Sipërmarrësit italianë e shikojnë Shqipërinë si një vend tërheq për të investuar. Në takimin që zëvendësministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Enno Bozdo pati me një grup përfaqësuesish të biznesit italian të kryesuar nga Presidenti i Nderit i Konfindustrisë Giovanni Firera u prekën të gjitha fushat mbi investimet në ekonomi, energji të rinovueshme, në sektorin ushqimor, në agrobiznes, në sektorin farmaceutik dhe në ndërtimi. Zëvendësministri Bozdo tha se reformat që ka marrë qeveria shqiptare në drejtim të klimës së biznesit, thithjes së investitorëve të huaj dhe në tërësinë e strukturës së ekonomisë shqiptare janë të duhurat për afrimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian. “Shqipëria ofron shumë mundësi për të investuar në sektorin e naftës, gazit, turizmit, farmaceutikës etj., jo vetëm për shkak të fleksibilitetit të tregut, por të regjimit të ulët fiskal” tha z. Bozdo.
Presidenti i Nderit i Konfindustrisë në Itali, Giovanni Firera tha se rreth 30 biznese nga Sicilia dhe rajoni i Piemontes kanë shfaqur interesin për të investuar në Shqipëri. “Pas trazirave të fundit në tregjet tona tradicionale (Tunizi, Egjipt etj), investimet italiane kanë hasur në vështirësi, duke parë si alternativën më të mirë, shtetin e saj fqinj, Shqipërinë, e cila edhe për shkak të pozicionit të saj gjeografik, shihet si një vend mjaft tërheqës për investime” tha z. Firera.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.