Vlerësimet (nga burimet e llogaritjet e Monitor) janë se buxheti do të paguajë rreth 4 milionë euro në vitin e parë, 2 nga mosplotësimi i të ardhurave nga tarifa dhe 2 të tjera shtohen pas përjashtimit të pagesës dy herë për të njëjtin mall…
Nuk janë vetëm bizneset që po paguajnë 22 euro për çdo deklaratë doganore mbi 1000 euro dhe 5 euro për ato nën 1000 euro, për hir të kontratës për skanimin e kontenjerëve, që ka hyrë në fuqi në 7 shtator. Edhe buxheti i shtetit do të paguajë për këtë kontratë, çka nënkupton se më shumë para nga taksapaguesit do shkojnë në favor të koncesionarit.
Kjo është pohuar nga ministri i financave Shkëlqim Cani, në një konferencë për shtyp. “Buxheti do japë para në pjesën e vet dhe në varësi nga përjashtimet, se po bëjmë përjashtime”, ka pohuar ai, pa dhënë një shifër të saktë. Cani ka sqaruar githashtu se marrëveshja është se paguhet 22 euro për deklaratë pavarësisht nëse bëhet apo jo skanimi, se përndryshe do i binte mbi 120 euro të paguanin ata që u skanohej malli. Ai pranoi dhe faktin që ka pasur probleme dhe po rishikohet që bizneset të mos paguajnë dy herë tarifën për të njëjtin mall.
Pse do paguajë buxheti për koncesionarin?
Po pse do të detyrohet të paguajë shteti për koncesionarin dhe sa. Në marrëveshjen e rishikuar, ndryshe nga e mëparshmja, buxheti i shtetit merr përsipër kompensimin e kostove të pambuluara me të ardhura në 7 vitet e para të aktivitetit të skanimit, ndryshe nga kontrata e mëparshme, ku koncesionari do të merrte direkt tarifën prej 39 eurosh për çdo deklaratë doganore, duke bërë që risku i humbjeve të merrej përsipër nga ky i fundit. Në total për 15 vite, Rapiscan do të marrë sipas kontratës së re 210 milionë euro. http://www.monitor.al/prapaskenat-e-kontratave-me-rapiscan-pse-marreveshja-e-dyte-eshte-me-penalizuese/
Kontratat e re përcakton që tarifa vjetore e vendit gjatë 12 muajve të parë, duke filluar nga data e fillimit, do të jetë 2.2 milionë euro për një pikë skanimi, ose 11.3 milionë euro për të 5 pikat gjithsej të skanimit (tre fikse dhe dy të lëvizshme).
Në vitin bazë që merret si pikënisje për llogaritjet, numri i deklaratave doganore me vlerë mbi 1 000 (një mijë) euro është afërsisht 400 mijë copë. Numri i deklaratave doganore me vlerën nën 1 000 (një mijë) euro është rreth 35 mijë copë. Nga një llogaritje e thjeshtë, shuma që shteti do të mbledhë nga këto tarifa nuk i kalon 9 milionë euro. Duke qenë se ai duhet t’i japë koncesionarit 11.3 milionë euro, duhet të paguajë nga buxheti diferencën prej 2.3 milionë euro, që në vitin e parë.
Duke u shtuar dhe humbjen nga përjashtimi i pagesës së tarifës për disa kategori biznesesh, Monitor ka mësuar se biznesit i ulen 2 milionë euro pagesa, që duhet t’i paguajë buxheti, duke e çuar në rreth 4 milionë euro shumën që duhet të mbulojë buxheti vetëm vitin e parë.
Drejtoria e Përgjithshme e Doganave i ka dërguar ministrit të financave një “Propozim mbi perjashtimin nga pagesa e tarifës së shërbimit të skanimit të disa procedurave doganore”, ku kërkohet shmangia e pagesës së tarifës së shërbimit 2 ose më shumë herë për të njëjtin mall duke përjashtuar pagesën për:
– mallrat e vendosur në regjimin e tranzitit të brendshëm (p.sh. nisja nga Dega Doganore Durrës tranzit për në Degën e Doganës Tiranë);
Në këtë rast, tarifimi do të bëhet në momentin e deklarimit në Degën e Doganës Tiranë.
– mallrat që dalin nga Magazina Doganore (pas vendosjes së tyre në Magazinimin Doganor) me përjashtim të rieksportit;
Në këtë rast, pagesa e tarifes kryhet në momentin e futjes në magazinimin doganor dhe gjithashtu, kur mallrat rieksportohen pasi ato ngarkohen në një mjet të ri transporti -objekt kontrolli.
– mallrat që hyjnë në Magazinat e Lira dhe gjithashtu mallrat që dalin me procedurë rieksporti nga Magazina e Lirë;
Në këtë rast, vjelja e tarifes për këto mallra vilet në momentin e hedhjes në qarkullim të lirë në territorin shqiptar ose në proceduren e tranzitit ndërkombetar për mallrat që dalin jashtë territorit doganor shqiptar. Vendosja e mallrave në magazinat e lira me deklatare doganore dhe gjithashtu nxjerrja e tyre për rieksport po me deklaratë doganore, bëhet vetëm për qëllime kontabilizimi stoku në magazinat e lira.
– mallrat që shkatërrohen;
Në këtë rast, mallrat e kanë paguar tarifën në momentin e vendosjes së tyre në regjimet përkatëse doganore (p.sh. regjime pezulluese) ndërkohe që mbetjet pas përpunimit, firot, apo mallrat cenuese të pronësisë intelektuale përjashtohen nga pagesa)
– mallrat që vendosen në qarkullim te lirë pas vendosjen në regjimet doganore pezulluese (RLP, RPA);
Ne këtë rast, mallrat e kanë paguar tarifën në momentin e vendosjes së tyre në regjimet pezulluese doganore.
– transferimet nga një regjim pezullues/ekonomik në tjetrin.
Ne këtë rast, mallrat e kanë paguar tarifen në momentin e vendosjes së tyre në regjimet pezulluese/ekonomike doganore.
shmangien e pagesës së tarifës së shërbimit për mallrat e përjashtuara plotesisht nga detyrimet doganore (ndihmat humanitare, ngarkesat në zbatim të konventes së Vjenës për misionet diplomatike, ngarkesat e NATOs, etj.).
http://www.monitor.al/doganat-propozojne-perjashtimin-nga-pagesa-e-tarifes-se-sherbimit-te-skanimit-te-disa-procedurave-doganore/
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.