Edhe pse gati gjysma e shpenzimeve të familjeve shqiptare shkojnë për ushqime, ato janë treguar të kursyera në tremujorin e parë të vitit 2018, teksa indeksi i shitjes me pakicë të produkteve ushqimore ka mbetur në vendnumëro, në krahasim me tremujorin e parë të 2017, sipas indeksit të tregtisë me pakicë të INSTAT. Ndryshimi vjetor i indeksit të tregtisë me pakicë për produktet ushqimore në tremujorin e parë të vitit ishte vetëm 0.2%, një ndër rritjet më të ulëta të viteve të fundit.
Me një krahasim afatmesëm që nga viti 2016, shihet një rënie e ritmeve të konsumit të ushqimeve, në një trend gati të qëndrueshëm. Fenomeni merr formë nga fillimi i vitit 2017 ku të gjithë tremujorët deri në tremujorin e parë të 2018-s shihet një rritje me ritme më të ulëta e konsumit të ushqimeve nisur nga indekset e shitjes me pakicë.
Gjatë vitit 2016, indekset e tregtisë me pakicë të ushqimeve kishin rritje vjetore më të larta se 9%. Por, ndërsa tregohen të kursyer me ushqime, shqiptarët nuk kursehen në blerjet e tjera. Indeksi i tregtisë me pakicë shfaq një diferencë të dukshme të shitjeve të artikujve jo ushqimorë me ata ushqimorë.
Të dhënat e INSTAT tregojnë se konsumi është mbajtur në këmbë nga artikujt jo ushqimore të cilët gjatë tremujorit të parë të vitit 2018 janë rritur 2.8% në krahasim periudhën respektive të vitit 2017.
Në tremujorin e parë 2018, indeksi i volumit të shitjeve në tregtinë me pakicë gjithsej është rritur 1,5%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2017.
Grupet të cilat kanë ndikuar janë grupi “Ushqime, pije e duhan në njësi tregtare jo të specializuara dhe të specializuara” +0,1 pikë përqindje.
Grupi “Artikuj jo ushqimorë në njësi tregtare të specializuara dhe jo të specializuara” +1,2 pikë përqindje dhe grupi “Tregti me pakicë e hidrokarbureve në njësi tregtare të specializuara” +0,2 pikë përqindje.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.