Njeriu më i shpejtë në botë ndalet. Usain Bolt tha mjaft. Botërori i Londrës ishte kompeticioni i fundit në të cilin mori pjesë xhamajkani. Një epilog i trishtë, duke marrë në konsideratë se si u mbyll – vetëm medalje e bronztë në 100-metërsh dhe aksidenti në xhiron e fundit në 4 x 100 me Xhamajkën që synonte një vend në pod.
Megjithatë, Usain Bolt ka qenë një ndër top-atletët botërorë për gati dhjetë vjet. Jo vetëm në pistën e vrapimit, por edhe jashtë saj, sa u përket të ardhurave.
Jeta e xhamajkanit ndryshoi në Lojërat Olimpike Pekin 2008, ku Bolt u shfaq për herë të parë përpara së gjithë botës: tre medalje të arta, tre rekorde botërore. Kjo supremaci e bën Bolt edhe një personazh: në Lojërat e Pekinit, Bolt kishte vetëm dy sponsorë: Puma (që e ka shoqëruar që në moshën 16-veçare) dhe shoqëria telefonike xhamajkane Digicel. Dhe këtu nis gjithçka…
Puma mbetet sponsori kryesor (vlen rreth 10 milionë në vit); këtu përmendim edhe 10 sponsorë globalë (përveç 7 sponsorëve rajonalë): All Nippon Airways, Celcom, Digicel, Gatorade, Hublot, Nissan, Optus, Puma, Regupol, Virgin Media që vlejnë nga 1 në 4 milionë dollarë në vit.
Këto marrëveshje e kanë ngjitur gjithnjë e më shumë Usain Bolt në klasifikimin e atletëve më të paguar në botë. Në vitin 2009, të ardhurat e tij ishin rreth 3 milionë dollarë dhe në tetë vjet, ato thuajse janë dhjetëfishuar.
Sipas Forbes, progresi i Bolt për sa u përket fitimeve ka qenë i madh – nga 20,3 milionë dollarë në vitin 2012 (i renditur në vendin e 63-të ndër 100 sportistët më të paguar) – në 34,2 milionë dollarë në vitin 2017, falë të cilave renditet në vendin e 23-të ndër atletët më të paguar në botë, pranë Jordan Spieth e Conor McGregor.
Viti | Të ardhurat në USD | Pozicioni |
2017 | 34,2 | 23 |
2016 | 32,5 | 32 |
2015 | 21 | 73 |
2014 | 23,2 | 45 |
2013 | 24,2 | 40 |
2012 | 20,3 | 63 |
Pjesa më e madhe e të ardhurave vijnë nga kontratat me sponsorët, sepse të ardhurat nga garat janë vërtet minimale.
Mjaft të mendosh që Federata Xhamajkane e shpërblen “vetëm” 10 mijë dollarë çdo atlet që fiton medalje të artë, ndërsa shpërblimet e caktuara nga IAAF (Federata Ndërkombëtare Atletike) për Botërorin janë 60 mijë dollarë për medalje të artë dhe 100 mijë dollarë në rast se vendos një rekord botëror.
Sipas Forbes, diferenca mes të ardhurave që fiton nga sponsorët dhe garave është e qartë: në vitin 2017, Bolt ka fituar 2,2 milionë dollarë nga çmimet e fituara dhe 32 milionë nga kontratat me sponsorët.
Sa i përket Puma-s, marrëveshja e saj me Usain Bolt do të vazhdojë deri në vitin 2025. Tregues se vijën e finishit e ka arritur, por kronometri (i milionave) vazhdon të vrapojë për Usain Bolt.