Që prej disa javësh, kreu i BB-së, Wolfowitz ka qenë një ndër emrat shumë të përfolur në titujt kryesorë të mediave, me vendosmërinë e tij për të reformuar politikat e kontrollit dhe transparencës brenda bankës. Problemi i korrupsionit brenda BB-së nuk ngrihet për herë të parë këtë vit. Në vitin 1996 paraardhësi i Wolfowitz, Wolfenson, denoncoi për herë të parë publikisht kancerin e korrupsionit. Po kështu një nga ekonomistët e Bankës, Joseph Stiglitz, ngrinte të njëjtin shqetësim në fjalimet dhe shkrimet e tij kritike mbi lidhjet e diskutueshme midis zhvillimit ekonomik dhe politikës. Wolfenson shkoi edhe më larg se kaq: nën drejtimin e tij banka hartoi metoda të matjes së korrupsionit (indekset e korrupsionit, të cilat sot përdoren nga shteti amerikan për të identifikuar shtetet që meritojnë asistencë financiare për të luftuar korrupsionin) dhe ngriti një departament brenda Bankës për hetimin e rasteve të abuzimit në projektet e saj (Departamenti i Integritetit Institucional). Por deri tani kjo strukturë nuk ka dhënë rezultatin e parashikuar. Kështu, kreu i ri e filloi detyrën me sfidën e madhe për të reformuar këtë strukturë jo-funksionale. Problemi i korrupsionitNë vitin 2004, shumë vetë dëshmuan përpara Komitetit të Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit të SHBA-së, që drejtohej nga Richard Lugar, për burokracitë e vendeve huamarrëse dhe për kontraktorë të korruptuar, të cilët kishin vjedhur më shumë se 100 miliard USD nga fondet e BB-së gjatë pesë dekadave të fundit. Në tetor të atij viti, një mbledhje e zyrtarëve të bankave shumëpalëshe për zhvillim (MDB) u mbajt në Londër për të diskutuar masat e përbashkëta që do të merreshin mbi çështje të transparencës dhe kontabilitetit në bankat shumëpalëshe për zhvillim, të cilat kritikoheshin se ishin infektuar nga korrupsioni. Raporti global i Korrupsionit në vitin 2005 rendit masat e fundit të marra nga Banka Botërore në kuadër të përpjekjeve antikorrupsion. Këto përfshijnë: pezullimin e marrëveshjeve me shoqëritë që u zbuluan fajtore për mashtrim dhe korrupsion, rregulla më strikte për prokurimet, administrim më të mirë financiar dhe mbikëqyrje më të mirë. Megjithatë, raporti thekson se shumë nga projektet e mëdha të infrastrukturës në Botë që prej disa kohësh janë në shënjestër të akuzave për korrupsion, mbështeteshin ose nga një MDB. Raporti gjithashtu vë në dukje se niveli i lartë i korrupsionit në projektet e bankës i atribuohet: mungesës së kujdesit; imunitetit ligjor dhe mungesës së mekanizmave të kontabilitetit; vlerësimit të dobët të rrezikut ekonomik, mjedisor dhe shoqëror; kontrolleve të dobta të brendshme të bankës, mbikëqyrjes të dobët të projekteve; mungesës së sigurisë për ata që dëshmojnë për praktika korruptive të vëna re brenda Bankës; mungesës së një mbikëqyrjeje aktive nga shumica e vendeve anëtare; dhe një kulturë që nuk pranon gabimet dhe kritikat, qoftë për funksionimin e strukturën së brendshme të bankës, qoftë ato në lidhje me projektet në vende të ndryshme. (World Bank anti-corruption: discourse versus practice, News|Bretton Woods Project|21st November 2005)Por neglizhenca e BB-së kundrejt ekzistencës së korrupsionit në vendet që përfitonin hua vazhdoi të anashkalohej deri sa ish-presidenti i Bankës Wolfenson filloi të përdorte fjalën korrupsion në diskutimin e bankës. Ish-kreu i bankës mendonte se përpjekjet kundër korrupsionit duhet të ishin në qendër të analizës së bankës dhe duhej të udhëhiqnin vendimet për huadhënie. Presidenti aktual, Wolfowitz, i cili e quan korrupsionin si një farë e keqe që pengon zhvillimin dhe rritjen ekonomike, duket i vendosur të vazhdojë të njëjtën rrugë, duke ri-aktivizuar nismat e paraardhësit të tij. Kështu, në dhjetor të vitit të kaluar banka krijoi njësinë antikorrupsion, e cila filloi punën na janar të këtij viti. Njësia përfshin 50 juristë, auditorë dhe inspektorë të jashtëm, dhe synon të ndihmojë identifikimin e korrupsionit në nivelet e larta në projektet e BB-së nëpër vendet në zhvillim. Kjo ndodhi një javë pasi banka kishte pezulluar pesë hua me vlerë rreth 24 milion USD për Kenya n pas evidentimit të rasteve të korrupsionit ku përfshiheshin emra zyrtarësh të lartë në qeverinë e vendit. Nga ana tjetër, banka ka dhënë 23 milion USD në ndihmë të rritjes së aftësive të këtij vendi për të luftuar korrupsionin në radhët e qeverisë. Presidenti i BB-së deklaroi se pezullimi i këtyre huave dhe dhënia e një huaje në ndihmë të problemit të korrupsionit është një fakt shumë domethënës për vendosmërinë e bankës për të luftuar këtë fenomen. Fakti që ne po japim një hua dhe po ngrijmë pesë të tjera është një mesazh i fortë për Qeverinë e Kenya s, tha Wolfowitz. Ndërsa njësia anti-korrupsion brenda BB-së, sipas Wolfowitz, do të kthehet në një pjesë normale brenda veprimtarisë së bankës. Organizatat më të mëdha huadhënëse ndërkombëtare kanë hartuar një strategji të re për të trajtuar korrupsionin. BB, FMN dhe organizata të tjera që japin hua, grante dhe këshillim për vendet në zhvillim, si Banka Afrikane për Zhvillim, Banka Aziatike për Zhvillim dhe Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, janë bashkuar në këtë marrëveshje duke rënë dakord që të ndajnë informacionin dhe të ngrejnë një grup pune me qëllimin që të krijojnë një kornizë uniforme për parandalimin e korrupsionit. Cila është strategjia e re e Bankës për të luftuar korrupsionin? BB tashmë ka një strategji antikorrupsion të plotë dhe të integruar si dhe ka marrë një qëndrim të qartë përpara publikut në lidhje me korrupsionin. Banka konsideron se korrupsioni është një pengesë për rritjen ekonomike dhe uljen e varfërisë. Banka gjithashtu ka vënë në punë një skuadër hetuesish, të cilët shumë shpejt arritën rezultate në zbulimin e rasteve të individëve apo subjekteve të përfshira në mashtrime dhe praktika korruptive në projektet e saj. Në vija të përgjithshme qasja e Bankës kundrejt problemit të korrupsionit ka të bëjë me një thirrje për të ndërhyrë në katër fronte kryesore: ¢ Sigurimin e asistencës për vendet që kanë nevojë të zbusin nivelin e korrupsionit;¢ Kthimin e përpjekjeve për të trajtuar problemin e korrupsionit në një përparësi të analizave të Bankës dhe vendimeve për huadhënie;¢ Shtimin e kontributit ndaj përpjekjeve ndërkombëtare për të luftuar korrupsionin, dhe¢ Përpjekjet për të parandaluar mashtrimin dhe korrupsionin në projektet që Banka financon.Këtë vit Banka vendosi të japë afërsisht 13% të totalit të huasë së re, çka në vlerë absolute do të thotë 2.9 miliard USD, nëpërmjet Programit të Granteve të Vogla për reformat në qeverisje, në sektorin publik dhe në ligj, të cilat Banka i konsideron si thelbësore për zbutjen e varfërisë. Përveç kësaj, kohët e fundit Banka ka vënë në dispozicion një linjë telefonike globale për antitrafikun 24-orë në ditë. Banka bashkëpunon me Departamentin e Integritetit Institucional për të hetuar akuzat për mashtrim dhe korrupsion, brenda dhe jashtë institutit, dhe një Komitet të Sanksioneve për të gjykuar këto raste dhe dënimet përkatëse; deri tani më shumë se 330 shoqërive dhe individëve u është ndaluar të bëjnë biznes me Bankën, ndërsa emrat dhe dënimet e tyre janë të shpallura në faqen e internetit të bankës. Njësia hetuese e bankës ka një personel prej më shumë se 50 vetësh, ndërsa dhjetëra të tjerë nëpër rrjetin e Bankës punojnë me vendet në zhvillim për përpjekjet antikorrupsion si dhe në hetime apo studime mbi çështje të korrupsionit dhe qeverisjes.Që nga 30 qershori i vitit 2005, Banka ka deklaruar 31 raste të provuara të mashtrimeve apo korrupsionit në vendet anëtare, të cilat kanë përfunduar me 25 dënime për veprimtari kriminale. Sot banka shpenzon 10 milion USD në vit për hetime dhe sanksione.Brenda BBNdërsa struktura organizative e vetë institucionit i është nënshtruar reformimit dhe kohët e fundit po lëkundet nga kundërshtime dhe protesta të forta për shkak të disa lëvizjeve dhe emërimeve brenda stafit drejtues. Dy nga këto ishin emërimi i Susanne Rich Folsom, si këshilltare e Presidentit në krye të Departamentit të Integritetit të Bankës, dhe Kevin Kellems, si këshilltar dhe drejtor i strategjisë në Departamentin e Marrëdhënieve me Jashtë, për të cilat punonjësit e BB-së akuzuan Presidentin e ri se po vepron pa u konsultuar dhe duke thyer rregulloren e Bankës për transparencë në emërimet e punonjësve. Wolfowitz justifikon këto ndryshime me argumentin se shkaku kryesor i mungesës së eficiencës së Bankës në trajtimin e fenomenit të korrupsionit duhet kërkuar brenda strukturave drejtuese të saj. Ndërsa qëndrimi dhe propaganda e Bankës kundrejt fenomenit të korrupsionit mirëpritet dhe vlerësohet nga disa, pozicioni i Wolfowitz shikohet me kritikë dhe skepticizëm nga të tjerë, të cilët mendojnë se politikat e kreut të ri në të vërtetë janë veçse tentativa për të rritur kontrollin mbi Bankën, ndërsa efikasiteti i strategjive të reja mbetet për t u provuar nga koha.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.