Me propozim të grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Komisioni për Ekonominë dhe Financat dhe Ministria e Financave kanë rënë dakord që të ulin tarifën doganore për ushqimin për shpendët. Tashmë tarifat doganore do të zerohen, duke i ardhur në ndihmë të gjithë personave që merren me mbarështimin e gjedhëve dhe të shpendëve që të rrisin veprimtarinë e tyre ekonomike dhe cilësinë e produkteve që ata tregtojnë.
Deputeti i LSI-së, Gledjon Rehovica i propozoi anëtarëve të Komisioni për Ekonominë dhe Financat që në kuadër të paketës fiskale për bujqësinë, që përveç taksës doganore për gjedhët dhe për kafshët për majmërinë e ushqimit, të shtohej dhe ajo për shpendët.
Në një prononcim për mediat, z. Rehovica theksoi se ulja e tarifave doganore për ushqimin për shpendët do të ndikojë në rritjen e cilësisë si dhe në uljen e kostove të prodhimit të vezës dhe të mishit të pulës për konsum.
“Në kuadër të paketës së bujqësisë, në paketën fiskale kemi propozuar një shtesë për paketën në bujqësi që përveç taksës doganore për gjedhët dhe për kafshët për majmërinë e ushqimit, të futen edhe shpendët. Mishi i pulës në Shqipëri është ushqimi që konsumohet më shumë dhe ka sasi konsumimi më shumë se sa kafshët. Kjo do të ndikojë në rritjen e cilësisë së pulës dhe në uljen e kostove për prodhimin e vezës dhe të pulës për konsumin për mish. Falënderojmë komisionin për mbështetjen. Kjo do të jetë një ndihmë tjetër shtesë në kuadër të paketës për bujqësinë që do t’i vijë në ndihmë jo vetëm pularive, por edhe popullatës dhe bujqve që mbarështojnë pulat”, tha z. Rehovica.
Në emër të grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, deputeti Gledjon Rehovica, garantoi për mbështetjen e vazhdueshme të fermerëve shqiptarë dhe për krijimin e të gjitha lehtësirave ligjore për zhvillimin e brandeve shqiptare në bujqësi dhe në blegtori.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.