Mbrëmjen e së martës policia ka zhvilluar një aksion në Gjakovë ku ka bastisur disa lokale nën dyshimin se po kryhej veprimtari ilegale e lojërave të fatit. Operacioni policor është udhëhequr nga Drejtoria për hetimin e krimit të organizuar, në mbështetje edhe të njësiteve të specializuara të Policisë së Kosovës.
Përmes një njoftimi për media, Policia e Kosovës ka treguar bilancin e aksionit të koduar me emrin “Basti”, të realizuar në Gjakovë. Tetë persona janë arrestuar dhe janë dërguar në mbajtje për 48 orë.
Policia thotë se Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar, pas disa informatave të pranuara nga burime të sigurta, angazhimit të zhvilluar në terren për verifikim të informacionit si dhe veprimeve tjera hetimore është konfirmuar se në disa lokacione në Gjakovë është duke u zhvilluar veprimtari e kundërligjshme e lojërave të fatit, të cilat kohë më parë janë ndaluar me ligj.
Me këtë rast, Policia e Kosovës ka siguruar urdhër-kontroll nga Gjykata Themelore në Gjakovë, ku me 09.07.2019 janë kontrolluar nëntë lokale të ndryshme, në të cilat është vërtetuar se ishin duke u zhvilluar lojëra të fatit.
“Operacioni policor është mbështetur nga Njësia Speciale Operative, Krim Teknika Gjakovë, njësi tjera relevante dhe inspektorë komunalë të KK Gjakovë”, thuhet në njoftim.
Si të dyshuar nga policia janë arrestuar tetë të dyshuarit: I. B. viti i lindjes 1976; B. M. viti i lindjes 1993; V. P. viti i lindjes 1981; A. Sh. viti i lindjes 1989; E. N. viti i lindjes 1988; J. B. viti i lindjes 1980; L. A. viti i lindjes 1992 dhe G. A. viti i lindjes 1989, që të gjithë meshkuj të komunitetit shqiptar.
“Si prova materiale përkohësisht janë sekuestruar dëshmi relevante që do përdoren në procedura të mëvonshme gjyqësore. Të dyshuarit, pas intervistës, me vendim të prokurorit të PTH Gjakovë janë dërguar në mbajtje deri në 48 orë”, thuhet në njoftimin e PK-së.
Kujtojmë se në Kosovë nga muaji maj ka hyrë në fuqi Ligji që ndalon funksionimin e bizneseve të lojërave të fatit për 10 vitet e ardhshme në Kosovë. Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka nisur ditë më parë revokimin e licencave të këtyre bizneseve, me qëllim të zbatimit të Ligjit për ndalimin e lojërave të fatit.
“Ky revokim i licencave hynë në fuqi nga me 10 maj dhe çdo ushtrim i aktivitetit të lojërave të fatit pas kësaj date do të konsiderohet aktivitet i kundërligjshëm, kështu që institucionet e zbatimit të ligjit sipas nevojës do të veprojnë sipas detyrës zyrtare”, kanë thënë në ATK.
Kazinotë dhe qendrat e basteve sportive u mbyllën pasi ndodhën dy vrasje në lokalet ku ushtrohej veprimtaria e lojërave të fatit. Një vrasje ndodhi në Suharekë dhe një tjetër në qytetin e Lipjanit.
Këto vrasje tronditën gjithë vendin, ndërsa pas vendimeve nga institucionet njësitet e Policisë së Kosovës së bashku me inspektorë tatimore e doganierë morën menjëherë aksion që t’i bastisin bizneset e lojërave të fatit.
/Monitor.al/.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.