Rënia e inflacionit në nivelin 2.6% në muajin shkurt duket se ka surprizuar edhe Bankën e Shqipërisë.
Këshilli Mbikëqyrës vendosi sot të mbajë normën bazë të interesit në nivelin 3.25%, ndërsa pas mbledhjes Guvernatori, Gent Sejko, tha se ekuilibrat ekonomikë dhe financiarë të vendit kanë ardhur në përmirësim, ndërkohë që inflacioni ka shënuar rënie edhe më të shpejtë se pritjet e bankës qendrore.
Megjithatë, Guvernatori theksoi se rënia e inflacionit ka ardhur kryesisht nga jashtë, ndërsa presionet e brnedshme inflacioniste vazhdojnë të jenë të qëndrueshme.
“Në aspektin makroekonomik, rënia e inflacionit u ndikua nga reduktimi i inflacionit të importuar. Në veçanti, rënia e shpejtë e inflacionit të ushqimeve pasqyroi një dukuri rajonale dhe evropiane, të diktuar nga rritja e ofertës për këto produkte.
Bazuar në informacionin aktual, efektet në inflacion të kësaj goditjeje do të vijojnë të jenë prezente edhe për disa muaj në vazhdim. Nga ana tjetër, edhe pse në rënie, presionet e brendshme inflacioniste janë më të qëndrueshme.
Inflacioni bazë neto – tregues, i cili shmang ndikimin e lëvizjeve të çmimeve më të luhatshme të shportës dhe, si i tillë, është një matës më i mirë i presioneve afatmesme inflacioniste, – rezultoi rreth nivelit mesatar prej 3.3%, duke ruajtur një normë të njëjtë me atë të tremujorit të kaluar.
Kjo ecuri sugjeron se presionet e brendshme inflacioniste vijojnë të mbeten relativisht të larta, si pasojë e kërkesës solide për mallra e shërbime dhe e presioneve që vijnë nga tregu i punës,” tha Sejko.
Sipas tij, aktiviteti ekonomik në vend ka vijuar të rritet, i ushqyer nga zgjerimi i konsumit dhe i investimeve private, nga rritja e eksportit të shërbimeve, si dhe nga përshpejtimi i ritmit të realizimit të shpenzimeve publike. Zgjerimi i tyre është mbështetur nga rritja e të ardhurave të disponueshme të familjeve, nga bilancet e shëndosha financiare të bizneseve, nga ambienti ende stimulues financiar, si dhe nga pritjet pozitive për të ardhmen.
Zgjerimi i punësimit dhe pagave ka vijuar të mbështesë rritjen e konsumit, por, nga ana tjetër, ai mban të larta edhe presionet e brendshme mbi inflacionin.
Përditësimi i parashikimeve të Bankës së Shqipërisë sugjeron stabilizimin e inflacionit rreth objektivit tonë gjatë vitit 2024 e në vijim.
Guvernatori tha se rritja ekonomike do të vazhdojë të gjejë mbështetje në shëndetin financiar të sektorit privat, në dinamikat pozitive të tregut të punës, si dhe në një ambient të qëndrueshëm financiar. Ajo do të nxitet nga rritja e konsumit familjar, e investimeve dhe e turizmit.
“Ritmi i rritjes ekonomike pritet të jetë disi më i ngadaltë gjatë vitit aktual, por ai pritet të përshpejtohet në periudhën në vijim, duke qëndruar në linjë me potencialin e ekonomisë.
Nga ana tjetër, inflacioni parashikohet të luhatet rreth objektivit gjatë periudhës në vijim. Ky parashikim faktorizon pritjet tona për një ecuri më të balancuar të kërkesës dhe ofertës në ekonomi, për stabilizimin e çmimeve të produkteve ushqimore në tregun vendas, si dhe për normalizimin e inflacionit në ambientin e huaj. Në të njëjtën kohë, përditësimi i analizës sugjeron se balanca e rreziqeve mbi ecurinë e inflacionit është neutrale. Në veçanti, intensifikimi i mundshëm i tensioneve gjeopolitike mund të çojë në rritje të inflacionit, ndërsa rënia e mëtejshme e çmimeve të ushqimeve në tregjet e brendshme e të huaja mund të sjellë nivele më të ulëta inflacioni,” tha ai.
Në orientimet për të ardhmen, Këshilli Mbikëqyrës theksoi se vendimet e ardhshme të politikës monetare do të kushtëzohen nga informacioni i ri dhe do të jenë gjithnjë të orientuara drejt respektimit të objektivit të stabilitetit të çmimeve, por dhe konsistente me kahun e politikës fiskale dhe ecurinë e kursit të këmbimit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.