Autostrada që hëngri miliona euro dhe shkeli të gjitha premtimet

12/03/2019 2:50 PM 0 komente

Katër vite më parë, në një ceremoni shtetërore, u pre shiriti i fillimit të punimeve për ndërtimin e autostradës që do të lidhë Prishtinën me Shkupin. Në atë kohë, për këtë vepër, u thurën fjalët më të mëdha, duke e cilësuar edhe si projektin më me vlerë që po bëhej në Kosovë. U premtua se shiriti përurues do të pritej në fund të vitit 2018. Por kjo nuk ka ndodhur, punimet po vazhdojnë… kostoja ka shkuar në 700 milionë euro

 

Nga Prishtina, Fatos Shala

Që nga paslufta e deri më tani, çdo drejtues i Qeverisë së Kosovës ka pasur përparësi asfaltin. Përveç ndërtimit të rrugëve lokale e magjistrale, janë ndërtuar edhe autostrada që lidhin Kosovën me vendet e rajonit dhe Europës. Përqindja më e madhe e buxhetit të Kosovës, zakonisht është ndarë pikërisht për ndërtimin e autostradave.

Prej 20 vitesh, investimet në infrastrukturën rrugore po vazhdojnë. Aktualisht, në proces ndërtimi është autostrada, “Arbën Xhaferi”, që lidh Kosovën me Maqedoninë dhe autostrada Prishtinë – Gjilan – Konçul, që lidh Kosovën me Serbinë jugore, përkatësisht me Luginën e Preshevës. Punimet për këtë të fundit nisën në muajin prill të vitit të kaluar, ndërsa kohëzgjatja e realizimit është 30 muaj. Kjo autostradë llogaritet se do t’i kushtojë buxhetit rreth 87 milionë euro.

Autostrada Prishtinë – Hani i Elezit, që lidh Kosovën me Maqedoninë, e quajtur “Arbën Xhaferi”, ishte parashikuar të përfundonte në fund të vitit 2018. Por, ajo nuk ka përfunduar, duke i tejkaluar afatet e parashikuara. Projekti filloi në vitin 2014. Autostrada ka gjatësi 60 kilometra dhe është parashikuar se do të kushtojë 700 milionë euro. Autostrada “Arbën Xhaferi” është vazhdimësi e autostradës “Ibrahim Rugova” deri në kufirin Kosovë – Shqipëri, e cila nga ana tjetër lidhet me autostradën Durrës – Kukës, në kalimin kufitar Morinë, në kufirin Shqipëri – Kosovë.

 

Punimet nuk përfunduan në kohë

Autostrada që lidh kryeqytetet, Prishtinën dhe Shkupin, ishte parashikuar të përfundonte në fund të këtij viti, por, në bazë të punëve në terren, vënia në punë e saj mund të shkojë përtej këtij afati.

Drejtues të institucioneve të vendit kanë dhënë arsye të ndryshme për mospërfundimin e punimeve. Në Ministrinë e Infrastrukturës thonë se koha e keqe ka detyruar kompaninë “Bechtel-Enka” të vonojë punimet.

Zëvendësministri i Infrastrukturës, Rexhep Kadriu, ka treguar se tashmë nevojiten edhe 21 ditë punë për asfaltimin e Urës së Kaçanikut, por që për realizimin e këtij procesi duhet të pritet ngritja e temperaturave mbi 5 gradë Celsius.

“Autostrada Prishtinë – Shkup do të përfundojë me përmirësimin e kushteve atmosferike. Kanë mbetur vetëm 21 ditë në shtrimin e asfaltit në urën 407”.

Ura e Kaçanikut është ura më e gjatë në rajon, gjatësia e së cilës është 5733 metra. Ditë më parë, për punimet në këtë autostradë ka reaguar edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kossnet. Gjatë një vizite që bëri në këtë autostradë, ai tha se punimet duhet të përfundojnë sa më shpejt. “Rruga e re është çelës për zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe integrimin rajonal. Presim me padurim përfundimin e saj!”.

Por ekspertë rrugorë në Kosovë nuk pajtohen me arsyen se temperaturat kanë ndikuar në shtyrjen e përfundimit të projektit. Halim Gjergjizi, profesor në Prishtinë, në një deklaratë për media disa ditë më parë, tha se në nënshkrimin e kontratës është pasur parasysh edhe sezoni me temperatura të ulëta, që nuk lejojnë kryerjen e punimeve. Arsyetimin për temperatura ai e quan të sajuar dhe pa argumente.

“Sot sajohen temperaturat, mund të sajohen edhe arsye të tjera. Kompania fituese dhe Qeveria duhet të njoftojnë qytetarët në mënyrë korrekte, pse janë tejkaluar afatet e parapara dhe të kërkojnë falje publike. Për tejkalim të afateve, në vendet e zhvilluara duhet paguar dëmshpërblim, pasi është infrastrukturë publike dhe shfrytëzimi i kësaj infrastrukture bëhet i pamundur”, ka thënë ai.

Zëdhënësja e kompanisë Bechtel-Enka, Ela Ruçi, ka treguar se punimet në këtë autostradë janë sezonale dhe sipas saj, punohet vetëm kur koha është e përshtatshme.

“Projektet për ndërtimin e autostradave të tilla janë sezonale, pra puna është sezonale, sezoni i dimrit është më pak, kurse ai i verës më shumë. Ajo që mund të premtoj apo të garantoj tani është angazhimi ynë që të kryhen punimet sa më shpejt”.

Që nga fillimi i ndërtimit të autostradës në korrik të vitit 2014, nga kompania ndërtuese është paralajmëruar se do jetë e gatshme për qarkullim në fund të vitit të kaluar.

 

“Bechtel Enka” i mori shtetit edhe 53 milionë euro

“Bechtel Enka” i mori buxhetit të shtetit 53 milionë euro shtesë, për shkak të, siç u tha, dështimit të qeverisë së kaluar që t’i paguajë në rregull faturat kësaj kompanie.

Qeveria e Kosovës kishte ndarë 53 milionë euro shtesë gjatë vitit të kaluar për “Bechtel Enka” për autostradën e Shkupit.

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, pohoi se “për shkak të dështimit të qeverisë së kaluar që t’i paguajë me rregull faturat, konsorciumi ka kërkuar që fillimisht t’i paguajmë 63 milionë euro për shkak të mbajtjes së pajisjeve gjatë dhe shpenzimeve indirekte”.

Kryeministri Ramush Haradinaj ka pohuar se po ia ndajnë këto para për të mos u përballur me procese gjyqësore. Konsorciumi turko-amerikan “Bechtel Enka” është kompania e cila po ndërton këtë autostradë.

Autostrada Prishtinë – Shkup, e quajtur “Arbën Xhaferi”, me gjatësi rreth 60 kilometra, pritet t’i kushtojë buxhetit të Kosovës 700 milionë euro, por kontrata mes Qeverisë dhe konsorciumit nuk është bërë asnjëherë publike.

 

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of