Çdo sektor po diskuton ndikimin e inteligjencës artificiale.
Ka kaq shumë zhurmë për të ardhmen e punës – nga përfshirja e ChatGPT, deri te administrimi i ekipeve të punës në distancë. Si përkthehet kjo mënyrë e re e punës, në atë që organizatat kërkojnë nga kandidatët e mundshëm?
Jennifer Lewi, trajnere dhe stratege karriere, ka zbuluar se rekrutuesit po bëjnë një gamë të re pyetjesh, që lidhen me të ardhmen e punës.
Nëse jeni duke u përgatitur për një intervistë, mendoni se si t’i përgjigjeni tre pyetjeve të mëposhtme, që rekrutuesit po bëjnë ditët e sotme – dhe si të shfaqni pikat e forta në përgjigje.
1. Si qëndroni të lidhur në një mjedis hibrid apo në distancë?
Shumë rekrutues besojnë se kultura organizative dhe gjetja e kandidatit të duhur, që i përshtatet asaj kulture, nuk ka qenë kurrë më kritike se sot.
Kjo do të thotë, që menaxherët e punësimit, po shpenzojnë më shumë kohë për t’i njohur kandidatët.
Lidhja me kolegët është thelbësore për të krijuar kulturë organizative bashkëpunuese, megjithatë shumë prej nesh kalojnë orë të tëra, duke punuar larg njëri-tjetrit dhe në takime virtuale.
Ato biseda informale por domethënëse në korridor, nuk janë më aq të zakonshme. Prandaj, në intervista, kandidatët duhet të presin pyetje se si ata qëndrojnë të lidhur dhe arrijnë të kryejnë më së miri punën, në një mjedis në distancë ose hibrid.
Ata mund të dallojnë veten, duke identifikuar praktika për të qëndruar të lidhur.
Koha e përkushtuar virtuale me anëtarët e ekipit, është me rëndësi parësore. Koha në zyrë pa takime virtuale, dhënia e prioriteteve për t’u takuar personalisht, janë disa praktika që ia vlen të përmenden.
2. Si e mbështetni diversitetin, barazinë dhe përfshirjen?
Gjithnjë e më shumë organizata, po angazhohen për të krijuar diversitet, barazi dhe të sigurojnë gjithëpërfshirje (Diversity, Equity & Inclusion, DEI), dhe shumë prej tyre po shtojnë burime për t’i arritur ato qëllime.
Kandidatët duhet të përgatiten për pyetje se si ata kontribuojnë në krijimin e mjediseve gjithëpërfshirëse dhe mbështesin DEI.
Si kandidat, është e rëndësishme të vlerësoni se ku ndodhet organizata ku synoni të punoni, në udhëtimin e saj të DEI.
“Ka pasur shumë raste, veçanërisht që nga ngjarjet e 2020, ku organizatat kanë bërë të pamundurën për te vepruar drejt lidhur me përfshirjen, diversitetin dhe barazinë,” thotë drejtuesja e talenteve, Myra Briggs.
Briggs beson se është thelbësore për të gjithë kandidatët, por veçanërisht kandidatët me ngjyrë, të kuptojnë përkushtimin e organizatës ndaj DEI dhe se si ato përshtaten në të.
Në mënyrë të ngjashme, organizatat e përkushtuara ndaj DEI, duhet të besojnë se diversiteti i mendimit është i dobishëm për organizatën dhe ekipet, kështu që ata do të përqendrohen në këto pyetje me kandidatët, gjatë procesit të intervistës.
3. Sa të hapur jeni për punët që përfshijnë teknologji të reja si ChatGPT?
Çdo sektor po diskuton ndikimin e inteligjencës artificiale (IA) në ekonomi, vendet e punës dhe të ardhmen.
Megjithatë, edhe pse është një çështje e shumëpërfolur, nuk kemi ende tablonë e plotë të ndikimit të IA për asnjë industri.
“Nëse ata nuk janë inxhinierë softuerësh ose aplikantë në sektorin e teknologjisë, kandidatët duhet të kuptojnë se kushdo që po i interviston ata, ndoshta nuk është ekspert në IA.
Pra, organizatat po shikojnë qëndrimin e një kandidati dhe jo vetëm aftësinë e tyre.
Kandidatët duhet të tregojnë se mund të mendojnë për IA në mënyrë strategjike, si pjesë e ekipit,” thotë Margo Christou, themeluese dhe drejtoreshë e firmës së kërkimit Conexa Search.
Kandidatët duhet të tregojnë, se janë të hapur për të punuar me teknologjinë dhe IA, ndërsa kuptojnë se nuk kanë nevojë të kenë të gjitha përgjigjet.
Disa industri, si kujdesi shëndetësor dhe shërbimet financiare, kanë qenë zbatues të hershëm të IA.
Christou thotë, “Nëse po shkoni në një intervistë në industri, që kanë zbatuar tashmë IA, duhet të paktën të lexoni se çfarë po ndodh dhe të mësoni rreth teknologjisë së inteligjencës artificiale, që përdoret në atë industri.”
Ndërsa këto janë disa nga pyetjet e reja, që rekrutuesit po bëjnë kohët e sotme, kandidatët duhet të jenë ende të përgatitur për pyetje më tradicionale, si identifikimi i qëllimeve, pikave të forta dhe të dobëta të karrierës së tyre.
Megjithatë, siç thekson Briggs, “Ka një luftë të vërtetë për talentin. Dorëheqja e Madhe (The Big Layoff) i ka bërë punëdhënësit të kuptojnë se ky proces intervistimi dhe kërkimi i punës, është një rrugë e dyanshme.”
Kjo do të thotë, që kandidatët duhet të jenë të gatshëm të kenë biseda të vërteta, në të cilat ata mund të kuptojnë më mirë organizatën dhe organizata mund ta kuptojë më mirë kandidatin.
Dhe nëse nuk ju bëhet një nga këto tre pyetje? Bëjini ju. Do të tregoni se jeni të përgatitur dhe në dijeni me temat më kritike, që ndikojnë në botën e punës sot. / Fast Company