Flet Genti Selenica, bashkëthemelues dhe CEO i “Baboon-Food Delivery”
Tregu i porositjes dhe dërgesave të ushqimit në Shqipëri aktualisht është i stabilizuar, ku klientët po rriten dita-ditës, duke përqafuar formën e re nga ajo tradicionale.
Njëkohësisht me këtë rritje ka pasur edhe interes nga bizneset për të hyrë në marrëdhënie partneriteti me kompanitë që kanë platforma apo aplikacione të zhvilluara mbi “food delivery”.
Genti Selenica, bashkëthemelues dhe CEO i “Baboon-Food Delivery”, shprehet se ecuria e tregut ka qenë pozitive, por rritjen e tij e kufizon fakti që jemi një vend i vogël, me fuqi të ulët blerëse.
Ai vlerëson, se pavarësisht zhvillimeve në treg, të qenët një kompani 100% shqiptare vjen me avantazhet e saj, të cilat e bëjnë atë konkurruese.
Si paraqitet sot panorama në tregun e “food delivery” në vendin tonë?
Aktualisht, tregu është i stabilizuar dhe është krijuar besim te porositja dhe shpërndarja në këtë formë, por edhe te marka “Baboon Delivery”. Më parë, njerëzit ishin më konservatorë dhe porosisnin nga telefoni. Tani, forma e porositjes ka ndryshuar, që është përmes aplikacionit, kurse shpërndarja është e njëjta.
Problemi i tregut ‘delivery’ te ne është që jemi një treg ende i varfër dhe ky, në njëfarë mënyre, është shërbim luksi, nuk është nevoje. Ne vumë re diçka pak muaj më parë, kur qeveria rriti pagat në administratë. Na u rritën automatikisht porositë, pra patëm rritje të biznesit.
Gjatë pandemisë pati një lulëzim të këtij tregu, a mbeti kjo rritje edhe pas saj në këto vite?
Ndryshe nga perceptimi i përgjithshëm, pandemia më shumë na bëri dëm se mirë. Gjatë asaj kohe patëm trefishim të punës për dy muaj dhe më pas u kthyem në normalitetin ku ishim, pasi edhe kufizimet nuk ishin aq të gjata te ne, sa ishin në disa vende të tjera.
Ky volum i papritur ndikoi negativisht në markën tonë, pasi na gjeti të papërgatitur me kapacitete njerëzore të mjaftueshme që ta përballonim. Në periudhën post-pandemi, tregu vazhdon të rritet, por mbetet i vogël, pa krahasim as me fqinjët në rajon.
Cilat janë avantazhet që ka porositja nga aplikacioni në raport me atë nga telefoni?
Avantazhi i parë që i vjen çdokujt ndër mend është koha e shkurtër për të bërë porosinë. Pra ty nuk të duhet më shumë se 10-15 sekonda. “Baboon Delivery” është një platformë që ofron gjithashtu transparencë në çmime, në shërbim, në zgjedhje gjeografike, etj.
Klienti ka sigurinë që dikush kujdeset për porosinë e tij, restorantet/dyqanet kanë sigurinë që produktet e tyre janë dorëzuar saktë, etj. Kjo shërben për të rritur shërbimin, si në “delivery” ashtu dhe në restorant/dyqane. Për ilustrim, mund t’i referohemi “Booking”.
Dikush mund të kontaktojë vetë direkt me hotelin, por përmes “Booking” je më i sigurt. Kështu ndodh dhe me porosinë që kalon përmes nesh, ka kosto të njëjtë me telefonin, por siguria është më e madhe, sepse ka më shumë filtra kontrolli.
Cila është flota juaj e mjeteve, territori që mbuloni, numri i të punësuarve dhe ecuria juaj e zgjerimit?
Flota jonë mes motoristëve të restoranteve dhe të “Baboon” janë 250 çdo ditë. Nuk e kemi gjithë shpërndarjen me motorët tanë. Ka restorante që porosinë e kanë në platformën tonë, por shpërndarjen e bëjnë vetë. Kemi mbi 70 shoferë të punësuar si dhe disa çiklistë.
Po mendojmë që të shtojmë më shumë çiklistë, sidomos për zonat qendrore, ku ka shumë trafik. Ne si kompani aktualisht jemi në Tiranë dhe Durrës, ndërkohë po hyjmë dhe në Vlorë.
Prej tetorit të vitit të shkuar jemi në Kosovë. Po mendojmë zgjerimin në Europë, pasi shohim që modeli ynë i biznesit ka elemente që janë risi edhe për një treg të tillë, por është ende herët për të folur për hapa konkretë.
Sa të ndërgjegjësuar janë bizneset për ta marrë këtë shërbim nga palë të treta dhe si ka qenë ecuria e numrit të tyre nga viti në vit, që të jenë pjesë platformës suaj?
Ecuria ka qenë pozitive nga viti në vit me biznese që kanë interes më të lartë për të qenë pjesë e platformës. Ende pa u hapur, bizneset na kontaktojnë për t’u integruar në platformë, kanë kuptuar rëndësinë që ka ky shërbim. Ne jemi të kujdesshëm në shtrirjen e përfshirjen e bizneseve në platformë.
Kërkojmë standard prej partnerëve tanë, por kemi dhe përgjegjshmërinë të marrim përsipër atë që mundemi të realizojmë me cilësinë e pritur. Rritja jonë si në numër partneresh, si në numër porosish, është mbi 30-40% në bazë vjetore.
Cilat janë sfidat me të cilat kompani të profilit tuaj hasin në përditshmëri dhe sa i rregulluar është tregu ku ju operoni? A ka informalitet dhe a hasni probleme sa i takon një sistemi të saktë adresash apo logjistike?
Tregu është i parregulluar fare. Ka hapësira ku duhet të ndërhyhet për ta bërë atë të drejtë dhe konkurrues. Ka informalitet të madh. Sistemi i adresave është shumë keq. Kemi ndërtuar një Google brenda Google që të kuptojmë se çfarë bëhet.
Një tjetër element nga i cili ju ndikoheni drejtpërdrejt janë kostot e karburantit, të cilat janë të paqëndrueshme, me ndryshime të shpeshta. Si ndikon kjo paqëndrueshmëri në parashikimin e kostove tuaja në planet e biznesit?
Karburanti ndikon te ne deri diku, sepse kemi udhëtime të shkurtra dhe motorët harxhojnë pak.
Gjatë këtyre viteve nuk kemi pasur as rritje çmimesh, apo përqindjesh për shërbimin. Jemi munduar ta amortizojmë vetë çdo goditje, pasi siç e thashë, jemi një treg me fuqi të ulët blerëse.
Ka një lloj alarmi nga gjithë bizneset për punonjës. A e ndieni ju këtë presion?
Ne nuk kemi problem sepse i motivojmë, i paguajmë mirë dhe respektojmë 100% Kodin e Punës, 5 ditë në javë. Mendojmë që kjo është receta. Përveç disa largimeve jashtë vendit, stafin e kemi të qëndrueshëm.
E respektojmë atë dhe është në themelin e kulturës së punës që duam të ndërtojmë në kompani.
Dua të ndaj me ju një detaj: “Baboon Delivery” është vlerësuar me +7 pikë nga FairWork si kompania e parë më e mirë në EU/MEA për kushtet e korrierëve, bashkë me Getir, gjigantin e delivery botëror (dhe në krahasim me Glovo, +4 Wolt +4, Amazone Flex +3, Deliveroo +3, JustEat +1, Uber +2 pikë sipas raportit internacional të vitit 2023 Link: Fairwork Annual Report 2023: State of the Global Platform Economy.
FairWork është organizatë ndërkombëtare, që në bashkëpunim me Oxford University, monitoron kushtet e punës të platformave në gjithë botën.
Marka “Made In Albania” dukshëm më mirë se kompani ndërkombëtare që operojnë në tregjet e Ballkanit. (PedalMe është kompani biçikletash që ka 8 pikë)
Së fundmi, disa lajme nga kompani ndërkombëtare si Wolt apo Glovo paralajmërojnë hyrje të tyre në tregun shqiptar. Si e shihni këtë hyrje të kompanive të reja, a ka vend për këtë zgjerim një treg si Shqipëria dhe cilat mendoni se do të jenë efektet që do të ketë rritja e numrit të kompanive?
Tregu shqiptar është shumë i vogël për kompani ndërkombëtare dhe gjykoj që janë për të pasur një flamur në hartë si shtrirje ndërkombëtare. Me rreth 500 mijë konsumatorë, ky është treg i vogël për ne që jemi lokal jo më për kompani internacionale.
Dy markat bëjnë këtë gjë në çdo territor. Tentojnë të kapin treg para tjetrës dhe pastaj ashtu siç hyjnë dhe kanë dalë nga tregjet e vogla. S’dua të zgjatem, por ka pasur raste që i kanë blerë shtrenjtë kompanitë lokale dhe pastaj i kanë shitur me çmim pothuaj zero, në një treg që është rreth 1.5 herë Shqipëria.
Dhe ne çuditemi shpesh me vendimmarrjet për të hyrë në këto tregje e me kaq shumë shpenzime.
Hyrja e tyre mund të jetë një lloj sfide për ne, por kjo vetëm na ka motivuar, kemi bërë në këta tre muaj përmirësime, që ndryshe do të na merrnin një vit. Thënë shkurt, në afatmesëm besoj se të paktën njëra prej tyre do të largohet përsëri në maksimumin dy vjet.
Ata s’mund të operojnë me humbje për 10 vite në çdo treg. Dhe investitorëve iu ka sosur durimi, kanë humbur në bursë 25-70% të vlerës përkatësisht që nga janari 2020 (para pandemisë) deri më sot, në një kohë që SP500 (indeks i ndjekjes së bursës) ka shtuar vlerë me +50%, pra një humbje krahasimore -75-120%.
Plus realitete kaq të vogla sa Shqipëria, me kaq pak vëmendje nga kompania mëmë, suksesi ose dështimi është vetëm një performancë e një Expat-i (markë që ka dalë jashtë vendit të origjinës për t’u zgjeruar në vend tjetër) që e sheh si sfidë të tij, më shumë se sfidë të kompanisë.
Cilat mendoni se janë avantazhet e kompanive shqiptare përballë atyre të huaja që po hyjnë tani dhe disavantzhet që mund të keni?
Po e filloj me avantazhin e të qenët të parët që kemi hyrë në këtë treg. Jemi kompani lokale, me njohuri lokale për tregun, njerëzorë, kemi ndjeshmërinë e konsumatorit, partnerëve në biznes. Jemi të kujdesshëm me kostot, optimizim në çdo aspekt, çfarë do ta bënte një kompani të huaj më me avantazh?
Ky është biznes shumë i fragmentuar si treg. Është lokal në çdo gjë përveç app-it, por kjo nuk është më risi prej afro 5-6 vitesh. Për shembull, pse e bën mirë në Gjermani, nuk do të thotë që mund ta bësh mirë edhe këtu, sepse shpërndarësit janë lokalë, shitësit, administrata po ashtu.
Në çdo vend, kompania lokale ka mbizotëruar. Mjafton të shohim Greqinë, apo vendet e ish-Jugosllavisë, meqenëse janë fqinje. U blenë kompanitë lokale dhe vazhdojnë të jenë lider që nga ajo kohë.
Shpesh, kompani ndërkombëtare kanë hyrë, kanë testuar tregun dhe kanë përfunduar në blerjen e një kompanie lokale.
Në Shqipëri, ne jemi për shumë gjatë si biznes dhe si njerëz. Vetëm transparenca që kemi me konsumatorët dhe partnerët është një avantazh që nuk mund të replikohet nga dikush që është tranzit në këtë vend, nga CEO i parë në CEO-n e radhës.
Ne kurrë s’kemi luajtur me çmimet: për shembull, rritja në platformë që të ulet përqindja për restorantin, dhe truke të ngjashme, që në tregje të mëdha dhe anonime kanë efekt.
Së fundmi, besojmë se konsumatorët do të vlerësojnë më shumë një platformë 100% shqiptare.
Ju vetë çfarë po bëni teksa shihni këtë tendencë për rritje të konkurrencës?
Siç thashë, ne kemi rritur shpejtësinë e përmirësimeve tre herë. Përveç metodave hutuese të marketingut, që në tregun tonë konsumohen shpejt, çfarë të rejash do të ketë ky shërbim që ekziston prej 10-15 vitesh?!
Ofrojmë shërbimet që kanë edhe platformat më të mëdha dhe jemi vigjilentë ndaj risive që dalin çdo ditë. Tani nisim edhe pagesën me kartë dhe me këtë plotësojmë gjithçka që mendojmë se ka nevojë klienti dhe partnerët e biznesit.
Lexoni edhe:
“Food delivery”, rritja e një industrie
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Po patjeter. Duhet te kishin ardhur te blenin Babuinin.