Bursa Shqiptare e Energjisë Elektrike(ALPEX) hapi këtë të premte për herë të tretë procedurën e prokurimit që në objekt të saj sigurimin e platformës së tregtimit për tregun e ditës në avancë dhe atë brenda të njëjtës ditë, infrastruktura dhe shërbimet e kërkuara për operimin e tregut të organizuar në Shqipëri dhe Kosovë.
Në dokumentet e bëra publike ALPEX argumenton se pse tenderi dështoi në dy herët e mëparshme duke sqaruar se në mars kur ishte prokurimi i parë kishte vetëm një operator në garë ndërsa në rastin e gushtit kishte të paktën dy ku njëri prej tyre i plotësonte kriteret por që u s’kualifikua për një gabim aritmetik.
“Procedura e parë e prokurimit me numër REF-90228-03-17-2021, si datë e hapjes së ofertave ishte përcaktuar data 18.03.2021 por u shty deri në datën 17.05.2021, si rezultat i ndryshimit të disa prej kritereve me sugjerim të APP. Kjo procedurë rezultoi jo e suksesshme pasi u paraqit vetëm një operator ekonomik i cili i s’kualifikua për mos plotësim kriteresh. Ne si Autoritet Kontraktor bëmë analizën e nevojshme për këtë procedurë duke arritur në konkluzion së bashku me konsulentin tonë USAID që të ndryshonim disa kritere teknike. Për procedurën e dytë me numër REF-98496-06-18-2021, hapja e ofertave ishte përcaktuar data 21.06.2021 por u shty përsëri deri datë 02.08.2021 për një ndryshim në kriteret e kualifikimit si sugjerim i APP. Për këtë procedurë kishin aplikuar dy operatorë ekonomik nga ku rezultoi që njëra nga ofertat nuk i plotësonte kriteret. Ndërkohë oferta tjetër pas një vlerësimi të hollësishëm rezultoi që plotësonte të gjitha kriteret e kërkuara por formularit të ofertës ekonomike u paraqit me një gabim aritmetik që kalonte vlerën 2% të totalit të ofertës e cila detyroi KVO ta skualifikonte” thuhet në dokument.
Dështimi i procedurave të tenderimit e ka çuar vonesën e nisjes së mundshme të Bursës në operim të paktën me disa muaj nga data fillestare.
ALPEX vlerëson se nga gjithë kronologjia rezulton një shtyrje për momentin 5 mujore e parashikimit të përzgjedhjes së platformës së organizuar për tregtimin e energjisë elektrike në bazë të ditës në avancë dhe/ose brenda së njëjtës ditë.
Ashtu sikurse në dy procedurat e mëparshme edhe këtë herë fondi limit për kontratën është 225 milionë lekë apo rreth 1.84 milionë euro. Data e fundit për dorëzimin e ofertave është lënë 16 shtatori.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.