Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë miratoi në mbledhjen e fundit disa ndryshime të reja “Për kredinë konsumatore dhe hipotekore”.
Ndryshimet synojnë sidomos të shtojnë në rregullore rolin e ndërmjetësuesit të kredisë dhe të parashikojnë disa dispozita të veçanta në rastet kur kredia jepet nëpërmjet tyre. Zakonisht, ndërmjetësues të kredisë janë palët e treta që shesin produktet apo shërbimet e tyre me kredi bankare.
Prej vitesh, bankat dhe institucione financiare jo banka mundësojnë financimin e blerjes së produkteve në njësitë e shitjes, nëpërmjet marrëveshjeve paraprake me shitësit. Ky kanal është i zhvilluar sidomos me bizneset e shitjes së pajisjeve elektronike dhe elektroshtëpiake.
Rregullorja e ndryshuar e përkufizon ndërmjetësuesin e kredisë sipas ligjit “Për mbrojtjen e konsumatorit”, që përcakton si të tillë çdo person fizik ose juridik, i cili nuk vepron si kreditor, por për qëllime që lidhen me tregtinë, biznesin ose profesionin e tij paraqet ose ofron marrëveshje kredie te konsumatorët dhe ndihmon konsumatorët në lidhje me marrëveshjet e kredisë apo lidh marrëveshje kredie me konsumatorët, në emër të kreditorit.
Rregullorja parashikon që tregtarët dhe mallrave dhe shërbimeve që veprojnë si ndërmjetësues të kredisë do të jenë të përjashtuar nga kërkesat e parashikuara lidhur me informacionin parakontraktor. Por, do të jetë përgjegjësi e bankës ose institucionit financiar të huadhënies që të sigurohet se konsumatori e ka marrë informacionin parakontraktor të parashikuar nga rregullorja në fjalë.
Rregullorja sjell edhe konceptin e kontratat e kredisë me afat të pacaktuar (open-end) dhe përcakton se konsumatori ka të drejtën të përfundojë në çdo kohë pa pagesë këto kontrata, përveç rastit kur palët kanë rënë dakord për një periudhë njoftimi paraprak, periudhë që në çdo rast nuk mund të jetë më shumë se një muaj. Në rast se parashikohet në kontratën e kredisë, banka mund ta përfundojë kontratën e kredisë me afat të pacaktuar, duke e njoftuar konsumatorin me shkresë ose nëpërmjet një mjeti tjetër të qëndrueshëm të komunikimit, brenda një periudhe jo më pak se dy muaj.
Rregullorja “Për kredinë konsumatore dhe hipotekare” ishte ndryshuar për herë të fundit në muajin shtator, me qëllim vendosjen një norme maksimale efektive të interesit për kredinë konsumatore. NEI maksimal do të llogaritet si mesatare e normës efektive të interesit të aplikuar nga subjektet, sipas llojit të kredisë konsumatore, duke shtuar edhe një të tretën e saj. Banka e Shqipërisë nuk e ka publikuar ende këtë tregues. Kjo pritet të ndodhë vetëm në muajin janar, megjithëse rregullorja e ndryshuar hyn në fuqi qysh më datë 31 dhjetor. Sipas burimeve nga banka qendrore, indeksi duhet të bazohet edhe në kreditë e dhëna gjatë muajit dhjetor, ndaj llogaritja përfundimtare dhe publikimi mund të bëhet vetëm në muajin janar.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.