Presioni i qeverisë italiane, që vështirësoi rregullat për delokalizimin nga Italia dhe konkurrenca nga bizneset, që kryejnë shërbime marketingu për forex, po e dobëson sektorin që lulëzoi disa vjet më parë.
Intercom Data Service raportoi dyfishim të fitimeve në 1 miliard lekë, por që ka ardhur nga arkëtimi i të ardhurave të prapambetura, teksa ecuria e aktivitetit të vitit korent ishte me rënie.
Normat e fitimit mbeten ende dyshifrore, por ato kanë rënë nga niveli i 25-30% që ishin vitet e kaluara, duke zbritur nën 20%.
Albania Marketing Service pa rënie të lehtë të të ardhurave me 2%, në 645 milionë lekë, me normë kthimi prej 18.5%.
Për Albacall, fitimet u reduktuan për të dytin vit radhazi, por në 2017-n tkurrja ishte më e fortë, prej 36%, duke arritur në 308 milionë lekë. Norma e fitimit zbriti në 10%.
Operatorët e call center pohojnë se presioni i qeverisë italiane dhe aktiviteti i Forex, që po u merr punonjësit, po e dëmtojnë aktivitetin e tyre. Ata parashikojnë që tregu do të përqendrohet në 4-5 kompani të mëdha dhe të tjerat do të mbyllen gradualisht.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.