INSTAT:
Inflacioni kalon 4%
Inflacioni ka shënuar rritje tjetër nëse krahasohet me janarin, duke dalë jashtë parashikimeve në vlerën 4.4%. Ajo që vihet re është rillogaritja që INSTAT-i i ka bërë inflacionit të janarit, i cili pa faturën e rritur të energjisë shënonte 3.6%, kurse me këtë faturë dhe me rritjen e produkteve të tjera të shportës është llogaritur 4.1%. Indeksi i grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” në shkurt shënoi rritje 2.4 për qind, me një ndikim prej 0.9 përqindësh në totalin e ndryshimit mujor. Brenda këtij grupi, rritja më e madhe prej 13.2 përqindësh vërehet në nëngrupin “Zarzavate përfshirë patatet”, ndërkohë që përjashtim nuk kanë bërë as çmimet e nëngrupit “Fruta”, të cilat shënuan rritje prej 1.3 përqindësh. Në këtë linjë ka ecur edhe grupi “Pije alkoolike dhe duhan”, së bashku me “Transportin”, që shënuan rritje prej 0.3%, kurse indeksi i grupit “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” shënoi rritje prej 0.1 përqindësh, ku mund të veçojmë rritjen e çmimit të gazit të lëngshëm me 3.8 për qind. Në këtë grup, vetëm çmimi i energjisë shënoi rritje 13.1 për qind në janar, duke dhënë ndikim prej 0.5 përqindësh në totalin e ndryshimit të indeksit të çmimit të konsumit. Edhe pse shumica e çmimeve për artikujt e shportës ka shënuar rritje, disa grupe kanë pësuar ulje të çmimit. Të tilla kanë qenë çmimet në disa nëngrupe, si “Peshk” me 1.2 për qind, “Vajra dhe yndyra” 0.5 për qind, “Qumësht, djathë e vezë” 0.5 për qind. Edhe indeksi i grupit “Veshje dhe këpucë” shënoi ulje prej 0.5 përqindësh.
Fullani:
Sistemi bankar, i shëndetshëm
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, tha se vendi në vitin 2010 është përpara nevojës për një politikë fiskale më konservatore. Për sa i përket inflacionit të çmimeve të konsumit, ai tha se do të zbresë. Gjithashtu, guvernatori bëri të ditur se gjatë bisedimeve me Fondin Monetar Ndërkombëtar është vlerësuar rritja ekonomike e Shqipërisë. “Sistemi bankar mbetet i shëndetshëm dhe i mirëkapitalizuar dhe inflacioni në vitin 2009 ishte mesatarisht 2-3%. Përpos kësaj, edhe bilancet e jashtme kanë shfaqur shenja konsolidimi”, sqaroi Fullani. Sipas parashikimit, ai tha se viti 2010 do të shoqërohet nga një përmirësim gradual, por shumë nga faktorët do të vazhdojnë të jenë të pranishëm edhe këtë vit. Sipas tij, politikat fiskale ndihmuan në mbështetjen e aktivitetit ekonomik në vitin 2009, por ekonomia shqiptare nuk mund të mbështetet për shumë kohë në këto stimuj fiskalë. “Qëndrueshmëria fiskale duhet të garantohet në një rregull fiskal, ndërsa rritja ekonomike duhet të mbështetet në nxitjen e sektorit privat dhe këtu rol kryesor duhet të luajë kreditimi i saj”, deklaroi guvernatori i Bankës së Shqipërisë.
Prifti:
Dëmshpërblim për abuzimet me faturat
Ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, javën e kaluar dha shpjegime mbi një parregullsi që është kthyer këto kohë në shqetësim për qytetarët shqiptarë: atë të faturave të energjisë të muajit dhjetor të vitit të kaluar, ku në disa raste është aplikuar çmimi i ri i energjisë, ndërkohë që ndryshimi ka hyrë në fuqi në janar. Ministri Prifti siguroi qytetarët se do të dëmshpërblejë çdo konsumator që ka paguar faturën e energjisë me çmim të rritur në muajin dhjetor të vitit të kaluar. Prifti tha se aktualisht në Ministrinë e Ekonomisë është ngritur një grup i veçantë investigues, që po kryen verifikimin e faturave. “Nëse kjo ka ndodhur vërtet, ashtu sikurse është thënë në publik, sigurojmë qytetarët se janë të gjitha mundësitë për t’i dëmshpërblyer”, u shpreh Prifti. Pas ankesave të shumta të qytetarëve për faturimin e energjisë për muajin dhjetor me tarifat e reja, disa ditë më parë edhe Enti Rregullator i kërkoi kompanisë çeke të kompensojë konsumatorët. PS-ja kërkon ndjekje penale për OSSH-në, duke reaguar sërish mbi faturimin abuziv të faturave të energjisë elektrike me tarifat e reja, që nuk kishin hyrë në fuqi në muajin dhjetor.
Projekti
Prezantohet autostrada Tiranë-Elbasan
U prezantua javën e kaluar projekti i autostradës Tiranë-Elbasan, që pritet të shkurtojë ndjeshëm distancën midis këtyre qyteteve nga 48 në 31 kilometra. Sipas projektit, shpejtësia e lëvizjes parashikohet të jetë rreth 100-120 kilometra në orë. Prezantimi u bë nga ministri Olldashi, i cili foli në mënyrë të detajuar për segmentin Tiranë-Lundër-Mullet-Bradashesh. Ministri theksoi se ky segment i shkurtër ka edhe një kosto të konsiderueshme, por që janë në raport të drejtë me përfitimin ekonomik. Autostrada Tiranë-Elbasan, me gjatësi 31 kilometra, është segmenti i parë i Boshtit të Jugut. Autostrada do jetë me 4 korsi, do të ketë 2 tunele përkatësisht 2.3 dhe 2.1 kilometra, 7 mbikalime, 4 nënkalime, 3 kryqëzime dhe shpejtësi lëvizjeje 110 km/orë. I pranishëm ishte edhe Kryeministri Sali Berisha, i cili e quajti trajektoren e shkurtër të projektit si një rrugë me rëndësi kapitale jo vetëm për zhvillimin e Elbasanit, por të Shqipërisë në tërësi. Shefi i ekzekutivit deklaroi se ky segment është i pari i Boshtit të Jugut, që do të vazhdojë në Berat e më pas në Tepelenë. “Autostrada Tiranë-Elbasan, e zgjedhur në trajektoren më të shkurtër të saj, ka rëndësi kapitale për zhvillimin dhe fuqizimin ekonomik jo vetëm të Elbasanit, por të vendit në tërësi. Ajo e shndërron Elbasanin në qytetin më të afërt, ose pothuaj në një pjesë integrale të metropolit shqiptar, Tiranës”, u shpreh Kryeministri.
Legalizimet
Pagesat me bono privatizimi
Pronarët e objekteve që janë në proces legalizimi që prej javës së kaluar patën mundësinë të nisnin procedurat për pagesën e tarifës me letra me vlerë. Drejtoritë rajonale të ALUIZNI-t hapën sportelet për të pritur kërkesat me shkrim të subjekteve që kërkojnë të paguajnë me letra me vlerë pjesën për të cilën i lejohet shlyerja në këtë formë. Kërkesa duhet të përbëhet nga të dhëna që kanë të bëjnë me objektin që është në proces legalizimi, si dhe masa e pagesës që do të shlyhet me bono privatizimi. Për sa i përket subjekteve që e kanë paguar tashmë tarifën e legalizimit, ALUIZNI merr përsipër rimbursimin e shumës së dhënë kundrejt paraqitjes së bonove të privatizimit, por me kushtin që subjektet paraprakisht të dërgojnë një kërkesë me shkrim. Kërkesa për rimbursimin e atyre që kanë paguar tashmë tarifën e legalizimit mund të plotësohet deri në mes të muajit qershor 2010. Me ndryshimet e bëra së fundmi në ligjin e legalizimeve, qeveria ka rritur sipërfaqen e tokës që do të paguhet me letra me vlerë, duke shtuar në këtë mënyrë edhe numrin e përfituesve. Kështu, për objektet që janë ndërtuar jashtë vijave të verdha dhe kanë zënë një sipërfaqe deri në 500 metër katrorë truall, ndërtuesi mund të paguajë deri në 70 për qind të tarifës me letra me vlerë.