Edhe pse çmimi i zyrave është rritur në gjashtëmujorin e parë të 2016-s, oferta për mjedise të biznesit ka rritur sipërfaqet e pazëna të zyrave.
Sipas analizës së Colliers International, masterplani i miratuar dhe plani për ndërtimin e kullave në qendër të Tiranës do të kenë ndikim direkt në tregun e zyrave në afat të gjatë dhe të mesëm, për ofertën dhe çmimin.
Si janë aktualisht çmimet dhe cilat janë projektet që do të shtojnë ofertën për zyra në Tiranë…
Në fund të gjashtëmujorit të parë, oferta për zyra në Tiranë ka arritur në 107,107 metër katrorë, sipas të dhënave të Colliers International në raportin e tregut të zyrave dhe mjediseve tregtare të 6 mujorit të parë 2017. Hapësira totale e lirë në qendër të qytetit është rritur me 1,322 metër katrorë krahasuar me gjashtëmujorin e dytë të 2016-s, duke reflektuar dhe një rritje në hapësirat e pazëna nga 9.7% në gjashtëmujorin e dytë të 2016-s në 10.74% në të parin e 2017-s.
Rritja e hapësirave të pazëna ka ardhur kryesisht për shkak të hyrjes në treg të Qendrës së Biznesit Millennium, një godinë e klasit A për sa u përket zyrave. Qendra e Biznesit Millennium ndodhet në fillim të Rrugës së Kavajës. Si rezultat, sipërfaqet e lira në total janë rritur me 9.82%.
Kërkesa është rritur më së shumti për shkak të zhvendosjes apo zgjerimit të atyre kompanive që përdornin për zyra mjedise për banim të përshtatura si zyra. Megjithëse çmimet kanë mbetur të qëndrueshme, tregu mbizotërohet nga qiradhënia, dhe do të vazhdojë të jetë kështu deri sa oferta e re të përfshihet në treg.
Masterplani i miratuar dhe plani për ndërtimin e kullave në qendër të Tiranës do të kenë ndikim direkt në tregun e zyrave në afat të gjatë dhe të mesëm, për ofertën dhe çmimin.
Oferta e re rrit stokun e sipërfaqeve të pazëna
Hyrja në treg e Qendrës së Biznesit Millennium (ndërtesë e klasit A) në treg ka ndikuar jo vetëm në rritjen e stokut të zyrave, por edhe të cilësisë. Edhe pse ende nuk është hapur zyrtarisht, një sipërfaqe e konsiderueshme e saj është marrë me qira dhe pjesa e mbetur është gati për t’u lëshuar me qira në treg.
Bazuar në sa më sipër, oferta për zyra është shtuar me 5,800 metër katrorë, duke kapur totalin e 107,107 metër katror, ku përfshihen ndërtesa të klasit A, B dhe B+.
Në terma relativë, tregu i zyrave është rritur me 6%. Pjesa më e madhe e ofertës për zyra, rreth 77% e sipërfaqes totale, gjendet në qendër apo brenda qytetit, ndërsa pjesa e mbetur (23%), në periferi të Tiranës.
Ndryshime të tilla gjithashtu reflektojnë rritje të mjediseve të lira nga 8.84% në gjashtëmujorin e dytë të 2016-s në 9.82% në gjashtëmujorin e parë të 2016-s.
Vlerësimi në total është rezultat i përllogaritjeve të stokut të zyrave brenda dhe jashtë qytetit, duke përjashtuar projektet e mëdha që gjenden në periferi të Tiranës. Projektet e fundit kanë normë të lartë të hapësirave të lira, më së shumti, për shkak të vendndodhjes së tyre në vende më pak të favorshme.
Kërkesa në rritje, bizneset kërkojnë zgjerim dhe cilësi
Në raportin e Colliers për tregun e pasurive të paluajtshme të zyrave dhe dyqaneve, ndër shkaqet kryesore që u rritën sipërfaqet e zëna nga bizneset për sa u përket zyrave ishte zgjerimi i hapësirave dhe përmirësimi i cilësisë së ambienteve.
Stoku i zënë në fund të gjashtëmujorit të parë të 2017-s përllogaritej 84,041 metër katrorë, duke shënuar një rritje prej 4,478 krahasuar me gjashtëmujorin e dytë të 2016-s. Rritja ka ardhur për shkak të zhvendosjes apo dhe të zgjerimit; disa nga kompanitë vendosën që të shpërnguleshin nga mjediset rezidenciale që kishin marrë me qira në mjediset e zyrave, ndërsa të tjera janë zhvendosur apo zgjeruar zyrat me qëllim përmirësimin e cilësisë dhe zgjerimin e hapësirave.
Projektet e ardhshme
Qendra Turdiu, në Rrugën e Barrikadave, është projektuar që do të ketë një sipërfaqe totale për zyra prej 25 metrash katrorë. Qendra pritet që të bëhet pjesë e tregut në 2018-n.
Arena Kombëtare është projekti i ri që do të ndërtohet në ish-stadiumin “Qemal Stafa”, ku përveç stadiumit dhe arenës sportive do të ketë zyra dhe hapësira për dyqane. Projekti ka nisur të ndërtohet dhe pritet që të përfundojë brenda 2018-s.
“Archea Tower” është një kullë 85 metra e lartë, e cila do të ndërtohet në zemër të qytetit. Aktualisht është në status pasiv dhe vetëm kur të jetë aktive do të bëhet e qartë nëse hapësirat në këtë objekt do të rrisin stokun e zyrave apo ndonjë kategori tjetër të pasurive të paluajtshme.
Parashikimi
Përfundimi i projekteve të reja, sipas raportit të Colliers International, do të ndikojë stokun e zyrave duke rritur ofertën. Kjo do të ketë ndikim në rënien e çmimeve të qirave, të cilat aktualisht janë ndër më të lartat në Ballkanin Perëndimor.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.