Tregu i barnave shënoi rënie prej 5% gjatë vitit të kaluar, si rrjedhojë e tkurrjes së importit, ndërsa prodhimi vendas shënoi rritje të lehtë. E ndërsa vlera ulet, sasia e barnave që qarkullon në treg është rritur. Për më tepër, heqja e TVSH-së nuk pritet të ulë çmimet e barnave
Viti fillon me një lajm të mirë (në dukje) për importuesit, tregtarët e konsumatorët e tregut të barnave. Tatimi mbi Vlerën e Shtuar prej 10%, i cili u vendos tre vjet më parë, do të hiqet nga data 1 prill i këtij viti. Në kohën e vendosjes së kësaj takse, importuesit lajmëruan se po në këtë masë do të rritej çmimi i barnave, pasi asnjë nga zinxhiri i shitjeve (që nga importuesit deri te farmacia më afër shtëpisë) nuk do të merrte përsipër të paguante një kosto të tepërt. Sot, kur kjo taksë do të hiqet, çdo një prej nesh mendon se të sëmurët do të kenë mundësi të paguajnë të paktën 10% më pak për barnat e nevojshme për t’u kuruar. Në rastin më të mirë, heqja e TVSH-së do të sillte një ulje çmimi prej 16%, pasi vetë tregtuesit e barnave pranojnë se çmimi i barnave u rrit me 16% pas aplikimit të TVSH-së me 10%.
Por, ulja e çmimit nuk do të ndodhë.
Kastriot Zotaj, kryetar i Shoqatës së Farmacistëve, thotë se pavarësisht kësaj lehtësie që po ndodh, kompanive importuese u është ulur marzhi i fitimit në vetëm 7%. Tregtia e barnave është e rregulluar dhe marzhet e fitimit të paracaktuara për çdo hallkë të zinxhirit. Sipas Zotajt, marzhi i fitimit ka zbritur me rreth 5 pikë përqindje, pasi ishte 12% një vit më parë.
Parashikimet e importuesve hedhin poshtë edhe qëndrimet e hartuesve të paketës fiskale, sipas të cilëve me heqjen e TVSH-së për barnat, do të ulen çmimet.
Edhe në periudhën e vendosjes së kësaj takse, ish-ministri i Financave, Ridvan Bode, pati deklaruar se nuk do të kishte rritje të çmimit të barnave. Ekspertët e Ministrisë së Financave, argumentonin se vendosja e TVSH-së do të ndihmonte vetëm në rregullimin e hallkave të tregtimit në biznesin e barnave, pa dhënë efekt në çmimin përfundimtar te pacientët. Por, faktet treguan se “fitues” dolën importuesit, të cilët lajmëruan rritjen e çmimit.
E pacientët nuk do të përballen vetëm me barna të shtrenjta, por edhe me rrezikun e pasigurisë që vjen nga produktet kontrabandë, duke sjellë dëm të dyfishtë në treg.
Krahas uljes së normës së fitimit, importuesit duhet të përballojnë edhe koston shtesë të kontrabandës, një problem i qëndrueshëm i këtij tregu, të hasur nga “Monitor” çdo herë që ka matur këtë treg.
Pavarësisht ndryshimeve të qeverisjeve, kontrabanda e barnave duket se i bën rezistencë gjithë spektrit politik. Sipas Zotajt, futja në formën e kontrabandës së barnave nga Greqia e Italia është bërë tashmë një problem i qëndrueshëm.
Fenomeni është i dukshëm, ndonëse Qendra Kombëtare e Kontrollit të Barnave ka marrë shpeshherë masa deri në heqjen e licencës për farmacitë që tregtojnë barnat kontrabandë.
2013: Pacientët trajtohen lirë
Pas frenimit të importeve gjatë vitit 2011, kur barnat u rënduan nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, edhe viti i kaluar rezulton me një tkurrje të tregut. Vlera e tregut u tkurr gjatë vitit të kaluar pas një tendence rritje të vërejtur një vit më parë. Për 2013-n, tregu paraqitet në vlerën e rreth 26.5 miliardë lekëve. Krahasuar me një vit më parë, ai u tkurr me rreth 5%, duke zbritur pothuajse në nivelet e dy viteve më parë.
Parë në një kohështrirje më të gjatë, tregu mbetet me një trend rritës. Kështu, krahasuar me pesë vite më parë, vlera e tij është rritur me rreth 26%, pasi në vitin 2009 llogaritej në 21 miliardë lekë, në bazë të të dhënave të importeve, prodhimit vendas dhe marzhit të fitimit për barnat (të përcaktuar me ligj).
Në bazë të të dhënave të import-eksportit dhe prodhimit në vend, për vitin që shkoi, çdo shqiptar shpenzoi për barna rreth 7.2 mijë lekë. Në vlerë shpenzimesh, mbetemi në nivele të ulëta krahasuar me shumë tregje europiane e madje edhe me vendet fqinje. E kjo jo për faktin se kemi ndonjë nivel sëmundshmërie më të ulët. E gjithë panorama na tregon se ne blejmë barna të lira, efekti i të cilave është më i ulët për për shërueshmërinë, ndërsa edhe pasojat anësore të tyre vlerësohen më të larta.
Faktet tregojnë për një prirje edhe më të theksuar për t’u trajtuar me barna të lira në këto vitet e fundit. Sipas dhënave doganore, ndërsa importet në vlerë shënuan rënie vitin e kaluar, sasia e këtyre importeve u rrit me 5% krahasuar me një vit më parë. Më shumë se çdo lloj tregu tjetër (përfshirë edhe atë ushqimor), rëndësia e tregut të barnave është pikërisht te cilësia e produktit. Dhe importuesit pranojnë se tregu po dobësohet (për nga cilësia) për shkak të kushteve të vështira financiare të familjeve. Importuesit pranojnë se nuk ka pasur zhvillime pozitive në futjen e barnave të shtrenjta. Sazan Çeliku, doktor i Shkencave Farmaceutike, pohon se “këto vitet e fundit, shumë barna të reja janë regjistruar në tregun tonë, por nuk arrijnë të futen në treg pasi nuk tërhiqen nga pacientët e rrjedhimisht as nga farmacitë për shkak të kostove të larta”.
Bie 5% vlera e importit, rritet 5% sasia
Rreth 94% e barnave vijnë nga tregu i Bashkimit Europian, ndonëse ky është tregu me furnizimin më të gjerë gjeografikisht krahasuar me të gjitha llojet e tjera të importeve. Sipas të dhënave doganore, importet e barnave për 2013-n ishin 16.198 miliardë lekë, nga 17 miliardë lekë të importuara një vit më parë. Siç vërehet edhe nga grafiku, vlera e importit shënoi rënie prej 5% krahasuar me një vit më parë, pas një rritje të lehtë të vërejtur në 2012-n.
Për më tepër doganat tregojnë se për të njëjtën vlerë, importuam më shumë barna. Sasia e tyre ishte 5% më e lartë se në vitin 2012.
Po në këtë periudhë, eksportet e barnave shënuan ulje të lehtë, ndonëse vlera e tyre vazhdon të mbetet e papërfillshme në këtë lloj tregtie. Pavarësisht se kemi një kompani të madhe të prodhimit të barnave në vend, planet e saj për eksport duket se nuk kanë rezultuar të suksesshme. Drejtuesit e kompanisë “Profarma” kishin parashikuar të eksportonin barna të paktën në tregun kosovar, por shifrat tregojnë se plani ka mbetur në tentativë dhe tregu kosovar, ashtu si për shumë produkte të tjera është një “fushëbetejë” mes tregtarë e prodhuesish të rajonit të Ballkanik, ku shqiptarët shpesh kanë humbur.
Për vitin 2013, vlera e eksportit të barnave ishte 0.15 miliardë lekë, duke shënuar rënie prej rreth 30% krahasuar me një vit më parë.
Me 12% të totalit të importeve në vlerë, Zvicra vazhdon të zërë vendin kryesor në importe sipas të dhënave të tregtisë. Shpenzimet më të mëdha shkojnë për blerjen e produkteve që mbajnë emrat e shtëpive prodhuese zvicerane e italiane. Pesha e këtij tregu ra lehtësisht krahasuar me pak vite më parë. Në raport me 2012-n, pesha ka rënë me 1 pikë përqindje, ndërsa në pesë vitet e fundit ra me 4 pikë përqindje. Sipas përfaqësuesve të kompanive importuese, rënia erdhi me shtimin e importeve nga tregje të tjera të largëta, të cilat kanë një raport më të mirë çmim-cilësi.
Tregjet e largëta si SHBA, Indi, po rrisin praninë e produkteve të tyre në vendin tonë, ashtu si në të gjithë Europën. Sipas të dhënave të tregtisë, importet e barnave nga SHBA zunë 3% të tregut për vitin e kaluar. Peshë më të madhe në treg kohët e fundit po zënë prodhimet e Bullgarisë e Sllovenisë.
Prodhimi vendas, rritet mbi 2%
Blerja e kompanisë më të madhe të prodhimit të barnave në vend nga sipërmarrësit gjermanë, aktiviteti i “Profarmës”, ka rifilluar rritjen. Pasi u ndalën ritmet e rritjes në dy vitet e para të blerjes 2010-2011, për shkak të inventarizimit të mallrave, sasia dhe gama e prodhimeve ka njohur rritje të dukshme.
Aktualisht “Profarma” ka një gamë prodhimi me 200 produkte ndërsa rreth produkte importohen nga kompania mëmë. Por, kapacitetet e prodhimit vlerësohet të jenë shumë më të larta krahasuar me nivelin aktual të prodhimit. Rrjedhimisht edhe hapësirat për rritjen e kësaj kompanie mbeten të larta për sa kohë kapacitetet e prodhimit janë mbi vlerat e prodhimit aktual. “Profarma” zë rreth 10% të tregut të barnave dhe një e katërta e volumit të pullave fiskale të emetuara nga Qendra Kombëtare e Kontrollit të Barnave përdoren prej saj.
Tregu i rimbursuar, 8.4 miliardë lekë
Të sëmurët e kanë këtë vit listën e re të barnave të rimbursueshme më herët se vitet e tjera. Pak ditë më parë u miratua lista me 56 barna të reja, duke e çuar në 477 listën me barna të rimbursueshme. Me vendimin e fundit të qeverisë në sektorin e shëndetësisë, janë shtatë diagnoza të reja që tashmë mbulohen nga lista e barnave të rimbursueshme. Sipas ekspertëve të Ministrisë së Shëndetësisë, disa lloje kanceri janë trajtuar me barna të rimbursueshme dhe në listën e re janë futur kombinime që përmirësojnë trajtimin e tyre. Për herë të parë, do të mbulohen nga lista e rimbursimit edhe lloje të tjera kanceri si ai i mushkërive, kanceri rektal, i lëkurës, i heparit etj. Bëhet fjalë për rreth 600 pacientë më shumë që do të përfitojnë nga barnat e reja për trajtimin e disa lloje kanceri. Trajtimi i Hepatitit B dhe C (janë përfshirë në listë barna që nuk lejojnë kronicizimin e sëmundjes, si dhe barna për mjekimin e hepatiteve). Sipas tyre, lista e shtuar është një hap cilësor për kujdesin ndaj shëndetit. Parandalimi i trombozave – barna që përdoren pas ndërhyrjeve kirurgjikale si dhe te gratë shtatzëna që vuajnë nga venat varikoze, në tremujorin e fundit të shtatzënisë; Çrregullimet hormonale te fëmijët me pubertet të hershëm; Osteoporoza te gratë. E këtë herë, luftimi i varësisë ndaj alkoolit mund të bëhet me rimbursim. Për herë të parë është përfshirë një medikament që lufton varësinë ndaj alkoolit; apo edhe trajtimit për të shmangur degjenerimin e syrit që të çon në verbëri.
Për listën e rifreskuar së fundi, pakënaqësitë vijnë nga importuesit e barnave. Drejtuesit e shoqatës së tyre thonë për “Monitor” se lista nuk është konsultuar me ta paraprakisht dhe për të gjitha vendimet e marra për barnat këtë vit, nuk u është marrë mendim.
Lista e rimbusimit për 2013-n ka pasur 421 medikamente dhe i kushtoi buxhetit 8.4 miliardë lekë. Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, lista ndërtohet mbi parimin e blerjes së alternativës më të lirë. Mjekët vlerësojnë se parimi është i drejtë, por në pikëpyetje vihet cilësia e barnave që blihen. Për më tepër, sipas mjekëve hematologë pranë Qendrës Spitalore Universitare, pacientët që shtrohen më shpesh në spital janë ata që përdorin ilaçet me rimbursim.
Pavarësisht kësaj, duhet theksuar se në Shqipëri nuk ka hetime për efikasitetin e ilaçeve, duke i dhënë përparësi vetëm kostos së ulët, ndërsa nuk mund të flasim as për barnat e falsifikuara. Qendra Kombëtare e Kontrollit të Barnave, përmes farmakovigjilencës ka si detyrë të hetojë efektet e medikamenteve përfshirë edhe ato anësore, por deri tani nuk ka pasur asnjë ndërhyrje për bllokim të ndonjë prej tyre në treg. Në nivel global, Organizata Botërore e Shëndetësisë raporton se niveli i barnave të falsifikuara luhatet mes vendeve të ndryshme nga 10% në 30%. Sa është ky nivel në Shqipëri mbetet një pikëpyetje.
1 euro =136 lekë?!
Tregtarët e barnave të cilët duhen nxitur për të sjellë produkte sa më cilësore për shqiptarët, në fakt mund të na përgjigjen ndryshe në treg, edhe për “inat” të padrejtësive që ata mendojnë se u bëhet nga qeveria.
Ashtu si kontrabanda që u reziston viteve, importuesit përballen me një tjetër problem të qëndrueshëm: kursi i këmbimit, në bazë të të cilit llogaritet vlera e importit të barnave. Sipas Shoqatës së Importuesve, kursi i llogaritur nga Ministria e Shëndetësisë për efekt të importit është në nivelin 1 euro = 136 lekë. Kjo ndodh ndërkohë që të paktën prej një viti, kursi në tregun e lirë është 3% më i lartë, ose 4 lekë më shumë. Kastriot Zotaj lajmëron se importuesit do t’i kërkojnë së shpejti qeverisë që të zgjedhë mes alternativave të trajtimit si në Europë, ku blerjet bëhen online, ose të rimbursojë vlerën më të lartë të importit të kompanisë për shkak të kursit me vlerë më të ulët këmbimi.
Shifra për tregun e barnave 2013
Volumi i tregut fundor të barnave ishte 26.5 miliardë lekë
Barnat e importit zënë rreth 90% të tregut
8.4 miliardë lekë, vlera e rimbursimit
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.