Shqiptari i “State Street Bank”

04/02/2012 9:37 AM 0 komente

Me pasaportë shqiptare, edukim të tipit “amerikan”, me dëshirën për të bërë karrierë në fushën bankare, Denis Dollaku është sot drejtues i degës së “State Street Bank” në Milano të Italisë

Nga Elona Bedalli
Ballkani, Amerika dhe Europa përbën për të “trekëndëshin” nëpër të cilin ka kaluar jeta dhe karriera e deritanishme. Denis Dollaku është ndër ata shqiptarë që cilësohen të suksesshëm jashtë atdheut e për të cilët shkruajnë edhe mediat e huaja. Prej këndej e mora edhe “ngacmimin” për të shkruar për të.
E intervistova “vizualisht”, një avantazh që për fat të mirë ta krijon sot teknologjia, por me pak vështirësi. Kjo nuk kishte të bënte aspak me çështje burokracie, si drejtor banke që është, por me faktin e thjeshtë, atë të mungesës së kohës.
Në axhendën e tij u futa pa “radhë”, si gazetarja që e intervistonte nga qyteti ku ai ka lindur. Më bëri përshtypje komunikimi i thjeshtë e miqësor, pa atë “koracën” që shpesh shoqëron bisedimin me një bankier, që edhe pse i ri në moshë, ka një karrierë të admirueshme, që shkon sa nga Bostoni, në Mynih, Londër e së fundmi në Milano. Për të kryer studimet e larta zgjodhi një universitet amerikan në Sofje të Bullgarisë, ndërsa për të thelluar njohuritë, Bostonin, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku edhe do të punësohej. Një nga qendrat që dallohet për numrin e madh të shqiptarëve. Nuk është në gjendje të thotë nëse ishte një profeci vetëpërmbushëse, por që në fillim ka qenë i tërhequr (ndoshta nga klisheja) nga metoda amerikane e edukimit. Një metodë që stimulon mendimin e pavarur dhe kërkimin e zgjidhjeve origjinale. Por në gjithë këtë filozofi kishte edhe pak fat. Gjë që në vazhdim Denis Dollakut, përpos aftësive dhe angazhimeve të tij, nuk do t´i mungojë. Me përfundimin e studimeve master për ekonomi filloi punë në “State Street Bank”, në Boston. Vlerësohet si një nga institucionet më të rëndësishme financiare, që përqendrohet në të ashtuquajturën “securities services business”, pra nuk është një bankë tregtare tipike, me llogaritë bankare për individë, me hua të vogla dhe të mesme etj., por shërben për klientë institucionalë, ndërkombëtarë, aktivë, në tregjet financiare.
“Fillimisht m´u desh një periudhë kohe të kuptoja modelin operativ të ‘State Street´. Përfitova shumë nga puna në Boston ku janë edhe zyrat kryesore të bankës. Sistemi amerikan duhet të ndiqet, sepse shpërblen performancën pavarësisht nga origjina e individit”, thotë Denisi.
Eksperienca amerikane ishte shumë e rëndësishme jo vetëm për të, por edhe për bashkëshorten Ela, e cila i përket së njëjtës fushë profesionale. Por të dy kishin një tjetër dëshirë. Të ktheheshin për të jetuar në Europë, për të fituar atë stil jete që u pëlqente dhe i tërhiqte. Në fillim do të vendoseshin në Londër, ku Denisi do të vazhdonte të punonte për bankën. Përvoja e fituar sa në Boston dhe më pas në Londër i dhanë mundësinë për të bërë përpara në karrierë. Këtë herë, qyteti i kurorëzimit të karrierës (i deriatëhershëm) ishte Mynihu në Gjermani, ku u emërua si drejtor i Auditit, gjithmonë për “State Street Bank”. “Kjo ishte një përvojë e veçantë për mua, nga ana profesionale dhe personale. Në Gjermani kam punuar me kolegë që më kanë influencuar shumë pozitivisht nga ana profesionale”, thotë Denisi.
Gjermaninë, e më saktësisht Mynihun e kujton me nostalgji. Tregon se ka qenë qyteti i ëndrrave të tij, që fëmijë dhe se aty gjeti çdo gjë që kishte ëndërruar, ndoshta dhe më shumë.
Ndërsa tani, qyteti ku po punon e jeton është Milano, në Itali. Prej disa kohësh është drejtuesi i degës së “State Street Bank” në Milano. E konsideron veten si një njeri me shumë fat, edhe pse siç thotë edhe vetë, njeh njerëz që janë më të zotë se ai, por që nuk kanë pasur të njëjtin fat. “Unë e kam pasion fushën financiare të ashtuquajtur ‘asset management´ dhe po të kisha mundësi të kthehesha edhe një herë pas, do të përqendrohesha më shumë tek ajo”, thotë ai.
Kthimin në Shqipëri nuk e mendon si të mundshëm, pasi mendon se nuk janë pjekur kushtet, nisur kjo edhe nga fakti se fusha ku është i specializuar (“securities services business”) është akoma në hapat fillestarë të zhvillimit.
Megjithatë, thotë se në Shqipëri, mënyra e të menaxhuarit ka ndryshuar shumë. “Mendoj se brezi im po e udhëheq ndryshimin, por ka ende shumë për të bërë, për të sjellë stilin perëndimor, anglo-sakson të menaxhimit. Është e nevojshme që personat të vlerësohen më shumë për punën që bëjnë dhe ata vetë të ndërgjegjësohen për detyrat që kanë si ndaj profesionit dhe shoqërisë”.

Një menaxher me stil demokrat
Kur e pyeta nëse mendonte se ai përbën një fenomen të izoluar, m´u përgjigj se ka shumë shqiptarë që janë shumë më të suksesshëm se ai, që kanë arritur nivele të larta të menaxhimit në Shqipëri, Europë apo dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një pjesë të të cilëve thotë se i njeh personalisht. “Pra s´mendoj që përbëj një fenomen të izoluar dhe as më të mirin për t´u ndjekur. Për sa i përket eksperiencës sime, shumë i rëndësishëm ka qenë përkushtimi në profesion dhe dëshira për të zgjeruar diapazonin e dijes. Kjo kërkon shpesh sakrifica personale, të cilat duhet të jemi të gatshëm t´i bëjmë”, thotë Denisi. Ai e cilëson veten demokrat në stilin e menaxhimit,
sepse pëlqen që bashkëpunëtorët e tij të ngushtë të jenë pjesë e vendimmarrjes. “Eksperienca më ka mësuar se kjo i bën ata të ndjehen të vlefshëm dhe të punojnë më fort, për të siguruar që vendimi të zbatohet në mënyrë të suksesshme. Kjo kërkon komunikim shumë të hapur dhe ndihmon në marrjen e vendimeve komplekse”, thotë ai. Këshillon kujdes, pasi kjo formulë nuk mund të zbatohet në çdo sistem shoqëror/profesional. Disa shoqëri janë më hierarkike (ato mesdhetare), personat presin të komandohen/drejtohen. Pra, kjo mund të jetë njëkohësisht një dobësi.
Ditët e tij të punës janë gjithmonë shumë të ngarkuara. Ora 08:30 e mëngjesit e gjen në zyrë. Më pas takime dhe vetëm takime, me menaxherët e afërt, me klientë, me konsulentë, me ente rregullore etj. Menaxhimi i detyrave të përditshme është i programuar nga të gjithë në bankë, përfshi edhe atë si drejtues. çdo detyrë ndiqet deri në zbatimin e plotë. Kërkohet vëmendje maksimale në ndjekjen e çdo objektivi që është caktuar për t´u arritur. Nuk harrohet asnjëherë korrespodenca.
Në shtëpi kthehet relativisht vonë dhe fatkeqësisht i mbetet shumë pak kohë që shkon e gjitha në dispozicion të “tri femrave të jetës së tij”, siç i quan ai bashkëshorten dhe dy vajzat, Klodin dhe Isabelën.
Në “axhendë” nuk mungon edhe koha që ai i kushton ruajtjes së kontakteve me vendlindjen. “Miqtë e shokët e shumtë ma heqin mallin e Shqipërisë. Ngjarjet komike që qarkullojnë atje janë të jashtëzakonshme dhe më japin një ndjenjë lehtësie kur i dëgjoj. Mos më pyesni për ngjarjet serioze që ndodhin atje sepse… s´ia vlen… Familjet tona jetojnë në Tiranë dhe nëpërmjet tyre marrim vesh se ç´thashetheme gatuhen… kështu ndodh rregullisht në familjet tona apo jo? Interneti dhe televizori janë mjetet e zakonshme që përdor për informim. Gjithmonë një herë në vit kalojmë disa ditë çmallje në Shqipëri”, tregon Denisi.
Si një menaxher, koha e tij është e programuar dhe siç thotë edhe ai, për të ruajtur aq sa është e mundur ekuilibrin mes familjes dhe punës, zbaton stilin anglo-sakson të shkëputjes.
“Secila ka rëndësinë e saj në jetën e një njeriu dhe mendoj se kur përzihen shumë të dyja (si në një kulturë mesdhetare) humbasin paksa nga vlera e tyre”. Ndaj dhe me bashkëshorten pëlqen më shumë të diskutojë për tema të tjera, si letërsia, arti dhe politika.
Ambicien thotë se e ka të kufizuar me dëshirën për të pasur një jetë të plotë, familjare (kjo është parësore) dhe profesionale.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of