Banka qendrore ndërmori një hap të pazakontë të mërkurën duke paralajmëruar se dështimi për të arritur një marrëveshje shpëtuese me kreditorët ndërkombëtarë mund ta çonte Greqinë në një rrugë të dhimbshme, ku vendi jo vetëm do të linte eurozonën, por kërcënonte dhe anëtarësimin në BE.
Deklarata, e cila ishte e përfshirë në një raport të rregullt nga Banka e Greqisë, është e para që është bërë ndnjëherë nga autoritetet greke, që shprehet publikisht lidhur me mundësinë që vendi të përballet me një largim nga klubi i 28 vendeve, të cilës Athina i është bashkuar që në vitin 1981, kur në këtë vend u rikthye demokracia.
Shqetësimi vjen ndërkohë që është përshkallëzuar lufta e fjalëve midis kryeministrit Alexis Tsipras, dhe zyrtarëve të eurozonës, përpara takimit të nivelit të lartë të ministrave të financave të eurozonës, që pritet të mbahet të enjten.
Banka e Greqisë tha: “Dështmi për të arritur një marrëveshje mund . . . të shënojë fillimin e një rruge të dhimbshme që mund të çojë fillimisht në një falimentim të vendit dhe më pas në daljen e Greqisë nga euro dhe me shumë të ngjarë edhe nga Bashkimi Europian.
“Arritja e një marrëveshjeje me partnerët tanë është e një domosdoshmërie historike që nuk mund ta injorojmë.”
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.