Prodhimi i tullave ka vijuar rënien në kushtet kur industria ende po vuan krizën e ndërtimit. Vetëm kompania ‘Milis’ ka arritur të shënojë rritje duke përfituar edhe nga falimentimi i kompanisë më të madhe në vend, ‘Volalba”
Nga Laura Çela
Industria e tullave po vijon të vuajë pasojat e krizës ekonomike, duke shënuar rënie të vazhdueshme të prodhimit dhe eksporteve. Të dhënat zyrtare, por edhe ato nga operatorët e tregut, konfirmojnë rënien e prodhimit në 355 mijë tonë në vitin 2012, me një reduktim 35% kundrejt një viti më parë.
Rënia e prodhimit ka ardhur si pasojë e uljes së vazhdueshme të kërkesës nga tregu i brendshëm, i cili që prej vitit 2009 ka njohur ritme të shpejta rënëse.
Prodhimi vendas përbën 100% të tregut total, duke përfshirë edhe eksportet. Importet janë thuajse zero, pasi kompanitë vendase kanë fuqizuar prezencën e tyre duke arritur të konkurrojnë me çmime shumë më të ulëta.
“Konsumi” i brendshëm mbetet i ulët dhe është ngadalësuar si pasojë e krizës në sektorin e ndërtimit. Fabrikat e tullave punojnë duke shfrytëzuar 30-40% të kapaciteteve të tyre në një kohë që rreziku i mbiprodhimit mbetet i lartë. Kompanitë kryesisht po përpiqen të zgjerojnë eksportet për të “amortizuar” rënien në tregun e brendshëm.
Dhe në fakt, gjatë vitit 2012, eksportet shënuan rritje, sidomos në Kosovë, por gjatë vitit 2013, ato u reduktuan sërish.
Gjatë vitit 2010, kompanitë hynë në tregun e Kosovës duket shfrytëzuar vendosjen e masave të reciprocitetit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke marrë si pasojë tregun e lënë bosh nga tullat serbe. Deri në vitin 2010, kanë qenë tullat e importuara nga Serbia ato që dominonin tregun e Kosovës. Një impakt shumë pozitiv ka dhënë edhe përmirësimi i infrastrukturës, përmes autostradës Durrës-Kukës.
Konkurrenca
Gjatë vitit 2013, industria e tullave shënoi largimin prej saj të kompanisë më të madhe. Kompania me kapital italian “Volalba” ka shpallur falimentin dhe tashmë është duke ndjekur procedurat ligjore në Gjykatën e Tiranës.
“Volalba” ishte biznesi më i madh në vend i prodhimit të tullave, i cili nisi aktivitetin rreth 15 vite më parë në ish-fabrikën shtetërore të tullave, në Lushnjë. Por megjithëse është ndër të parat që ka hyrë në treg dhe gjithashtu më e madhja, ajo është e para në largimin nga ky sektor duke shpallur falimentin. Procesi ka nisur në fund të muajit maj dhe është duke u zhvilluar ende.
Siç bëhet e ditur në procesverbalin e depozituar në gjykatë, nga financa është marrë gjendja kontabile si për asetet ku përfshihen ndërtesa, makineritë e pajisjet, impiantet, automjetet ashtu dhe për produktin e gatshëm, lëndët e para ndihmëse si dhe për pjesët e këmbimit, pajisje e kancelari.
“Volalba”, deri në vitin 2011, rezulton kompania më e madhe në vend, duke lënë pas kompanitë “KidAlb” dhe “Edil-Centro”.
Deri në vitin 2008, kur shitjet e tullave ishin në nivele të larta, të gjithë prodhuesit e tullave e kishin të lehtë që të zgjeronin tregun dhe shitjet e tyre. Por pikërisht, pas vitit 2008, nga një anë nisi rënia e kërkesës, por nga ana tjetër konkurrenca u rrit, ku një nga operatorët e rinj që hyri në treg ishte “KidAlb”.
“Volalba”, një kompani me kapital italian, ishte e para që ka hyrë në tregun e brendshëm si prodhuese e tullave, pasi grupi “Scianatico-Degenaro”, bleu fabrikën ish-shtetërore në Lushnjë në vitin 1993.
Gjatë vitit 2012, xhiro e kompanisë “Volalba” u reduktua me 53% kundrejt një viti më parë, duke u ulur në 2.8 milionë euro, sipas të dhënave nga tatimet. Kompania kishte 17% të të gjithë tregut gjatë vitit 2012.
Përgjatë katër viteve të fundit, 2008-2012, kompania ka shënuar rënie të vazhdueshme të xhiros, si pasojë e rënies së tregut dhe rritjes së konkurrencës.
Aktualisht “Kid-Alb” është kompania më e madhe e prodhimit të tullave në vend, duke zënë 34% të tregut. Kompania ishte e vetmja që gjatë vitit 2012, arriti të rritej me një normë 3.8% në vit, në 5.4 milionë euro.
Ajo la pas “Edil-Centro”, një nga kompanitë më “të vjetra” në tregun e tullave dhe këtë e ka arritur nëpërmjet çmimeve të ulëta dhe zgjerimit të eksporteve në Kosovë.
“Edil-Centro” është kompania e dytë më e madhe në vend, duke zënë 23% të tregut. Pas vitit 2008, kompania ka shënuar rënie në xhiron e saj, si pasojë e shtimit të konkurrencës dhe krizës ekonomike që ka çuar në rënien e shitjeve dhe më shumë konkurrencë nga tregtarët informalë. Xhiro e “Edil-Centro” u reduktua me një bazë vjetore prej 25% kundrejt vitit 2011, në 3.7 milionë euro.
Aktualisht kompania konkurron kryesisht me eksportet e tjegullave drejt tregjeve të Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të Zi.
Bien eksportet
Edhe 2014 nuk duket e mbarë për eksportuesit e tullave dhe tjegullave, pas një 2013-e të dobët. Të dhënat nga INSTAT-i konfirmojnë se eksportet e produkteve qeramike, që kryesisht janë tulla dhe tjegulla, u ulën në vitin 2013 në rreth 540 milionë lekë, 27% më pak se një vit më parë.
Gjovalin Shtjefni, administrator i dy kompanive të prodhimit të tullave në vend, “Milis”, konfirmon uljen e eksporteve.
“Është e vërtetë që eksportet janë ulur dhe kjo ka ardhur si pasojë e rënies së tyre në tregun kosovar, ku ne eksportojmë kryesisht”, thotë z. Shtjefni.
I njëjti fakt pohohet edhe nga drejtori i marketingut në kompaninë tjetër prodhuese të tulla-tjegullave, “Edil-Centro”.
“Është e vërtetë që ka rënie të eksporteve në Kosovë, ndaj dhe ne tashmë po fokusohemi më shumë në tregun e brendshëm”, thotë për “Monitor”, Elmir Boriçi.
Rënia e tregut në Kosovë është pasojë e shtimit të burokracive nga dogana e këtij shteti. Problemi, i cili arriti kulmin me protestën e mauneve në pikën kufitare në Shqipëri, duket se ka nisur që në fillim të vitit 2013 dhe çoi në uljen graduale të shitjeve të tullave në Kosovë.
Rënia e tregut të Kosovës ka dëmtuar kompanitë e tullave, të cilat përllogarisin se rreth 50% e aktivitetit të tyre fokusohet pikërisht në këtë treg.
Eksportet e tullave drejt Kosovës përllogariten të zënë rreth 90% të totalit të eksporteve të tullave gjatë vitit 2012.
Për kompanitë e prodhimit të tullave dhe tjegullave, mbrojtja nga kriza e ndërtimit kanë qenë pikërisht eksportet, që gjatë viteve të fundit janë rritur me ritme të larta.
Kompanitë eksportojnë në Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi. Në këto vende eksportohet edhe tjegull e prodhuar nga kompania “Edil-Centro”, e cila falë teknologjisë së avancuar, është e vetmja në rajonin e Ballkanit që prodhon tjegull antike, çka ka bërë që të jetë e kërkuar në shumë tregje të huaja. Kompania nuk ka “kursyer” aspak në investimin për teknologji, pasi synimi i saj ka qenë që në fillim një treg i madh, jo vetëm ai vendas.
Përballë një situate shumë të vështirë të tregut vendas, menaxherët e kompanive u fokusuan shumë në tregjet e rajonit.
Kompanitë shqiptare të prodhimit të tullave dhe tjegullave shfrytëzuan mirë edhe vendosjen e masave të reciprocitetit në mesin e vitit të kaluar Serbi-Kosovë, që të rrisnin me shpejtësi eksportet drejt Kosovës. Megjithëse prej pesë vitesh, kompanitë eksportonin në tregun kosovar, ka mjaftuar periudha e “reciprocitetit” që të dyfishonte eksportet krahasuar me një vit më parë.
Reduktim produktiviteti
Kapaciteti prodhues i fabrikave në vend është rreth 1,500,000 tonë/tulla në vit, ndërkohë prodhohet më pak se gjysma, 400,000 tonë/tulla në vit. Kur kriza nuk ishte thelluar në 2007-2008, mbi bazë vjetore prodhohej dhe hidhej në treg rreth 1,000,000 tonë tulla.
Tregu i tullave tashmë është përqendruar drejt operatorëve të vegjël privatë, kryesisht ndërtues të vilave apo komplekseve hoteliere në vend.
Që prej vitit 2008, një nga sektorët më të rëndësishëm për material ndërtimi, po njeh vetëm regres.
Industria është futur në një krizë pa fund si pasojë e uljes së kërkesës për të blerë tulla.
Prodhimi përllogaritet të jetë përgjysmuar krahasuar me 1-2 vjet më parë, ndërkohë që pritshmëritë janë për reduktim të mëtejshëm.
Rënia e blerjes së apartamenteve nga ana e emigrantëve si pasojë e rënies së vazhdueshme të dërgesave të tyre, ka ulur ndjeshëm volumet e ndërtimit të pallateve dhe si pasojë kërkesën për tulla. Efekt të madh negativ po jep edhe rënia e financimeve të huaja në vepra të ndryshme publike, si shkolla, spitale apo vepra të tjera infrastrukturore.
Nga ana tjetër, bankat kanë ulur ndjeshëm kreditë, sidomos për sektorin e ndërtimit, duke e konsideruar me risk financimin e kompanive dhe në të gjitha rastet kërkojnë që projektet të mbështeten nga garanci shumë të forta.
Në një situatë të tillë, 2012-a ishte një vit gati dramatik për prodhuesit e tullave dhe ecuria ka qenë e tillë edhe në 2013.
Fabrikat e prodhimit të tullave jo vetëm që kanë ulur prodhimin, por kanë reduktuar ndjeshëm çmimet.
“Çmimet e tullave janë sot 40% më të lira se 1-2 vite më parë, kjo sepse firmat kanë ulur çmimet me shpresë për të ruajtur shitjet dhe tregjet e tyre”, tregojnë operatorët.
Në kushtet e rritjes së kostos, kryesisht si pasojë e shtrenjtimit të solarit, kompanitë po shesin me çmime në kosto, duke ulur ndjeshëm fitimet e tyre.
Në pjesën më të madhe të fabrikave në vend është reduktuar 30% e stafit ndërsa disa fabrika janë mbyllur.
Tregu vazhdon të vuajë mungesën e madhe për likuiditet si pasojë e uljes së kreditimit, por edhe fenomenit të thelluar të kleringut në këtë sektor.
Nga ndërtuesit po vijnë gjithnjë e më pak para, sepse kanë reduktuar sasinë e blerjes së tullave. Kompanitë e ndërtimit përllogariten të kenë borxhe të mëdha të papaguara te prodhuesit e tullave dhe rreth 70% e borxheve janë në zonën Tiranë-Durrës.
Një ngërç i madh është tkurrja e kredisë bankare, që nëse do të vazhdonte normalisht, do të kishte nxitur më shumë ndërtimin dhe si pasojë do të kishte rritur shitjet për sektorin e tullave.
Fabrikat e reja që kanë nisur tani aktivitetin dhe kanë mbi supe mjaft borxhe, pasi shumë kanë marrë hua bankare, janë në vështirësi për të shlyer huan.
“Fitimet nuk e mbulojnë koston dhe kjo mund t’i çojë në krizë ato”, – thonë operatorët.
Edhe në këtë industri, si shumë të tjera të lidhura me ndërtimin, është i përhapur fenomeni i kleringut, që konfirmon edhe më shumë mungesën e parave në qarkullim.
Ky fenomen ka disa vite që funksion për të gjitha industritë e lidhura me ndërtimin, por tani që likuiditetet janë pakësuar situata është bërë shqetësuese.
Tani janë të shumta apartamentet që nuk shiten, pasi çmimet janë të larta dhe prandaj kompanitë nuk po marrin dot paratë e tyre.
Pjesa më e madhe e prodhuesve të tullave nuk shet më pa para në dorë dhe kleringu pranohet vetëm në rastet kur ndërtimet janë në zona të mira dhe është e lehtë të shiten apartamentet.
Sipas operatorëve, një tjetër motiv pse ra kërkesa për blerjen e tullave është se në qytetet e mëdha në vend është ulur në minimum numri i lejeve të ndërtimit, që do të thotë më pak ndërtime, më pak shitje të industrive që furnizojnë sektorin, por edhe një rritje artificiale të çmimeve të apartamenteve.
Industrialistët thonë se edhe bankat duhet të bëjnë rolin e tyre, sepse ata duhet të ndërhyjnë kur tregu është në nevojë. Ata duhet ta mbështesin kërkesën, duke i dhënë hua konsumit, në mënyrë që të nxisin shitjet e apartamenteve dhe sektorin e ndërtimit në përgjithësi. Një hap i mirë në këtë drejtim është reduktimi i procedurave për dhënien e lejeve të ndërtimit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.