- Çmimet e konsumit të Kinës ka të ngjarë të bien në korrik, përpara se të rriten sërish, u tha gazetarëve të premten Liu Guoqiang, zëvendësguvernator i Bankës Popullore të Kinës.
- Vendi këtë javë nuk raportoi asnjë ndryshim në çmimet e konsumit për muajin qershor nga një vit më parë.
Vlerat zyrtare të çmimeve të konsumit, mezi kanë ndryshuar gjatë muajve të fundit mes kërkesës së vakët, në kontrast me inflacionin e lartë në SHBA dhe Europë.
“Këtë vit rritja e indeksit të çmimeve të konsumarit (CPI) është zbutur dhe korriku mund të ketë një rënie,” tha Liu. Ai pretendoi se rënia ishte vetëm një “fazë”, për shkak të rimëkëmbjes së kërkesës dhe ndikimeve bazë.
“Në këtë kohë, nuk ka deflacion dhe nuk do të ketë rrezik deflacioni në gjysmën e dytë të vitit”, tha ai, duke treguar faktorë të tillë si rimëkëmbja ekonomike e Kinës dhe rritja e ofertës monetare.
Kreditë e reja bankare për qershorin u rritën me më shumë sesa prisnin analistët.
Banka qendrore tha në prill se çmimet e konsumit ka të ngjarë të rimëkëmen “në formë U” këtë vit.
Liu e përsëriti këtë parashikim të premten dhe tha se priste, që rritja e çmimeve të konsumit mund të afrohej me 1% deri në fund të vitit.
Kina nuk raportoi asnjë ndryshim në çmimet e konsumit për muajin qershor, nga një vit më parë. Duke përjashtuar ushqimet dhe energjinë, çmimet e konsumit u rritën me 0.4% nga një vit më parë.
Duke marrë 0% CPI me një normë standarde të huadhënies së tregut prej 3.55%, norma reale e interesit të Kinës është mbi 3%, theksoi Bruce Pang, kryeekonomist dhe kreu i kërkimit për Greater China në JLL.
Në të kundërt, norma reale e interesit në SHBA është afërsisht 0.5%, duke pasur parasysh inflacionin bazë prej rreth 4.5% dhe normën e huadhënies mbi 5%, tha ai.
“Kështu që Kina duhet të ulë normat,” tha ai, duke vënë në dukje se nëse çmimet do të ktheheshin në deflacion, efekti neto do të ishte ai i një rritje të normës.
Ngadalësimi i rritjes
Rimëkëmbja ekonomike e Kinës nga pandemia, ka ngecur muajt e fundit, me shitjet e pakta me pakicë, rënien e tregut të pronave dhe rënien e eksporteve. Vendi do të raportojë të hënën GDP-në e tremujorit të dytë.
“Politikat, që kemi njoftuar aktualisht, po hyjnë në fuqi,” tha Liu. “Ne duhet të kemi durim dhe besim në lidhje me rritjen e qëndrueshme të ekonomisë.”
Ai vuri në dukje se do të duhet një vit, që ekonomia e Kinës të rimëkëmbet.
Kina ka vendosur një objektiv të PBB-së prej rreth 5% për vitin, më i ulët se parashikimet aktuale të shumicës së institucioneve.
Pekini heziton të nisë një raund tjetër stimujsh financiarë në shkallë të gjerë. Nivelet e borxhit janë rritur, veçanërisht për qeveritë vendore, aftësia e të cilave për të shlyer borxhin është zvogëluar.
Kina tha se masat, që njoftoi në nëntor, për të mbështetur sektorin e pasurive të paluajtshme, do të shtrihen deri në fund të vitit 2024. Pekini po mundihet që ndërtimet e godinave të banuara – të cilat zakonisht shiten përpara përfundimit në Kinë – t’u dorëzohen blerësve të shtëpive .
Zhvilluesit po i drejtohen kredive të bankave tregtare, tha Zou Lan, drejtor i departamentit të politikës monetare të bankës. Ai vuri në dukje, se kreditë e reja për zhvilluesit, në gjysmën e parë të këtij viti, arritën në 420 miliardë juan (58.9 miliardë dollarë), ose rreth 200 miliardë juan më shumë se një vit më parë.
Ai e përshkroi tregun e pasurive të paluajtshme si “të qëndrueshëm” në përgjithësi, por tha se “disa rreziqe të akumuluara prej kohësh, të kompanive të pasurive të paluajtshme, kërkojnë një periudhë kohe për t’u përthithur gradualisht”.
Zou tha se ministria e financave do të punojë në mënyrë aktive, së bashku me ministritë e tjera, për të studiuar politikat e duhura për t’u ndjekur. Ai tha se kjo ishte jashtë “shqyrtimit të ndryshimeve të thella në marrëdhëniet midis ofertës dhe kërkesës, në tregun e pasurive të paluajtshme në Kinë”.
Mbështetje për kompanitë teknologjike
Kina ndërkohë, po kërkon të forcojë industrinë vendase të teknologjisë, si një mënyrë për të mbështetur rritjen dhe për të siguruar vetë-mjaftueshmërinë kundër sanksioneve të SHBA.
Këshilli i Shtetit njoftoi se ishte miratuar një plan për forcimin e mbështetjes për financimin e kompanive teknologjike.
Kur u pyet për planin, Liu Guoqiang tha se masat përfshinin forcimin e mbështetjes së jashtme, duke përfshirë përdorimin e tregjeve ndërkombëtare të kapitalit. / CNBC