Buna fatkeqësisht po shkon në degradim të plotë. Për herë të fundit ky lum është thelluar 67 vjet më parë. 80% të gjatësisë së saj e lundrueshme. 30 km plazhe me cilësi tepër të veçantë.Zhvillimet ekonomiko-shoqërore të fushës së Nënshkodrës dhe asaj të Ulqinit, që në lashtësi e deri në ditët tona, nuk mund të merren të shkëputura nga roli që ka luajtur lumi Buna. Të dhënat arkeologjike, dëshmojnë se jeta bujqësore në këtë zonë ka vazhdimësi mbi 4,700 vjeçare, veprimtari kjo që përkon me atë të popujve të tjerë të përparuar të Mesdheut Europian. Në rajonin e Shkodrës dhe zonën ngjitur brigjeve të Bunës, bujqësia vazhdimisht ka mundësuar jetesën në rritje të popullsisë dhe ka siguruar barazpesha ekonomike e shoqërore të pavarura. Nga liqeni i Shkodrës, ku Buna fillon shtratin, e deri në grykëderdhjen e tij në det (Buna është ndër lumenjtë e rrallë të Adriatikut me deltë të vetën natyrore), përbëhet nga tre ishuj aluvional: Ada, Ishulli i Franc Jozefit dhe Ishulli i Renes, të krijuar në vitet l882-l952. Në regjimin ujor të lumit Buna, kanë lidhje dhe disa laguna, si ajo e Vilunit, Murtepizes, Liqeni i Shasit, Këneta e Damnit etj. Janë për tu përmendur edhe disa objekte kulti si: Kishat e Shën Kollit, Shën Gjergjit, Shën Baftit, e Premtes së Shenjtë etj. Flora & Fauna Në lumin Buna jetojnë mbi 30 lloje peshku si: krapi (cyporinus carpio), gjuhcat (alburnus alburnus), ngjala (anguilla anguilla), blini (acipenser sturio), kubla (alosafallax nilotoca) etj. Një nga veprat më jetëgjatë në praktikën e gjuajtjes së peshkut në Lumin Buna, janë Dajlanet e Shkodrës, të cilat janë një pasuri kulturore dhe me shumë vlerë. Po kështu lumi Buna, është i pasur edhe me shpendë nga më të ndryshmit dhe më të larmishmit si: karabullaku i vogël (phalacrocrax pygmeus), pulëbardha e zakonshme dhe dallëndyshja e detit (sterna sandricensis) etj. Ndërsa në brigjet e Bunës, gjenden edhe mjaft lloje bimësh. Ndër më kryesoret janë: plepi (populus), shegat (salix), frashëri (fraxinus), rrënjë (quer cus) etj. Këtu rriten edhe shumë kafshë, ku lundërza (lundra) është nga më të njohurat. Të gjitha këto e bëjnë lumin Buna dhe brigjet e tij, një zonë me vlerë të rëndësishme, kryesisht për biodiversitetin që mbart, por edhe për studiuesit e kësaj fushe, ku dihet se në Shkodër dhe Podgoricë, ushtrojnë veprimtarinë e tyre dy universitete me kapacitete të konsiderueshme, që kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin kontributin e tyre në këtë sektor, si dhe organizma ndërkombëtare që merren me problemet e ndryshme në drejtim të përmirësimit të mjedisit dhe japin zgjidhje për zhvillimin dhe qëndrueshmërinë e tij, si REC (Qendra Rajonale e Mjedisit për Europën Qëndrore dhe Lindore) etj.Popullsia dhe ekonomia Kodrat që kufizojnë fushat e Bunës, kanë qenë vendbanime dy mijë vjeçare. Sipas dokumenteve, vendbanimet përgjatë lumit njihen që në shekullin e XV. Veçanërisht proceset demografike janë zhvilluar vrullshëm në dy shekujt e fundit. Sot përgjatë brigjeve të Bunës, ndodhen 20 fshatra me popullsi të përgjithshme, mbi l5 mijë banorë. Përgjithësisht, popullsia është e arsimuar dhe e civilizuar, për shkak të komunikimit që qyteti i Shkodrës ka me Ulqinin. Bujqësia dhe blegtoria kanë qenë vazhdimisht degët bazë të ekonomisë. Në rreth 20 mijë hektarë të Fushës së Bregut të Bunës, jane kultivuar rreth l,300 kultura bujqësore. Deri në vitin l950 prodhimet ishin tradicionale dhe të pastërta nga pikëpamja ekologjike. Nga mesi i shekullit XIX deri në fillim të shekullit XX, në Bunë ka qenë zhvilluar lundrimi dhe ka pasur një komunikim të vazhdueshëm me veriun e Italisë. Nëpërmjet Bunës është transportuar sasi e madhe gruri, misri, bagëti, lëkurë, mjalt, verë, vaj ulliri, peshk, mëndafsh etj.Buna, mund të lundrohetLumi Buna ka tërhequr përherë vëmendjen e përfaqësuesve europianë dhe shqiptarë të mjedisit, pasi kthimi i tij në të lundrueshëm për anijet e çfarëdolloji, mund të sjellë të ardhura të pallogaritshme për qytetin e rrethuar nga ujërat dhe për banorët e tij. Deri në vitet 50-të, Buna ka qenë i vetmi lum i lundrueshëm në vendin tonë. Pas këtyre viteve, si rezultat i prurjeve të shumta nga lumenjtë Kir dhe Drin, shtrati i Bunës është mbushur me materiale të ndryshme inerte, të cilat kanë bërë të pamundur lundrimin në të. Nëpërmjet këtij lumi, në atë periudhë tregtarët vendas me anë të varkave në fillim me avull dhe më vonë me motorr, kanë zhvilluar tregti me Italinë fqinje, Egyptin e largët dhe me vende të tjera të Botës, pasi ky lum shërbente dhe ishte i vlefshëm për të gjitha lundrimet ndërkombëtare. Ndërsa pas këtyre viteve, lumi Buna fatkeqësisht ndodhet në një gjendje jo të përshtatshme dhe po vazhdon të shkojë gjithnjë në degradim të plotë. Aktualisht shtrati i Bunës është i mbushur nga ndotje të shumta (të ardhura sidomos në periudhën e rreshjeve në këtë rajon), të cilat pengojnë punën për thellimin e tij. Për herë të fundit ky lum është thelluar 67 vjet më parë. Ndërkohë që projekte për thellimin e Bunës, devijimin e Drinit nga lumi Buna, ndërtimi i hidrocentralit të Bushatit në këto ujëra, hera-herës kanë tërhequr vëmendjen e specialistëve të mjedisit (projekti ARNI), të cilët kanë bërë përpjekjet e tyre për një plan zhvillimi në përgjithësi për Shkodrën, mjedisin e rrethinat e saj. Ndërkaq një ndërhyrje e menjëhershme në këtë proces është e domosdoshme të bëhet në njërin prej segmenteve kryesore ujore, atij prej l2 km, që fillon tek Ura e Bunës dhe shkon deri ne fshatin Shirq, thellimi i të cilit e barazon me pjesën tjetër të Bunës që ka një thellësi të kënaqshme për lundrim. Derdhja e ujërave të zeza vazhdon të ndotë lumin Buna, sidomos atëherë kur nuk funksionon normalisht stacioni i pompave (mungesa e energjisë elektrike). Shkodra sot ka akoma në funksion një rrjet kanalizimesh të projektuar që në vitet 70, i cili nuk është i aftë teknikisht të përballojë nevojat e qytetit. Edhe sistemi i ujërave të bardha nuk është në gjendje të mirë, pasi kolektorët, të cilët shfytëzohen për të larguar ujin nga qyteti, janë ndërtuar që në vitet 30. Buna, së bashku me liqenin e Shkodrës dhe bregdetin, ofrojnë mundësi të mëdha për zhvillimin e turizmit. Larmia dhe bukuria natyrore, si dhe biodiversiteti i lartë, janë burime të rëndësishme për zhvillimin e ekoturizmit në të ardhmen. Peshkimi sportiv, gjuetia sportive, turizmi aeronautik etj., përbëjnë kapacitete pak të shfrytëzuara që ofron lumi Buna. Në vend të mbylljesPrania e dy skelave, në Ulqin dhe Shëngjin, si dhe mundësia që ofron Buna që në 80% të gjatësisë të jetë e lundrueshme, si dhe mundësia që 30 km plazhe me cilësi tepër të veçantë, kërkon ndërhyrjen e menjëhershme nëpërmjet projekteve dhe investimeve, të cilat çojnë në realizimin e shumë kapaciteteve me efekt ekonomik, që ndikojnë shumë në ndryshimin e gjendjes së sotme. Vetëm në këtë mënyrë bëhet e mundur që e gjithë kjo pasuri natyrore e papërsëritshme, të ruhet e padëmtuar. Nga ana tjetër, brezat pasardhës do të kenë përse të punojnë e të kontribuojnë për administrimin e pasurive natyrore që ofron ky rajon verior i Shqipërisë, sa i pasur, aq edhe me vlerë. Për ti bërë realitet të gjitha këto, është e nevojshme së paku lidhja me autostradë me Malin e Zi, vënia në eficiencë e aerodromit dhe ngritja e disa qendrave në Lumin Buna në të dyja anët shtratit në Sukobinë. Lidhjet me investitorë vendas dhe të huaj, do të rrisin investimet dhe realizojnë projekte të përshpejtuara e bashkëkohore. Vetëm kështu, kjo pasuri me vlera të mëdha, do të bëhej e njohur dhe do ti shërbente bashkësisë dhe veprimtarive jo vetëm turistike, por edhe atyre shkencore.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.