Në Tiranë është hapur sot panairi i turizmit “Shqipëria turistike 2012” ku marrin pjesë përveç operatorëve shqiptarë edhe ata nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi e Turqia. Në ceremoninë e hapjes së këtij panairi, nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Edmond Panariti tha se do të hartohet një program rehabilitimi me financime, jo vetëm për t’i ruajtur, konservuar dhe nxjerrë në pah vlerat e kryeqytetit, por edhe për t’i bërë pjesë të axhendës turistike. “Ne nuk do të promovojmë vetëm mozaikë, kulla, apo shtëpi të vjetra, muze, por do të organizojmë edhe aktivitete të ndryshme artistike,kulturore, ekonomike, artizanale. E kaluara do të jetë prezent me historinë dhe vlerat më të mira që do të materializohen nëpërmjet punës së artizanëve të Tiranës, stendave turistike, në mënyrë që këto perla të trashëgimisë kulturore të jenë ndër vendet më të vizituara në qytetin e Tiranës” tha Panariti.
Sipas tij Bashkia e Tiranës do të rrisë në mënyrë sistematike kontaktet me bashkitë më të rëndësishme të rajonit, veçanërisht me ato bashki që drejtohen nga shqiptarët dhe ku shumica e qytetarëve atje janë shqiptarë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.