Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim është gati të bëhet investitor në zbatimin e projektit të gazsjellësit Trans-Adriatic Pipeline (TAP) së bashku me partnerë të tjerë.
“Është e parakohshme që të japim më shumë detaje rreth këtij angazhimi”, tha një burim i brendshëm i bankës për azernews.
Më herët, ka qenë vetë presidenti i BERZH-it, Suma Chakrabarti, i cili pati deklaruar se gazsjellësi TAP është një projekt me rëndësi të madhe, duke qenë se do të shërbejë për sigurimin e qëndrueshëm të energjisë përmes burimeve që nuk shkaktojnë ndotje ekologjike.
“BERZH, në sektorin e energjisë, është i vetëdijshëm për nevojën për të siguruar energji për Europën me kosto të përballueshme dhe të pranueshme nga pikëpamja e ndryshimeve klimatike. Në këtë kontekst, ne jemi pozitivë në lidhje me gazsjellësit Trans-Adriatik, një projekt që zhvillon tre karakteristikat e sigurisë së energjisë, qasjen e energjisë dhe qëndrueshmërinë e mjedisit”, tha z. Chakrabarti.
Në mesin e vitit 2016 ishte drejtori për Energjinë në BERZH, Riccardo Puliti, i cili deklaroi se banka po shihte mundësinë për të grumbulluar një hua prej 1.5 miliardë eurosh për këtë projekt, nga të cilat 1 miliard do të duhen të merren nga institucionet e tjera dhe pjesa tjetër (500 mln euro) do të sigurohet nga vetë BERZH.
Kjo do të ishte huaja më e madhe që BERZH do të mund të siguronte.
Edhe Banka Europiane e Investimeve po konsideron si të mundshme investimin në këtë projekt, në masën e rreth 2 miliardë eurove.
Gazsjellësi TAP, që do të shtrihet në një gjatësi 870 kilometër, do të lidhet me gazsjellësin Trans Anatolian Pipeline (TANAP) në kufirin turko-grek. Kapaciteti fillestar do të jetë 10 miliardë metër kub gaz natyror në vit, për të arritur në 20 miliardë metër kub.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.