Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim planifikon të investojë rreth 300 milionë euro (323 milionë dollarë) në vitin 2020 për të ndihmuar Bosnjën të përmirësojë infrastrukturën, efikasitetin e energjisë dhe sektorin privat.
BERZH, e cila u krijua në 1991 për të investuar në ekonomitë ish-komuniste të Europës Lindore dhe që tani po operon në 38 vende, është donatori më i madh multilateral në Bosnjë. Deri më tani, BERZH ka investuar 2.5 miliardë euro përmes 165 projekteve të zhvilluara atje.
Manuela Naessl, e cila do të marrë përsipër pozicionin e saj në tetor, tha se përparësia e BERZH-it është të ndihmojë vendin e Ballkanit të përfundojë një autostradë pan-europiane nga veriu drejt jugut që lidh Budapestin në veri me portin kroat të Ploce në jug.
“Ky është një projekt shumë i rëndësishëm në drejtim të infrastrukturës, të zhvillimit ekonomik dhe lidhjeve të saj me tregjet perëndimore”, tha ajo për Reuters. Znj. Naessl tha se BERZH do të vazhdojë të ndihmojë në përmirësimin e klimës së biznesit dhe të mbështesë Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme, duke shtuar se turizmi, automobilizmi dhe agrobiznesi mund të shndërrohen në një shtyllë kurrizore të ekonomisë. BERZH është përqendruar edhe në projektet e energjisë, veçanërisht në energjinë e gjelbër, pas miratimit në dhjetor të një strategjie të re që ndalon të gjitha projektet e qymyrgurit.