Çekët diskutojnë ‘korridorin korona’ për të ndihmuar turizmin kroat

08/05/2020 10:08 PM 0 komente

Çekët po përpiqen të shpëtojnë planet e verës dhe të ndihmojnë njëkohësisht sezonin turistik në Kroaci. Shoqatat e udhëtimit çeke kanë propozuar një “korridor korona” në bregun e Adriatikut. A është ky një plan realist, apo jo?

Shoqatat e udhëtimit në Republikën Çeke propozuan idenë e të ashtuquajturit “korridori korona” në bregun Adriatik, duke u mundësuar vizitorëve të huaj të anashkalojnë periudhën e izolimit të detyrueshëm 14-ditor. Kryeministri kroat, Andrej Plenkoviç, raportohet se ka folur me homologun e tij çek, Andrei Babis, për të diskutuar mbi idenë.

Bllokimet kanë ndalur në vend sektorin e turizmit dhe Organizata Botërore e Turizmit e Kombeve të Bashkuara (UNWTO), ka paralajmëruar se pandemia mund të çojë në uljen e ardhjeve ndërkombëtare të turizmit me 20-30% këtë vit. Industria europiane e turizmit, pritet të pësojë humbje të thella financiare prej afro 1 miliard eurosh (1.15 miliardë dollarësh) në muaj, tha Komisioneri Europian për Tregjet e Brendshme, Thierry Breton.

Të ardhurat nga turizmi i Kroacisë pritet të bien 75% këtë vit, tha ministri i Turizmit, Gari Cappelli, në një intervistë për gazetën “Glas Istre”. Të ardhurat nga turizmi kanë thyer rekordet vjetore gjatë viteve të fundit, duke arritur në rreth 10 miliardë euro, në vitin 2019. Kroacia mbështetet në të ardhurat nga turizmi për rreth 20% të PBB-së së saj. Qeveria ka thënë se disa masa mund të lehtësohen nëse shkalla e infeksioneve të reja bie në ditët në vazhdim.

 

Plani

Shoqata Çeke e Agjencive të Udhëtimit propozoi që qeveria çeke të nënshkruajë një traktat me vendet që e kanë mbajtur nën kontroll COVID-19, si Kroacia, Sllovakia dhe vende të tjera më të largëta. Vendi me 4,2 milionë banorë ka raportuar vetëm 33 të vdekur për shkak të koronavirusit, një nga nivelet më të ulëta të vdekshmërisë për person në Europë. Marrëveshja do të lejojë udhëtimin e ndërsjellë për qytetarët në të dyja drejtimet dhe planet e hershme përfshijnë lidhje direkte nga Praga, në Dubrovnik dhe Split. Zyrtarët kroatë thanë se këtë javë po mendojnë për rihapjen e gjireve, disa kampeve dhe hoteleve në zona të largëta.

“Ne u kemi kërkuar ministrive të gjejnë një zgjidhje për të shpëtuar sezonin turistik veror”, tha Jan Papez, presidenti i Shoqatës Çeke të Agjencive të Udhëtimit, për “Jutarnji List”.

Bregdeti Dalmat është një nga destinacionet më popullore për turistët çekë, i njohur zakonisht si “deti ynë”. Mbi 800,000 persona, rreth 8% e popullsisë, i kaluan pushimet në Kroaci vitin e kaluar me 5.4 milionë qëndrime gjatë natës. “Çekët janë pikërisht tregu ku jemi mbështetur më shumë”, tha për “Jutarnji List”, drejtori i Bordit Turistik të Qarkut Split-Dalmatia, Josko Stella. “Ishte e qartë se ata mund të ishin të parët që do të tregonin prirjen për të ardhur në Adriatik, prandaj edhe jemi në kontakt të vazhdueshëm”.

Të hënën, Republika Çeke nisi fazën e parë të lehtësimit të masave, nga pesë faza gjithsej, ku qeveria raportohet se ka diskutuar mbi lehtësimin e kufizimeve të udhëtimit.

Kroacia mund të përfitojë si një destinacion turistik falë afërsisë së saj me Europën Qendrore. “Kjo verë turistike do të jetë krejt e ndryshme nga gjithçka që kemi njohur deri tani”, tha presidenti i Aleancës, German Tour Operators, Norbert Fiebig, në një intervistë me të përditshmen gjermane Tagesspiegel. “Dhe në vendet europiane që kanë realizuar fazën e dytë të luftimit të përhapjes së infeksionit, udhëtimi do të jetë i mundur në kushte të caktuara sigurie”, tha Fiebig.

 

Ballkani

Vendet fqinje të Kroacisë që lagen nga deti Adriatik, Shqipëria dhe Mali i Zi, pritet gjithashtu të goditen rëndë nga rënia e të ardhurave nga turizmi, sipas Skenarit të Stresit Global nga S&P. “Ndikimi pritet të jetë i madh për… ekonomitë e vogla të varura nga turistët si Barbadosi, Aruba, Belize, Kape Verde, Mali i Zi dhe Shqipëria”, tregoi analiza. Mali i Zi mbështetet në turizëm për dy të pestat e totalit të të ardhurave në ekonomi, niveli më i lartë në Europë.

Një monitorues nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD) tha se në Shqipëri, Kroaci, Mal të Zi dhe Gjeorgji, kërcënimi më i madh është mbyllja pothuajse totale e sektorëve të turizmit, pasi hotelet dhe restorantet janë mbyllur dhe fluturimet janë pezulluar, në një kohë kur sektorët e turizmit të katër vendeve, përbëjnë një çerek ose më shumë të PBB-së.

 

Edhe Austria po rihap turizmin

Ndërkohë, studiuesi austriak i turizmit, Andreas Reiter, nga “Kleine Zeitung” tha se dy të tretat e kompanive turistike në vend, nuk do t’i mbijetojnë dot mungesës së turistëve gjermanë këtë verë, grupi më i rëndësishëm i turistëve, që sjellin mbi gjysmën e xhiros së fitimeve. Aktualisht, Austria po pranon në vend vetëm qytetarë të huaj që kanë testuar negativë ndaj koronavirusit.

Por pushuesit gjermanë mund të rikthehen në Austri gjatë verës, tha ministrja e Turizmit, Elisabeth Köstinger. “Kufizimi i lirisë së udhëtimit do të vazhdojë në muajt e ardhshëm. Sidoqoftë, nëse vendet janë drejt një rruge të mirë dhe pozitive, siç është Gjermania, ekziston pa dyshim mundësia që të arrihen marrëveshje dypalëshe”, tha Köstinger .

Shoqata Austriake e Hoteleve (VHV), e cila përfaqëson hotelet me katër dhe pesë yje, parashikon se shitjet do të ulen të paktën me 40-60%. “Biznesi për sezonin e kësaj vere po pëson dëme të mëdha. Një dukuri e tillë nuk ka ndodhur që nga Lufta e Dytë Botërore”, tha zëdhënësi i VHV-së, Martin Stanits. Turistët gjermanë përbënin më shumë se 30% të mbërritjeve në Austri verën e kaluar, sipas statistikave zyrtare. Pjesa që zë turizmi në PBB-në e Austrisë është një nga më të mëdhatë në BE.

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of