Në fillimin e viteve 1990 (1991) Artan Shabani emigron nga Shqipëria drejt Italisë dhe vendoset fillimisht në zonën e Salentos, më tej në zonën e Lombardisë (Lago di Garda), për t u vendosur përfundimisht në një nga qytetet kryesorë të zonës së Piemontes, në Torino, ku vazhdon aktualisht të jetojë dhe të zhvillojë krijimtarinë artistike. Shabani realizoi më tej ekspozita vetjake të panumërta në Sanremo, Antibbes, Torino, Padova, Montecarlo, Cuneo, Bergamo, Lecce, Bolzano etj. Piktori Shabani ftohet të marrë pjesë në manifestimet artistike në Francë, Finlandë, SHBA, Kanada, Spanjë, Angli etj. Në vitet 1996“2002 ai ekspozon në linjën Lago di Garda “ Sanremo, duke u njohur dhe krijuar miqësi me mjeshtrat aktualë të arteve pamore italiane, spanjolle, portugeze, franceze, si dhe me kritikë, poetë, elitën politike dhe industriale bashkëkohore. Mik i mjaft artistëve me emër në Europë si Cessar, Arman, Pejman, Bottero, Jan Michail Folon, familja Agnelli, familja Durrazzo, familja Gribaudo etj., Shabani gradualisht është pjesëmarrës si i ftuar i veçantë në Galeri shumë të njohura në Europë. Emri i tij zë vend të dukshëm në faqet e mediave europiane të artit: Corriere dell Arte, Mediterranea, Magazine, Il secolo XIX, La Republika, Nice Mattin, Arte Mondadori, Archivio AD, Arte etj. Në Monte Carlo (më 1999) Princi Albert, viziton ekspozitën vetjake të Shabanit dhe blen disa vepra për koleksionin e tij. Artan Shabani përjeton një karrierrë të shkëlqyer artistike. Ai ishte i ftuar nga anëtari i grupit Corrent, Aligi Sassu për të ekspozuar së bashku dhe më tej punojnë përsëri në Majorka. Në Monte Carlo i ftuar nga Galeria Henri Bronee piktori Shabani ekspozon veprat e tij krahas piktorëve Miro, Chagall, Picasso etj. Më tej ekspozon në Panaire me Galerinë Manini Arte (Torino), krahas Manzu, Guttuso, Migneco, Capogrossi, Severini etj. Gradualisht vijnë edhe vlerësimet e larta si: Çmimi i parë “ Sanremo 1999, i Ftuar i veçantë në Sallonin e Artistëve “ Monte Carlo 1999, në Finlandë vlerësohet si më i miri ndërmjet 14 artistëve italianë të ftuar në Vaasa Con Fall Galeri.Ekspozita Metamorfoza ballkanike, e cila aktualisht është e çelur në sallën e madhe të GKA, Tiranë, është në vazhdimësi të një rrugëtimi artistik që fillon me ekspozitën në Villa Strozzi “ Firenze, ku ka jetuar familja Medici. Më pas, ajo është çelur në Palazzo Prigioni, Venecia, në Kështjellën Ducale- Corigliano, Kalabri, për të udhëtuar në Pohjaman Muzeum-Finlandë, kthehet në Monte Carlo i mbështetur nga Banca Popolare, UNESCO dhe Principata e Monte Carlos, duke pasur kurator Markezin me origjinë shqiptare Giuzeppe Maria Durazzo-Konsulli i Nderit i Shqipërisë në Monte Carlo. Subjekti shqiptaro“ballkanik i Shabanit përbën dhe temën kryesore të veprave të tij (kompozime, portrete e peizazhe). Ekspresioni koloristik i disa tablove të piktorit Artan Shabani që është dhe tipari kryesor i krijimtarisë në vijueshmëri, ku penelatat me ritmin dhe shpërndarjen e pazakontë në tablo të imponojnë të ndalosh e të komunikosh me një shpirt artistik jo të zakonshëm e mjaft të veçantë artistik. Në këto vepra ngjyra e fuqishme merr rolin ekspresiv linear duke krijuar ritëm e tension që të emocionojnë. Në ciklin e portreteve homos balcanicus, piktori kalon gradualisht nga prezantimi i karakterit shqiptar “ ballkanik, në portretin monumental gati kubist për të kaluar në një portret global ku dekorativiteti merr përparësinë dhe ngjyra luan me subjektin artistikisht duke e futur atë në imazhin e një loje artistike koloristike. Në veprat e fundit të paraqitura në ekspozitën Metamorfoza ballkanike, piktori realizon një cikël të ri veprash ku ai pikturon gati monokrom, figura monumentale gati irreale që kanë prirje të japin mesazhe mjaft të rëndësishme. Shabani synon të shpalosë shpirtin paqësor shqiptaro“ballkanik duke krijuar tablo interesante gati monokrom, ku mbizotëron një qetësi dhe monumentalitet i veçantë të realizuara me mjete të kursyera, por mjaft domethënëse. Piktori Shabani në peizazhet e tij nuk e ka prerë kontaktin me natyrën, përkundrazi ai në vazhdimësi realizon veprat e tij direkt nga natyra, element ky mjaft i rëndësishëm që ndikon në freskinë koloristike të këtyre veprave; që gjithashtu sjellin risi mjaft të papritura të bukura. Revista Monitor i ofron lexuesve të saj 6 vepra të piktorit Artan SHABANI, të cilat janë përzgjedhur nga krijimtaria e tij e viteve 1995 “ 2003. Këto tablo sigurisht që mund të bëhen pjesë e çdo koleksionisti arti, që ka ndjekur në vazhdimësi krijimtarinë e artistit. Ato mund të jenë sigurisht edhe vepra të përshtatshme e ambienteve të tjera si dhoma ndenjeje, të rregulluara në mënyrë bashkëkohore. Çmimi i veprave të piktorit Artan Shabani luhatet nga 600“4 500 euro.
Ylli Drishti
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.