Bashkimi Europian i ka dhënë fund mosmarrëveshjes ligjore me AstraZeneca, duke njoftuar se ka arritur një marrëveshje për të siguruar shpërndarjen e dozave të mbetura të vaksinës kundër COVID-19 në vendet e BE-së.
Në total, kompania do t’i sigurojë bllokut 300 milionë doza – shifra për të cilën ra dakord fillimisht kur nënshkroi kontratën me Komisionin Europian në gusht 2020.
“Marrëveshja e sotme garanton dërgimin e 200 milionë dozave të mbetura të vaksinës COVID-19 nga AstraZeneca në BE”, tha Stella Kyriakides, komisionere e BE-së për shëndetësinë.
“Megjithëse këtë javë arritëm objektivin e rëndësishëm për të vaksinuar 70% të popullsisë së rritur të BE-së, ka ende dallime të konsiderueshme në normat e vaksinimit midis shteteve tona anëtare dhe disponueshmëria e vaksinave, përfshirë ato nga AstraZeneca, mbetet vendimtare”.
Portugalia, Malta dhe Spanja po udhëheqin në fushatën e vaksinimit të BE-së, me më shumë se 78% të popullsisë së tyre pjesërisht të vaksinuar. Por shkalla e vaksinimit është 27% dhe 16% në Rumani dhe Bullgari, duke krijuar një ndarje të madhe Perëndim-Lindje.
Vonesat nga AstraZeneca dhe reputacioni fillestar negativ i vaksinës, i kanë shtyrë shtetet anëtare të mbështeten më shumë tek Pfizer-BioNTech dhe Moderna për vaksinimin e popullsisë së tyre. Kështu shumë vende kanë doza të tepërta të papërdorura nga AstraZeneca.
Sipas të dhënave nga Qendra Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve, Franca deri tani ka administruar 75.1% të dozave të blera nga AstraZeneca, e njohur zyrtarisht si Vaxzevria. Por shkalla e marrjes është 51.8% në Austri, 44% në Greqi dhe 32.8% në Slloveni.
Marrëdhënia midis Bashkimit Europian dhe AstraZeneca u përkeqësua pasi blloku nisi shpërndarjen e vaksinave në fund të dhjetorit.
Kompania e kishte krijuar vaksinën në partneritet me Universitetin e Oksfordit duke përdorur teknologjinë e vektorit viral. Kjo teknikë përdor një version të modifikuar të një virusi të ndryshëm për të dhënë udhëzime të rëndësishme për qelizat njerëzore me qëllim të stimulimit të imunitetit. Vaksina AstraZeneca mund të ruhet brenda frigoriferëve normalë në temperatura nga 2 deri në 8 gradë Celsius.
Shumë herët, u bë e qartë se AstraZeneca nuk po arrinte dot të përmbushte numrin e premtuar të dërgesave për tremujorin e parë të vitit 2021, i cili arrinte në 90 milion doza. Kompania më pas i uli objektivat e saj deri në 30 milion doza.
Ky lajm zemëroi Brukselin dhe shkaktoi shqetësim midis qeverive kombëtare, të cilat kishin planifikuar fazën e parë të fushatës së vaksinimit duke u mbështetur tek AstraZeneca dhe Pfizer.
Shpërndarja e vaksinave AstraZeneca pësoi një pengesë tjetër kur shumë vende europiane vendosën të ndalojnë përdorimin e vaksinës për shkak të disa rasteve shumë të rralla të mpiksjes së gjakut. Agjencia Europiane e Barnave më vonë gjeti një “lidhje të mundshme” midis vaksinës AstraZeneca dhe kësaj gjendjeje mjekësore, por këmbënguli se përfitimet nga përdorimi i vaksinës vazhdojnë t’i tejkalojnë rreziqet.
Për më tepër, komentet e bëra nga presidenti francez Emmanuel Macron, i cili e quajti vaksinën “thuajse joefektive” për njerëzit mbi 65 vjeç, i dhanë një tjetër goditje imazhit publik të kompanisë.
Sidoqoftë, pavarësisht sulmeve intensive nga politikanët dhe mediat, AstraZeneca nuk arriti të përshpejtojë dërgesat dhe të kompensojë për vonesat. Kompania u mbrojt, duke argumentuar se procesi i prodhimit të vaksinave është i gjatë dhe kompleks dhe nuk mund të përshpejtohet lehtë.
Tashmë veprimet ligjore të Komisionit Europian kundër AstraZeneca anulohen si rezultat i marrëveshjes së arritur të premten./ Euronews