“Ekosistemi i startup po rritet, ka ende problematika…”
Flet Aneida Bajraktari, Bashkëdrejtuese e Start Up Grind dhe e Start Up Weekend Tirana
Si kanë qenë fillesat në fushën e startup? Pse vendosët të bashkoheshit me komunitetin e Startup Weekend Tirana? Sa vite keni që jeni pjesë edhe e Startup Grind?
Çdo gjë ka nisur në Startup Weekend Tirana, në vitin 2012. Në atë kohë, merrja pjesë me një ide që ndërthurte modën me teknologjinë, ku dhe fitova çmimin e inovacionit. Startup-i zgjati rreth një vit. Edhe pse biznesi nuk pati sukses, Startup Weekend ishte një frymëzim shumë i madh për mua.
Ai event më mësoi që limitet janë thjesht në mendjet tona, që me pasion dhe punë, mund të arrish të realizosh ëndrrat, që nëse fokusohesh mund të bësh shumë në fare pak kohë, duke u nisur nga ideja e Startup Weekend që është të ngresh një biznes në 54 orë. Pas pjesëmarrjes në Samitin Global të Sipërmarrjes në Malajzi, nismë e Presidentit Obama asokohe, mendoja se duhet të bëja diçka për të rinjtë në Shqipëri. Dhe, vendosa të organizoja vetë Startup Weekend Tirana.
Bashkë me një skuadër të mrekullueshme, realizuam një event me rreth 150 të rinj. Aty kuptova se sa nevojë kishin të rinjtë për evente të tilla. Kështu, ndoqën edhe shumë startup Weekend të tjera. Unë besoj shumë te vlerat që ka ky organizim dhe te çdo gjë që të mëson: si të zhvillosh një ide biznesi, roli që ka skuadra në një startup, rëndësia e komunikimit, marrja përsipër e rreziqeve, lidhja me mentorët etj. Do të vazhdoj të merrem me këtë organizim, që ky event t’ua ndryshojë jetën të rinjve të tjerë, siç ma ndryshoi mua.
Në vitin 2015, vendosa të jap kontributin tim në Startup Grind Tirana, duke iu bashkuar skuadrës që e organizonte. Që prej 3 vitesh, jam drejtuese e saj. Startup Grind është një event i mirë, nëse kërkon të frymëzohesh, të mësosh nga historitë e sipërmarrësve që intervistojmë dhe të zgjerosh network-un tënd në eventet mujore që organizojmë. Ndërsa, që prej 2016, kam bashkëthemeluar kompaninë, “Balkans Capital”, e fokusuar në fushën e konsulencës financiare për kompanitë vendase dhe të huaja, organizatave jofitimprurëse etj.
Në vitet e përvojës, si e gjykoni mjedisin në Shqipëri për të nisur dhe për të zhvilluar një startup? Cilat janë vështirësitë kryesore që përballen të rinjtë?
Shqipëria, ashtu si shumë vende të tjera, po përdor sipërmarrjen, inovacionin, teknologjinë, për të përmirësuar jetën e njerëzve dhe për të krijuar mundësi të reja për të rinjtë.
Ekosistemi i startup-eve në Shqipëri është rritur me shpejtësi vitet e fundit, nëpërmjet organizimit të eventeve dhe programeve që kanë si qëllim, në radhë të parë, ndërgjegjësimin e të rinjve për rëndësinë që kanë startua-et për ekonominë dhe për t’i dhënë zgjidhje problemeve të jetës së përditshme, si dhe t’i nxisin ata, të themelojnë biznese të reja inovative. Megjithatë, nuk ka një numër të madh startup që kanë pasur sukses brenda apo jashtë vendit, ose startup që të kenë potencial për t’u rritur në të ardhmen. Në pjesën më të madhe të rasteve ngecin në ‘fazën e idesë’ dhe nuk e vënë në jetë idenë e tyre të biznesit.
Në kuadrin ligjor, nuk ka përdorim të termit startup, arsye kjo edhe pse nuk ka të dhëna të sakta që lidhen me startup-et. Mungon bashkëpunimi qeveri – universitet – sektor privat (modeli tripel helix) që do të krijonte një mjedis më të qëndrueshëm sipërmarrës për të rinjtë. Nuk ka lehtësi ligjore për krijimin e startup-eve të reja inovative. Fondet që jepen për të nisur biznese të reja, apo për fazat e hershme të biznesit, janë të vogla dhe përcaktojnë në shumicën e rasteve linjat e buxhetit për të cilat duhen shpenzuar. Gjithashtu shumë të rinj që duan të nisin biznesin e tyre, nuk kanë mbështetje nga familja, e cila i nxit gjetjen e një punë të sigurt dhe jo marrjen përsipër të riskut që të sjell biznesi. Mbështetja e familjes dhe miqve ka rëndësi shumë të madhe, si në aspektin psikologjik, por edhe në aspektin financiar (ndihma me fonde për të nisur ose për të zhvilluar më tej biznesin).
Komunitetet që ndihmojnë në mentorime dhe fonde janë shtuar në vend. Sa mendoni se ndihmojnë për të rinjtë?
Vitet e fundit, shumë organizata dhe projekte kanë mbështetur të rinjtë me mentorim dhe fonde. Kjo ka ndihmuar shumë të rinj. Megjithatë, ajo që kanë nevojë këta të rinj janë inkubatorë biznesi, që t’i mbështesin që nga faza e idesë dhe deri në fazën e daljes në treg, me fonde. Në Shqipëri, organizata të ndryshme mbështesin të rinjtë më së shumti në fazat e idesë së biznesit. Fondet gjithashtu janë të limituara dhe nuk u përgjigjen nevojave të startup-eve.
Cilat janë “mangësitë” në zhvillimet e startup-eve shqiptare? Ide ka shumë, një pjesë e mirë mbeten në letër…
Ka shumë faktorë që ndikojnë në mangësinë që kanë startup-et shqiptare për të dalë nga faza e idesë dhe për të zhvilluar një produkt ose shërbim konkret, që është gati të dalë në treg. Siç e përmenda edhe më lart, kultura shqiptare ndaj riskut dhe sipërmarrjes ka ndikim të madh (jo mbështetje nga familja dhe miqtë), ekosistem ende i pazhvilluar mirë, strategji jo e qartë e shtetit për startup-et, mungesa e lehtësive ligjore dhe fiskale, mungesa e edukimit të sipërmarrjes në universitete, qasja e shtetit ndaj biznesit që i bën të rinjtë jo vetëm të mos nisin bizneset e tyre, por edhe të largohen nga vendi. Media, gjithashtu, mund të luajë një rol të madh në promovimin e shpirtit te të rinjtë.