nga sezoni dhe nga nevoja e tregut, si festat e ndryshme dhe produktet që shoqërohen me to.

 

Çfarë vështirësish hasen në vendin tonë në modelin e të bërit tregti online?

Aktualisht, ne jemi një kompani e cila procedon mijëra porosi në muaj, por sërish ne jemi në fazën e përmirësimit të shërbimit dhe të përshtatjes me tregun shqiptar, i cili ende nuk e ka në kulturën e përditshme blerjet online. Sigurisht, personalisht mendoj që tregu shqiptar është shumë më i përgatitur dhe i informuar se sa ishte tregu i Shteteve të Bashkuara të Amerikës kur dolën gjigantët e shitjeve online si amazon.com apo ebay.com, kështu jam optimist dhe me kujdesin tonë të klientit, i cili është në dispozicion live në chat ose në telefon për paqartësi, ne çdo ditë bëjmë blerës të rinj online. Megjithatë, problematike është siguria e klientit, e cila nga kultura e përgjithshme e biznesit në Shqipëri jo e asaj online, ka krijuar një ndjenjë pasigurie tek klienti. Këtë pasiguri ne po përpiqemi ta kthejmë në avantazh konkurrues, duke iu mundësuar kthimin e produktit klientit pa asnjë arsye dhe pa pagesë brenda 48 orëve. Tjetër problem që është në dukje i parëndësishëm, por online ka vlerën e vet, është sërish kultura dhe mënyra e komunikimit të njerëzve me monedhën vendase, në një masë të gjerë të popullsisë vihet paaftësia për të kuptuar vlerën reale të Lekut, termi Lek i vjetër dhe Lek i ri u shkakton konfuzion gjatë gjithë kohës klientëve tanë. Shumë herë ka edhe porosi të kryera gabim për shkak të këtij faktori. Por në tregtinë online, çmimi është një nga avantazhet konkurruese dhe ajo transparenca që ne ofrojmë duhet të jetë në favorin tonë, edhe pse shumë herë nuk ndodh, sepse klientët nuk bëjnë dot dallimet dhe krahasimet lehtë nga ky konfuzion kolektiv që kemi. Problemi që shumica e bizneseve e konsiderojnë si problemin më të rëndësishëm që janë përdorimi i kartave të kreditit nga konsumatori shqiptar, për ne nuk është aspak problem, sepse ne që në fillimet tona kemi ofruar mënyrën e pagesës në dorëzim të mallit, pra klienti paguan kur e merr mallin, pa pasur nevojë për kartë krediti apo llogari bankare.

 

A ka potencial për zhvillim tregu online në Shqipëri?

Për këtë pyetje mjafton të përmendim disa fakte për të dalë në konkluzion. Në botë pritet një dyfishim i sektorit të e-commerce deri në vitin 2020, edhe pse shifrat aktuale janë vërtet shumë të larta. Në 2013, shitjet totale në botë janë 1365.8 mld euro dhe vetëm në Europë ka mbi 645.250 dyqane online, 3.7 mld porosi të dërguara dhe mbi 2 milionë vende pune gjatë vitit 2013.

e-GDP e e-commerce është aktualisht mbi 2% e GDP botërore. Nëse këto shifra analizohen në Shqipëri janë shumë qesharake në krahasim me potencialin e vërtetë që ofron trendi i këtij tregu. Kjo është arsyeja që ne jemi të sigurt që sektori do rritet dhe nëse klienti do ta pranojnë ngadalë apo shpejt, pak rëndësi ka. Tani gjithçka varet nga ofruesit dhe shtimi i numrit të tyre, të cilët veprojnë në mënyrën e duhur, sepse ky sektor është krejtësisht ndryshe nga çdo sektor tjetër aktual në Shqipëri dhe kompani si e jona të fokusuara vetëm në shitjet online janë të numëruara me gishtat e njërës dorë. Shitja online nuk është vetëm të pasurit të një faqe shitjesh në internet, faqja është vetëm detaji i fillimit, që pak vlerë ka tek shitjet reale, gjithçka tjetër që duhet për të qenë ofrues pretendent në këtë fushë është shumë komplekse dhe përfshin gjithë procesin e zhvilluar nga secili punonjës për t’i siguruar klientit pritshmërinë e tij.

 

Iralda Mitro, administratore e “Ebuy.al”

“Shqiptarët kanë nisur t’u besojnë blerjeve online”

 

Si ka qenë ecuria e shitjeve online këtë vit?

Viti 2015 ka shënuar rritje prej 150% në krahasim me vitin e kaluar për ebuy.al. Faktorët që kanë ndikuar janë rritja e bazës së klientëve besnikë që rikthehen për të blerë në faqe, por edhe klientët e rinj që kanë gjithmonë e më tepër besim për të testuar blerjet online. Me kalimin e kohës, vihet re edhe fokusimi i blerësve tek disa prej kategorive, kundrejt disa të tjerave që mbeten problematike dhe të palëvruara.

 

A përputhet me parashikimin në fillim të vitit?

Parashikimi ynë ishte një rritje ​80-​100% për vitin 2015, duke u bazuar tek problematikat e tregut, si penetrimi i ulët i internetit, numri i ulët i transaksioneve me kartë krediti, besueshmëria e blerësve ndaj blerjeve online, etj. Këtë vit ne i tejkaluam pritshmëritë tona, ashtu si edhe vitin e parë në treg, kështu që është pak e vështirë të bësh parashikime të sakta në këtë lloj fushe.

 

Cilët artikuj janë më të preferuar nga shqiptarët?

Siç e përmenda, edhe në Shqipëri vërehet tendenca dhe fokusimi i blerësve tek disa kategori të caktuara, që shkojnë madje në të njëjtin trend me platformat ndërkombëtare të shitjeve online, si Amazon, AliExpress, etj. Kategoritë më të pëlqyera në ebuy.al janë Veshjet (për femra dhe meshkuj), Aksesorë dhe veshje për fëmijë, Elektronike, Dhurata, Kozmetike, Libra, Pajisje sporti, etj. Në vitin 2015 kategoria e elektro-shtëpiakëve ka pasur interes më të lartë dhe ne jemi të fokusuar ta shtojmë gamën e këtyre produkteve.

 

Flet Ertjan Cabiri/ administrator i kompanisë

“Kaymu mbyllet për mungesë financimi, shitësit online, vështirësi në përshtatje”

 

Përse u mbyll Kaymu në Shqipëri?

Kaymu është një projekt global i “Rocket Internet” për zhvillimin e tregjeve online në vendet në zhvillim. Kompania është e organizuar gjeografikisht, ku çdo kontinent funksionon si startup më vete. Kaymu Albania është pjesë e Kaymu Europe dhe jo një kompani me vete. Si çdo startup, edhe Kaymu Europe, ka disa faza për zhvillimin e biznesit, ku në vite të ndryshme parashikohet injektim i investimeve të ndryshme, në faza të ndryshme që janë parashikuar në planin e biznesit (Seed, Series A, Series B etj.), deri sa të arrijë “breakeven”. Në këtë moment, Kaymu Europe po mundohet të gjejë burime financimi për fazën e radhës, dhe duke parë trende-t e investimeve në nivel global, po has vështirësi në gjetjen e investitorëve. Kështu, ka marrë vendimin që të ngrijë anën operacionale në të gjithë rajonin, ku edhe Shqipëria përfshihet.

 

Çfarë “mangësish” ka tregu i shitjes me pakicë online në Shqipëri?

Tregu online i pakicës në Shqipëri nuk ka mangësi të veçanta në krahasim me vendet e tjera të Ballkanit ose me vendet në zhvillim në përgjithësi. Përdoren shumë pak mënyrat e zakonshme të parapagesës (siç janë kartat e kreditit ose paypal) në tregjet e konsoliduara dhe preferohet të paguhet në Cash. Gjithashtu, shitësit që dëshirojnë të shesin online, nuk janë të familjarizuar me mënyrën se si operohet në këtë industri dhe kanë vështirësi të përshtaten.

 

A ka avantazhe?

Avantazhe sigurisht që ka si çdo lloj tregtie. Më e rëndësishmja është mungesa e pranisë së gjigantëve globalë si EBay, Amazon që do të ishte shumë vështirë të konkurronin në një treg të konsoliduar.

 

A ka treg të përshtatshëm vendi ynë për të zhvilluar këtë formë tregtie? A janë shqiptarët të “edukuar” për të qenë blerës online?

Shqiptarët janë pjesërisht të familjarizuar me tregtinë online. Blerësit mesatarë janë të ndërgjegjshëm që ofertat e dyqaneve online shpesh janë shumë konkurruese me ato të dyqaneve fizike. Vështirësia që kanë lidhet me njohuritë e përdorimit të kompjuterit dhe shpesh duhet të asistohen për të përfunduar blerjet, që është një kosto shtesë për kompanitë e shitjeve online.

 

Pse po vjen Movida pas Kaymu? Cili është synimi tregtar?

Movida.al lindi në mënyrë të natyrshme pasi Kaymu vendosi të ngrijë anën operacionale. Stafi që punonte në të, arriti në Shqipëri rezultatet më të larta në nivel global (në terma relative me madhësinë e tregjeve) dhe vendosi ta vazhdojë projektin në mënyrë të pavarur. Movida.al ka një plan biznesi mjaft ambicioz dhe të detajuar dhe fakti që nuk bën pjesë në një kompani të madhe, në këtë rast është një avantazh, sepse na jep fleksibilitetin e nevojshëm për të adaptuar planin e biznesit me tregun ku operojmë, si dhe të kërkojmë investime më të vogla se ato që do të duheshin në nivel kontinental. Kjo na krijon bindjen që modeli ynë i biznesit është i qëndrueshëm dhe i suksesshëm në afatgjatë.

 

 

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of

wpDiscuz