Mbështetja e BE-së për vendet në zhvillim është rritur. Duhen bindur qytetarët e BE-së se çdo euro shkon edhe në dobi të tyre. Prosperiteti mund të arrihet vetëm kur dhe fqinjët tanë prosperojnë…
Ministri i Ekonomisë dhe Zhvillimit Italian, Pier Carlo Padoan, ka pohuar në takimin e 38 vjetor të Fondit Ndërkombëtar për Zhvillimin Rural (IFAD) se 2015-a do të jetë viti i zhvillimit dhe Italia është e gatshme të bëjë pjesën e saj.
Padoan ka theksuar se IFAD po kontribuon konkretisht në reduktimin e varfërisë në zonat rurale dhe po luan një rol të rëndësishëm në ruajtjen e sigurisë ushqimore si një prioritet të axhendës post 2015. Ministri e ka vënë theksin dhe në partneritetin mes Bashkimit Europian dhe IFAD: “Vlerësojmë bashkëpunimin mes IFAD dhe BE”, ka pohuar ai. Ky bashkëpunim lidhet dhe me faktin që 2015-a është deklaruar si Viti Europian për Zhvillimin. “Është hera e parë që një vit europian ka një perspektivë kaq të gjerë” ka theksuar ai.
2015-a do të jetë edhe viti i EXPO në Milano, në Itali. “Një rast për të reflektuar mbi kontraditat e botës tonë. Nga njëra anë, rreth 800 milionë persona janë të nënushqyer; shumë persona vdesin nga sëmundje të lidhura me të kequshqyerit dhe nga ana tjetër një e treta e ushqimit në vendet e pasura humb ose shpërdorohet. Për të zgjidhur këto kontradita duhet të bëjmë zgjedhje politike të ndërgjegjshme dhe të sensibilizojmë konsumatorët”.
Padoan ka pohuar se mbështetja e BE-së për vendet në zhvillim është rritur. Duhen bindur qytetarët e BE-së se çdo euro shkon edhe në dobi të tyre. “Prosperiteti mund të arrihet vetëm kur dhe fqinjët tanë prosperojnë,” tha ai.
Ai ka konkluduar: “Kemi vite të vështira përpara nesh. Duhet të formojmë një partneritet të ri global për eliminimin e varfërisë dhe për zhvillimin e qëndrueshëm. Të gjithë duhet të kontribuojmë. Italia është gati të bëjë pjesën e saj”.
IFAD investon në popullsinë rurale duke u mundësuar atyre të reduktojnë varfërinë, të rrisin sigurinë ushqimore, të përmirësojnë nivelet e ushqimit dhe të rrisin rezistencën. Që nga viti 1978 janë investuar mbi 16.3 miliardë dollarë, nga të cilat kanë përfituar rreth 438 milionë persona. IFAD është një institucion financiar ndërkombëtar dhe një agjenci e specializuar e Kombeve të Bashkuara me seli në Romë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.