Drejtoria e Përgjithshme e Pastrimit dhe Parandalimit të Parave ka bërë publike një nga skemat e pastrimit të parave, duke përdorur “call center”.
Transferta, nga shoqëri të regjistruara në vende parajsa fiskale, në favor të shoqërive ‘call center’ dhe tërheqja e menjëhershme e fondeve.
Shoqëria A me objekt veprimtarie ‘call center’, në llogarinë e saj në një nga bankat që operojnë në vend që në fillimet e aktivitetit kishte përfituar disa transferta të dërguara nga vendet e BE, nga shoqëri të regjistruara në vende të parajsës fiskale (i ndryshëm nga vendi i dërgimit të transfertave).
Nga verifikimet e kryera rezultoi se:
Në të njëjtën adresë që ushtronte aktivitetin kompania A, kishin regjistruar selinë edhe disa biznese të vogla të tipit Person Fizik (rreth 11 PF) me të njëjtin objekt veprimtarie si të shoqërisë A dhe të regjistruara në të njëjtën datë në QKB. Këto biznese ishin regjistruar në emër të punonjësve të shoqërisë dhe kishin moshë tepër të re.
Nga analizimi i llogarive të bizneseve PF është vënë re se ka pasur transferta në hyrje që në momentin e regjistrimit të tyre nga të njëjtat shoqëri që më parë i kishin dërguar transferta edhe shoqërisë A. Fondet e mbërritura në llogaritë e bizneseve PF ishin pothuajse në të njëjtat vlera (10,000-15, 000 EUR për transfertë) dhe të gjitha këto fonde tërhiqeshin menjëherë nga shtetasi Z, i cili ishte person i autorizuar për kryerje transaksionesh në bizneset PF si dhe njëkohësisht i punësuar menaxher në shoqërinë A.
Gjatë analizimit të mëtejshëm të rastit është konstatuar se shoqëritë dërguese, jashtë vendit kanë qenë të lidhura me shoqëri të tjera në Shqipëri me veprimtari ‘call center’ të sapokrijuara dhe me ortak shtetas me moshë të re, raste për të cilat është dërguar informacion kohë më parë në organet ligjzbatuese për dyshime lidhur me aktivitetin që ato ushtrojnë
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.