Çfarë është ajo që ju motivon? Një nga pyetjet që jo rrallëherë bëhet nga ana e menaxherëve të burimeve njerëzore. Pavarësisht thjeshtësisë në dukje, ka shumë mundësi të kapeni në befasi dhe të mos dini çfarë të përgjigjeni. Për këtë arsye, është mirë të mendoni sesi mund t’i përgjigjeshit kësaj pyetjeje, përpara se të shkonit në një intervistë pune. Të kuptoni se çfarë ju ka motivuar në punën tuaj të mëparshme nuk do t’ju ndihmojë vetëm t’i përgjigjeni kësaj pyetjeje gjatë një interviste pune, por do t’ju ndihmojë gjithashtu të fokusoheni në atë që kërkoni në punën tuaj të ardhshme. Dy kandidatë i përgjigjen pyetjes së motivimit duke reflektuar vlerat dhe atë çfarë është më e rëndësishme për ta.
Përgjigjja e kandidatit të parë: “Në punën time të mëparshme kam punuar drejtpërdrejt me klientët dhe me problemet e tyre. Ajo që më pëlqente më tepër ishte të zgjidhja problemet e tyre dhe t’i ndihmoja. Jo rrallë, kjo më merrte shumë kohë dhe energji, por ndihesha i shpërblyer kur klientët vlerësonin punën time”.
Kjo përgjigje reflekton interesin që ka kandidati për të ndihmuar njerëzit dhe kënaqësinë që ai gjen në gjetjen e zgjidhjeve.
Përgjigjja e kandidatit të dytë: “Përpara dy vjetësh, isha pjesë e një projekti për të cilin isha shumë entuziast. Bashkë me skuadrën me të cilën punoja, na duhej të gjenim mënyra inovative për të bërë marketingun e një produkti, i cili nuk kishte rënë mjaftueshëm në syrin e konsumatorit. U desh shumë mund dhe mbledhje të gjata por arritëm që brenda afatit të zhvillonim një fushatë të shkëlqyer marketingu. Ishte një përvojë shumë motivuese”.
Këtij tipi kandidati i pëlqen të mendojë jashtë kornizave dhe të jetë pjesë e një skuadre.
I pëlqejnë sfidat, punon mirë në situata të tensionuara dhe respekton afatet.
Përgatisni skenarin tuaj; të shkruarit e mendimeve tuaja do t’ju ndihmojë të mendoni për kohët kur ndiheshit i kënaqur dhe kur nuk ju pritej të shkonit në punë. Përdorini shkrimet tuaja si një burim idesh, të cilave ju riktheheni herë pas here, për të kuptuar se cilat janë detyrat të cilat i kryeni më me dëshirë, me të cilat ndiheni mirë kur punoni dhe të cilat ju motivojnë më tepër.
Një fjali tip mund të ishte:
Menaxher projekti: Drejtimin e një skuadre në koordinimin, monitorimin dhe implementimin e procesit të projektit, për të siguruar suksesin e tij brenda afateve të caktuara.
Çfarë ishte ajo që ju motivoi gjatë kësaj përvoje? Fakti që përgjegjshmëria ishte e juaja? Fakti që ishit burimi i informacionit? Fakti që ishit ju personi që kontrollonit rrjedhën e punës? Fakti që ishit ju personi, i cili sigurohej që standardet të ecnin paralel me vlerat e punës?
Duke bërë një listë të përvojave motivuese të dy apo tre punëve tuaja të mëparshme, shpejt do të filloni të shihni llojet e projekteve dhe detyrave në të cilat ndiheni më mirë kur punoni. Analizoni ato që keni bërë më parë. Kërkoni të njëjtën lloj përgjegjshmërie edhe në punën tuaj të ardhshme? Përgjigjet e këtyre pyetjeve do t’ju bëjnë të kuptoni se çfarë ju stimulon dhe se çfarë jeni duke kërkuar në punën tuaj të ardhshme. Nuk ekziston një përgjigje “perfekte” për pyetjen “Çfarë ju motivon”? Përgjigjja do të bazohet në përvojat dhe analizat tuaja. Si përfundim, ky lloj ushtrimi do të ndihmojë intervistuesin tuaj të kuptojë se cilat janë detyrat të cilat i bëni më me entuziazëm. Edhe në qoftë se kjo pyetje nuk ju bëhet, të menduarit para intervistës do t’ju ndihmojë të jeni më të fokusuar, të keni më shumë besim dhe të kontrolloni më mirë për atë që po kërkoni nga puna juaj e ardhshme.