Bizneset me mbi 50 të punësuar kanë ulur investimet gjatë vitit 2018. Sipas të dhënave paraprake nga Anketa Strukturore e Bizneseve, në total bizneset me shumë të punësuar investuan 144.27 miliardë lek, e cila në totalin e investimeve të bizneseve aktive zinte 60.5%. Një vit më parë, edhe pse më të pakta në numër, bizneset me mbi 50 të punësuar patën investime me një vlerë që i kalonte 162.1 miliardë lekë, apo rreth 10% më shumë se viti 2018. Në total gjatë 2017-s pesha e investimeve në totalin e investimeve të kryeara nga bizneset aktive ishte 70.1%.
Po ashtu edhe bizneset me 5 deri në 9 të punësuar patën një reduktim të fortë të vlerës së investimeve. Sipas të dhënave të anketës kjo kategori biznesi pakësoi investimet me 2.4 herë në raport me një vit më parë. Vlera investimeve ishte 5.9 miliardë lekë, nga 13.9 që u vlerësua në 2017.
Megjithatë ndryshe ka ndodhur me biznesin e vogël, i cili edhe pse është tkurrur në numër dhe po përjeton vështirësi për shkak të strukturimit të ekonomisë, ka rritur investimet, duke reflektuar kështu edhe rritje të shitjeve neto. Edhe pse në numër më të vogël, bizneset me 1 deri në 4 të punësuar, kanë realizuar në vitin 2018 248.8 miliardë lekë shitje neto nga 245 miliardë që ishin një vit më parë. Kjo reflekton edhe përpjekjet e biznesit të vogël për tu bërë më konkurrues, i cili gjithashtu ka rritur edhe numrin e të punësuarve, edhe pse duhet theksuar se këto biznese shpesh kjanë të karakterit familjar dhe burim vetëpunësimi. Mesatarisht një biznes i vogël i kësaj kategorie përgjigjet për më pak se dy të punësuar (1.6) me një rritje të lehtë në krahasim me një vit më parë.
Rritje të investimeve kanë pasur edhe bizneset me 10-49 të punësuar, vlera totale e investimeve të të cilave përllogaritet prej 62.5 miliardë lekë (apo 26.3% e totalit) nga 41.2 miliardë që ishin një vit më parë.
Në total sipas INSTAT, gjatë vitit 2018, investimet e realizuara u rritën me 2,8 %. Megjithatë INSTAT shpjegon se ishin prodhuesit e shërbimeve ata të cilët kontribuuan pozitivisht me 8 pikë përqindje, ndërsa prodhuesit e të mirave kontribuuan negativisht me 5,2 pikë përqindje.
Prodhuesit e shërbimeve zunë 37,9 % të investimeve, nga 30,7 % që zinin vitin e kaluar. Sektori me vlerën më të lartë të investimeve të realizuara është ai i energjisë elektrike dhe ujit, i cili për vitin 2018 ka investuar 54 miliardë lekë, duke zënë 22,9 % të investimeve gjithsej.
Peshën më të vogël të investimeve e zënë sektorët e akomodim dhe restorante (3,1 %) dhe transport dhe komunikacion (6,4 %).
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.