18 Prilli shënoi Ditën Ndërkombëtare të Monumenteve dhe të Vendeve të Trashëgimisë.
E miratuar zyrtarisht nga UNESCO gjatë Konferencës së 22-të të Përgjithshme në vitin 1982, në këtë datë çdo vit zhvillohen aktivitete për të rritur ndërgjegjësimin për trashëgiminë në mbarë botën.
Tema e vitit 2022 është: “Trashëgimia dhe Klima”.
Këshilli Ndërkombëtar i Monumenteve dhe Vendeve të Trashëgimisë merr pjesë në mbrojtjen e Trashëgimisë dhe në promovimin e kësaj dite ndërkombëtare.
Sipas Komitetit të Trashëgimisë Europiane, shtatë prej vendeve të trashëgimisë së çmuar të Europës janë të rrezikuara.
Shtatë monumentet dhe vendet e trashëgimisë më të rrezikuara në Europë për vitin 2022 u shpallën nga përfaqësuesit e Europa Nostra, një federatë për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, si dhe nga Instituti i Bankës Europiane të Investimeve.
“Këto vende kërcënohen nga neglizhenca, prishja e planifikuar, zhvillimi i papërshtatshëm, ndikimi shkatërrues i fatkeqësive natyrore ose nga mungesa e financimit” tha Prof. Dr. Hermann Parzinger, president ekzekutiv i Europa Nostra.
“Me publikimin e kësaj liste, ne dëshirojmë të dërgojmë një mesazh të fortë solidariteti dhe mbështetjeje për komunitetet lokale dhe aktivistët e trashëgimisë, të cilët janë mobilizuar për të shpëtuar këto vende të rrezikuara.”
“Trashëgimia kulturore e Europës duhet të ruhet jo vetëm si një dëshmi e së kaluarës, kujtesës dhe identitetit tonë të përbashkët, por edhe si një katalizator për zhvillimin e qëndrueshëm, kohezionin social dhe bashkëjetesën paqësore kaq të nevojshme,” përfundoi ai.
Ura e Zogut, Shqipëri
Kjo pjesë e zymtë infrastrukturore gdhend peizazhin e lumit Mat në Shqipërinë e Veriut. Ura e Zogut ishte shumë e përparuar për kohën e saj kur u ndërtua në vitin 1927, me gjatësi mbresëlënëse dhe harqet e saj prej çeliku.
Por pavarësisht madhështisë së saj – aq të madhe sa Shqipëria e shpalli atë Monument Kulture të Kategorisë së Parë – ura tashmë është në rrënim. Ndërtimi i dy urave të tjera më tej përgjatë lumit ka bërë që Ura e Zogut të mos përdoret më dhe, si rrjedhojë, të mos mirëmbahet siç duhet.
Turistët vazhdojnë ta vizitojnë rregullisht këtë urë, por ajo rrezikon të shembet pasi një nga kolonat është në prag të shkatërrimit.
Manastiri Récollets, Belgjikë
Në qytetin Nivelles, në jug të Brukselit, ndodhet manastiri Récollets. I ndërtuar në vitin e largët 1524, ai është shembulli i vetëm i ruajtur plotësisht i arkitekturës françeskane në Belgjikë. Manastiri është një vend paqësor, ku mendimet tuaja enden nëpër korridore krahas historisë së gjatë të këtij vendi.
Megjithëse pjesa e kishës gotike të manastirit u restaurua në vitin 1970 dhe është në gjendje të mirë, pjesa tjetër e kompleksit tani është duke u rrënuar. Frika më e madhe për manastirin vjen nga fakti se një zhvillues i pasurive të paluajtshme bleu një pjesë të madhe të kompleksit në vitin 2017. Një projekt i ri, i cili ka marrë mbështetjen e autoriteteve lokale, mund ta shkatërrojë vendin historik për të ndërtuar një grup apartamentesh moderne.
Garden City La Butte Rouge, Francë
Në jug të Parisit gjendet kopshti madhështor La Butte Rouge. Si pjesë e një projekti që u zhvillua midis viteve 1931 dhe 1965, arkitektët dhe kopshtarët punuan së bashku për të krijuar një koncept të ri të banesave sociale. Plot 4,000 apartamente ndajnë një hapësirë të gjelbër prej 70 hektarësh, e cila është frymëzuar nga shkollat estetike Moderne, Art Deco dhe Bauhaus.
Si një ide revolucionare për kohën, koncepti ishte krijimi i banesave sociale që ishin në kontakt me natyrën dhe artin. Por, autoriteti lokal i Châtenay-Malabry dëshiron ta shkatërrojë këtë qytet-kopsht. Rreth 85 për qind e ndërtesave janë në rrezik prishjeje, gjë e cila jo vetëm do të sillte fundin e një pjese mahnitëse të arkitekturës historike, por do të zhvendoste edhe mijëra banorë që jetojnë në këto ndërtesa.
Qendra Historike e Stolberg, Gjermani
Stolberg është një nga ato qytetet e vogla gjermane që të çon menjëherë në të kaluarën industriale dhe të zellshme të vendit. Me një nga rrugët e vetme kryesore të qendrës historike të Gjermanisë që i mbijetoi Luftës së Dytë Botërore, ky qytet është një perlë e rrallë për të gjithë zonën.
Por, kjo perlë mbeti e tillë deri në përmbytjet vdekjeprurëse të verës së vitit 2021. Kur uji i rrëmbyeshëm doli nga shtrati i lumit Vicht, u dëmtuan rreth 266 ndërtesa në Stolberg. Qyteti i shkatërruar nga katastrofat klimatike ka nevojë urgjente për ndihmë për t’u rindërtuar dhe për të qenë i mbrojtur në të ardhmen nga katastrofa të ngjashme.
Banjat e Neptunit, Rumani
Spa-të termale të Rumanisë janë një nga atraksionet më të mëdha për këdo që kërkon të kalojë pak kohë në një komfort luksoz. I vendosur mes një gryke malore dhe lumit Cema ndodhet Băile Herculane, një qytet termal i cili daton që në vitin 153 pas Krishtit.
Băile Herculane ka kaluar nëpër ndryshime të shumta përgjatë historisë, që nga themeluesit e saj romakë e deri në epokën aktuale rumune. Banjat aktuale u ndërtuan në vitin 1883 dhe ishin spa-të më moderne të Europës për kohën, duke sjellë vizitorë të shumtë në këtë vend, përfshirë familjen mbretërore Habsburge dhe Perandorin dhe Perandoreshën e Austrisë.
Resorti është braktisur që nga rënia e komunizmit në vitin 1989 dhe, në vitin 2019, dy nga muret dhe një çati u shembën, ndërsa një mur tjetër u shemb në vitin 2021. Kjo zonë ka nevojë urgjente për ndëhyrje, përpara se të shkatërrohet totalisht.
Pallati Orléans-Borbón, Spanjë
Rezidenca verore e dikurshme e familjes së Dukës të Montpensier, Pallati Orléans-Borbón pranë Cádiz është një ndërtesë e mesit të shekullit të 19-të ku ndërthuren stilet ekspresive, duke përfshirë arkitekturën neo-maure, neo-arabe dhe një kopsht të influencuar nga arkitektura romantike.
Familjes iu desh të largohej me nxitim në vitin 1955 kur shkuan në mërgim. Që atëherë, kjo ndërtesë është shkatërruar dalëngadalë. E rinovuar për herë të fundit në vitet ’90, pavarësisht faktit se është në pronësinë e bashkisë, nuk ka pasur asnjë ngutje për të restauruar apo për të riparuar këtë ndërtesë dekadente.
Kalaja Crèvecoeur, Holandë
Në Den Bosch ndodhet një pjesë e historisë së fillimeve të shtetit të Holandës. E ndërtuar në vitin 1587, Kalaja Crèvecoeur ishte një bastion ushtarak për holandezët gjatë rrethimit të vitit 1629 të Hertogenbosch në luftën me spanjollët. Ajo u përdor përsëri gjatë Luftës së Dytë Botërore nga gjermanët si një bazë ushtarake.
Pavarësisht faktit se është në pronësinë e Ministrisë Holandeze të Mbrojtjes, kjo kala sot është e braktisur. Strukturat e saj janë duke u shkatërruar dhe kanë nevojë për një restaurim urgjent, përpara se dëmi të jetë i pakthyeshëm. Megjithatë, ka disa plane për krijimin e një parku të ri që do të përdorë veçoritë historike mbrojtëse për të ndihmuar në menaxhimin e ujit, në përpjekje për të ndaluar dëmtimin e mëtejshëm të kalasë. / Euronews