Dikur para viteve ’90 produkti që lakohej më shumë në kategorinë e kujdesit dhe pastërtisë ishte sapuni 15 lekësh. Ardhja e demokracisë dhe funksionimi i tregut të lirë do të sillnin me vete edhe ndryshimin e konceptit mbi pastërtinë, kujdesin dhe të bukurën, e bashkë me të edhe një “lumë” produktesh që i shërbenin këtij motivi.
Në vitin 1996 të dhënat tregojnë se importet e produkteve të bukurisë dhe kujdesit për fytyrën do të arrinin vlerën mbi 309 mijë dollarë. Vit pas viti këto importe do të pësonin herë rritje dhe herë ulje të shoqëruara me të njëjtin tranzicion që impononte situata e një vendi si i yni.
Por në vitin 2004 importet e këtij grupi do të kalonin në 1.2 milionë dollarë për të vijuar më pas me një rritje graduale që kulmin e saj e ka në vitin 2016. Sipas të dhënave këto importe ishin vitin e kaluar 12.5 milionë dollarë me një rritje prej 7.8% me bazë vjetore.
Importet më të larta tregojnë për një ofertë më të zgjeruar në treg që ka ardhur si efekt i rritjes së kërkesës nga ana e shqiptarëve për më shumë produkte bukurie, dhe kujdesi ndaj fytyrës. Në dy dekada rezulton të kemi një 40- fishim të vlerës së importeve për produktet e kësaj kategorie çka tregon mbi të gjitha për evoluimin e mentalitetit shqiptar mbi kujdesin ndaj vetes, duke zgjeruar gamën e produkteve që përdorin por edhe duke preferuar gjithmonë e më shumë marka të huaja.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.