Gjatë vitit 2016, rezerva valutore e vendit është shtuar me rreth 63 milionë euro ose 2.1%.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në fund të dhjetorit 2016, stoku i rezervës valutore rezultoi 2,9 miliardë euro. Përbërja sipas monedhave e rezervës valutore ishte: USD 22.2%; EUR 62.7%; GBP 2.8%; JPY 2.4%; AUD 1.4%; SDR 6.1%; Ar 1.9%; RMB 0.5%.
Në fund të vitit 2016, rezerva valutore është e investuar në aktive likuide, kryesisht me afat maturimi 0-3 vjet.
Pesha e instrumenteve të borxhit me afat mbi 5 vjet nuk tejkalon 2.5% të portofolit të rezervës. Portofoli i administruar nga administratori i jashtëm (Banka Botërore), është investuar kundrejt një portofoli referencë 0-3 vjet, kryesisht në instrumente borxhi të emetuara nga qeveria
Më shumë se 90% e portofolit të rezervës valutore rezulton e investuar në institucione me renditje të cilësisë së lartë (klasa AAA dhe AA).
Pjesa kryesore e aktiveve në të cilat është investuar rezerva përfaqësohet nga instrumentet e borxhit të emetuara nga qeveritë/banka qendrore (66%), ndjekur nga institucionet shumëpalëshe (11%), agjenci (9%), banka/institucione të tjera financiare (7%), institucione të garantuara nga qeveritë (4%) dhe autoritete.
Në bashkëpunim me ekspertët e Bankës Botërore u realizua rivlerësimi i metodologjisë dhe kritereve të zbatuara nga Banka e Shqipërisë për përcaktimin dhe madhësinë e përbërjes sipas monedhave të transheve të rezervës valutore.
Për sa i takon bazës rregullative ku mbështetet zhvillimi i aktivitetit të administrimit të rezervës valutore, në shtator të vitit të kaluar Banka e Shqipërisë realizoi një ndryshim në politikën e investimit për administrimin e rezervës valutore, duke marrë shkas dhe nga vendimi i FMN-së për përfshirjen e monedhës kineze (RMB) në shportën e SDR-së.
Përmes këtij ndryshimi u konfirmua vijueshmëria e zbatimit të kritereve ekzistuese, ku përbërja e transhit të investimit është e përcaktuar kryesisht nga përbërja e shportës së SDR-së. BSH miratoi propozimin që pesha e monedhës RMB, si pjesë e shportës së SDR-së, të shpërndahej në dy monedhat, atë kineze (RMB) dhe dollarin australian (AUD).
Përbërja e re e transhit të investimit përfaqëson një lëvizje diversifikuese drejt investimit në një monedhë të re të një vendi anëtar të G10-s, si dhe marrjen e një ekspozimi në tregjet në zhvillim.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.