Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha është shprehur kundër zgjatjes së koncesionit të Aeroportit të Rinasit.
“Çdo akt koncesioni, PPP apo zgjatje koncesioni i propozuar nga qeveria ne ikje, është në shkelje flagrante të ligjeve të vendit. Zotohem para çdo shqiptari se unë dhe qeveria ime nuk do të njohim asnjë akt të tillë dhe do ta zhbëjmë atë. Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza” do tu kthehet shqiptarëve dhe shtetit të tyre sipas përcaktimeve fillestare të kontratës koncesionare. Shqipëria do tu kthehet shqiptarëve”, tha Basha në rrjetet sociale.
Më herët u publikua Marrëveshja ndërmjet Këshillit të Ministrave dhe shoqërisë koncesionare “Tirana International Airport”, sh.p.k., “Për ndërtimin, vënien ne pune, operimin dhe mirëmbajtjen e aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza”, Tiranë”, sipas të cilit Koncesioni i Aeroportit të Rinasit do të zgjatet edhe me 13 vjet.
Zgjatja e afatit të koncesionit vjen pak javë pasi “Kastrati group” u bë aksioneri i 100% i aksioneve të “Tirana International Airport”, që menaxhon koncesionin e aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza”.
“Kastrati Group” i bleu aksionet nga “Real Fortress Private Limited”, në pronësi të grupit kinez të shërbimeve financiare “China Everbright”, që në prill 2016 se kishte nënshkruar marrëveshjen për blerjen e të drejtave koncesionare në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës.
Marrëveshja mes “Kastrati Group” dhe “Real Fortress Private Limited” është nënshkruar më 1 dhjetor 2020 dhe është regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit më 18 dhjetor. Sipas kontratës, grupi Kastrati do të paguajë gjithsej 71 milionë euro përmes dy pagesave.
Qeveria e justifikoi këtë zgjatje me uljen e tarifës së pasagjerit (nga 13 në 10 euro) dhe angazhimin për 100 milionë euro investime. “Kompania do të detyrohet të ule fitimet e saj si rezultat i reduktimit të tarifës për pasagjerët, si dhe, nga ana tjetër, do të duhet të investojë shumën e parashikuar (mbi 99 milionë euro) tërësisht nga fondet e veta”, thuhet në relacion.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.