Dubrovniku, Kroaci – Në Europë, Amerikën e Veriut, Afrikë e Azi ka disa qytete mesjetare, shumë prej të cilave me muret ende të padëmtuara.
Dubrovniku, në detin Adriatik, është bërë i famshëm në gjithë botën pasi në të u xhirua filmi “Game of Thrones”.
Pjesa më e madhe e mureve dhe fortifikimeve ekzistuese që rrethojnë qendrën e vjetër të Dubrovnikut u ndërtuan gjatë shekujve 14 – 15, por disa pjesë u zgjeruan dhe forcuan deri në shekullin e 17.
Xi’an, Kinë – Qyteti i lashtë Xi’an ka një histori që daton 3 mijë vjet më parë. Muri i qytetit (në foto është paraqitur Porta e Jugut) – shtrihet përgjatë 14 kilometrave.
Të ecësh përgjatë majës së murit të qytetit, i lartë 12 metra, është një mënyrë e mirë për të parë një perspektivë të qytetit, edhe pse turistët do t’i shihni më shpesh me biçikleta.
Carcassone, Francë – Qyteti i fortifikuar Carcassone në jug të Francës u ndërtua fillimisht gjatë kohërave galo-romane dhe u zhvillua në shekujt 14 – 15.
Carcassone u klasifikua moment i mbrojtur në vitin 1849 dhe arkitekti Eugene Viollet-le-Duc u ngarkua për ta restauruar atë. Puna e tij ishte një nga arsyet për përfshirjen e Carcassone në listën e Trashëgimisë Botërore të Njerëzimit.
Pingyao, Kinë – I ndodhur në provincën Shanxi, qyteti kinez Pingyao i shekullit 14, dikur ishte qendra kryesore financiare e Kinës, me gjysmën e bankave të vendit të vendosura atje.
Sot ruan arkitekturën dhe imazhin e dinastive Ming e Qing dhe për këtë, së bashku me muret mbresëlënëse të qytetit është bërë pjesë e Trashëgimisë Botërore të Njerëzimit në vitin 1997.
York, Angli – 3.4 kilometra, York ka murin më të gjatë mesjetar në Angli. Fortifikimi i ruajtur mirë krijon një shteg piktoresk 2-orësh rreth qytetit, pjesë e Trashëgimisë së UNESCO-s.
Quebec City, Kanada – Ecja përgjatë mureve të qytetit 4.6 kilometra dhe nëpërmjet portave të Quebec të vjetër është një përvojë historike. Quebec City është një nga të paktat qytete në Amerikën e Veriut që ka ruajtur linjën e saj të mbrojtjes.
I krijuar në vitin 1608, Quebec është një nga qytetet më të vjetra të Amerikës së Veriut. Muret e qytetit u bënë pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në vitin 1985.
Obidos, Portugali – I rrethuar nga mure mesjetare, qyteti Obidos, në kodër, me kështjellën e tij maure u rimor nga mbreti i parë i Portugalisë, D. Afonso Henriques, në vitin 1148, dhe që atëherë deri në vitin 1883 është bërë pronë e mbretëreshave të Portugalisë.
Turistët që duan të përjetojnë atmosferën mesjetare, duhet ta vizitojnë atë gjatë korrikut, kur zhvillohet Mercado Medieval – për dy javë kështjella mirëpret një treg mesjetar me flamuj heraldikë, zhonglerë, muzikantë dhe bankete të ndryshme.
Taroudant, Marok – Taroudant ka qenë për pak kohë kryeqyteti i Marokut gjatë dinastisë Saadi në shekullin e 16. Për shkak të ngjashmërisë vizuale me kryeqytetin modern të Marokut, qyteti njihet si “Gjyshja e Marrakeshit”.
Mystras, Greqi – Në malin Taygetos pranë Spartës, në Peloponez, gjendet thesari arkeologjik që është qyteti i braktisur i Mystras, ku perandori i fundit Kostandini XI Palaiologos u kurorëzua në vitin 1449.
Kisha e Shën Sofisë në foto është një nga vendet e shumta religjioze të Mystras. Një tjetër kishë, Zonja Jonë Peribleptos është e dekoruar me afreske të rralla bizantine.
Avila, Spanjë – Në këtë foto tregohet Avila kur ishte një pikë referimi e rrugës së Vuelta, një garë çiklizmi në Spanjë, shtrihet në një grykë shkëmbore mbi lumin Adaja.
Me 88 gjysmë-kulla përgjatë perimetrit 2.5 kilometra, muret krijojnë një peizazh të mrekullueshëm.
Burimi: CNN