Tregtia rajonale
Përmirësimi i marrëdhënieve diplomatike me Serbinë dhe kurorëzimi i nismës rajonale Ballkani i Hapur (Open Balkan) e ka rritur ndjeshëm volumin tregtar ndërmjet vendeve, sidomos me Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut, pjesë e nismës.
Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se gjatë 4-mujorit të parë këtij viti, deficiti tregtar me Serbinë është rritur ndjeshëm që nga viti 2017 kur mori formë ideja e tregut të përbashkët, ndërsa për të njëjtën periudhë shihet që bilanci tregtar me Maqedoninë e Veriut është përmirësuar.
Të dhënat e INSTAT tregojnë se deficiti tregtar në 4-mujorin 2022 arriti në 8.7 miliardë lekë, duke u zgjeruar me 48 për qind që nga viti 2017. Importet serbe në Shqipëri arritën 16.7 miliardë lekë në 4-mujorin e parë 2022, duke shënuar rritje me 128% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2017. Rritje më të lartë kanë shënuar importet e energjisë, drithërave, pijeve etj.
Në katër muajt e parë të vitit 2022, importet e energjisë shënuan rritje vjetore me 191 për qind. Por, kjo rritje erdhi më shumë prej çmimeve të larta, se sa prej rritjes së sasisë.
Gjithashtu, importet e drithërave në vlerë, produkti i dytë më i importuar nga Serbia shënoi rritje vjetore me 48% në 4-mujorin e parë të vitit 2022 në raport me të njëjtën periudhe të vitit 2021.
Ndërsa eksportet shqiptare gjatë janar-prill 2022 shënuan një vlerë prej 8 miliardë lekësh, duke u zgjeruar me 465% në krahasim me vitin 2017. Në raport me 4-mujorin e parë të vitit 2021 rritja ishte 164%.
Balanca tregtare me Maqedoninë u përmirësua ndjeshëm në katërmujorin e parë të vitit 2022, pasi eksportet tona në Maqedoni u rriten me ritme të më larta se importet. Në janar-prill të këtij viti importet nga Maqedonia e Veriut arritën në 4.8 miliardë lekë, duke u zgjeruar me 98 % nga viti 2017.
Importet nga Maqedonia e Veriut dominohen nga grupi i lëndëve djegëse, mineralet dhe energjisë dhe materialet e ndërtimit etj, ndërsa eksportet shqiptare në Maqedoni u dominuan në katër-mujorin e parë të vitit 2022 nga hekuri, lëndët djegëse dhe energjia dhe zarzavatet.
Në janar-prill 2022, tregtia me Maqedoninë ishte në suficit me një vlerë prej 1,3 miliardë lekësh. Përgjatë 2017-2022, tregtia Shqipëri – Maqedoni ka qenë deficitare për Shqipërinë përveç 4-mujorit të parë 2019 dhe të parit 2022.
Nisma e Ballkanit të hapur ka si qëllim lëvizjen e lirë të mallrave dhe të njerëzve. Mirëpo bizneset prodhuese në Shqipëri janë të shqetësuara për rritjen e konkurrencës.
Sektori ynë bujqësor vuan nga mungesa e subvencioneve, ndaj produktet serbe sidomos ato të bulmetit kanë nisur që tani të konkurrojnë fermat shqiptare. Fabrikat e përpunimit të qumështit kanë nisur të furnizohen në Serbi me lëndë të parë.
Burimi: INSTAT