Bullgaria, “perla e fshehur”, mund të jetë një lider rajonal
Milena Stoycheva është një sipërmarrëse, e cila në qershor 2023 u bë ministrja e Risisë e Bullgarisë. Ajo ka vendosur ta bëjë vendin një qendër rajonale për biznesin e teknologjisë së lartë.
Thuhet se nga krizat lindin mundësi dhe ministrja bullgare e Risisë dhe Rritjes, e vetëpërshkruar si “prodhuese politikash”, është gati ta kapë mundësinë me të dy duart.
Milena Stoycheva e mori përsipër detyrën në qershor të vitit të kaluar, pas një periudhe të gjatë ngërçi politik. Vendi kishte qenë pa një qeveri të qëndrueshme për dy vjet dhe kishte mbajtur pesë zgjedhje. Më pas ngërçi u thye kur u krijua një sistem i ndërrimit të kryeministrave me rotacion, për të kënaqur palët kundërshtare. Shumë njerëz të rinj u caktuan në qeveri.
Stoycheva ishte një prej tyre. Ajo ka një përvojë të gjatë në bizneset e reja dhe ka punuar në Institutin Europian të Risisë dhe Teknologjisë (EIT). Emërimi si ministre ishte pozicioni i saj i parë në politikë.
“E pranova punën sepse mendoj se i detyrohem vendit tim, ekosistemit, talentit dhe do të përpiqem në maksimum ta bëj Bullgarinë një qendër të risisë”, tha ajo për revistën “Science Business”. “Por unë nuk do të ndryshoj karakterin tim. E shoh veten më shumë si një ‘prodhuese politikash’”.
Në terma praktikë, kjo do të thotë të pranosh faktin se duhet braktisur qasja e vjetër që e ka lënë Bullgarinë pas shumicës së homologëve të saj të BE-së në risi.
“Nëse duam të jemi novatorë, e gjithë administrata duhet të ndryshojë”, tha Stoycheva. Kjo do të thotë se kompanitë private duhet të përqafojnë kërkimin dhe zhvillimin, dhe sektori publik duhet të përqafojë risinë. “Është thelbësore që ministritë të jenë agjentët e ndryshimit”, tha ajo.
Performanca e Bullgarisë në fushën e risisë është e dyta më e ulëta midis vendeve anëtare të BE-së, sipas Tabelës Europiane të Risisë, duke lënë mbrapa vetëm Rumaninë. Është një nga gjashtë shtetet e BE-së të klasifikuara si një “novator në zhvillim”, kategoria më e ulët në tabelë.
Disa nga dobësitë kryesore të Bullgarisë, siç theksohen nga tabela, janë mungesa e stimujve ose e mbështetjes nga qeveria për të nxitur investimet private në kërkim dhe zhvillim, si dhe shpenzime të ulëta publike në kërkim dhe zhvillim.
Kjo do të thotë se vendi ka një rrugë të gjatë për të bërë, por ministrja Stoycheva është ambicioze. Ajo beson se Bullgaria mund të jetë një novatore kryesore në Europë dhe synon ta pozicionojë atë si një lider midis shteteve të Europës Qendrore, Jugore dhe Lindore.
Marrëveshjet e risisë
Ministrja Stoycheva nënshkroi marrëveshjen e saj të parë me një homolog të huaj tetorin e kaluar, duke rënë dakord për një memorandum mirëkuptimi me Rumaninë, për të punuar së bashku në risi, dixhitalizim, zhvillimin e startup-eve dhe kërkim.
Më shumë marrëveshje do të pasojnë, dhe në vijim do të mbyllet një marrëveshje e ngjashme me Greqinë, ndërsa po bëhen edhe bisedime me Slloveninë dhe Kroacinë. Priten bashkëpunime të mëtejshme me vende si Finlanda, Egjipti, Gjeorgjia, tha Stojçeva.
“Ne po jetojmë në epokën e marrëveshjeve dhe bashkëpunimit dhe është koha që Europa të fillojë t’i shikojë anëtarët jo si konkurrentë, por si bashkëpunëtorë”, tha ajo.
Stoycheva shpreson të mbledhë ministrat e Risisë nga vendet fqinje për një takim në Sofje në fund të prillit, për të nxitur idenë e forcimit të risisë në rajon.
“Mendoj se kemi një mundësi të shkëlqyer për t’u bashkuar dhe për të zhvilluar një zinxhir furnizimi në disa nga këta sektorë të rinj teknologjikë, për të krijuar një propozim më të madh të vlerës së përbashkët për Europën. Ne mund të rrisim konkurrencën europiane”, tha ajo.
Por përpara se Bullgaria të mirëpresë fqinjët dhe të marrë statusin si lider rajonal në risi, ajo duhet të rregullojë më parë shtëpinë e vet. Detyra e parë e ministres Stojçeva në qeveri ishte të vlerësonte se cilët faktorë po e pengojnë Bullgarinë. Sfida nuk është e vogël.
Ajo përmend burokracitë dhe rregulloret që pengojnë firmat start-up, si dhe mungesën e lidhjes mes botës së kërkimit dhe biznesit. Në Bullgari dhe në Europë në përgjithësi, ka shumë “shkencë teorike”, thotë Stojçeva. Duhet bërë më shumë për të zbatuar kërkimin në treg.
Bullgaria po punon për formimin e një fondi të përbashkët të transferimit të teknologjisë me Rumaninë dhe Fondin Europian të Investimeve (EIF), duke krijuar një fond të përbashkët parash, për të ndihmuar komercializimin e produkteve që vijnë nga universitetet. Modeli u krijua nga Kroacia, Sllovenia dhe EIF-ja, kur ato krijuan platformën e parë shumëkombëshe të transferimit të teknologjisë së BE-së në vitin 2021, me emrin Transferimi i Teknologjisë në Europën Qendrore-Lindore.
Bullgaria do të nisë gjithashtu një program pilot për të ndihmuar firmat e saj startup të aplikojnë për financimin e Këshillit Europian të Risisë, nëpërmjet një ortakërie tjetër të përbashkët midis EIF-së dhe Bankës Europiane të Investimeve.
Pjesë e kësaj pakete është një marrëveshje midis BEI-së dhe Bankës së Bashkuar Bullgare, për të zhbllokuar financimin prej rreth 150 milionë eurosh për kompanitë me kapital të mesëm.