E njohur për shkretëtirat e saj të mëdha në ngjyrë okri, për beduinët mbi deve dhe për oazin më të madh në botë, Arabia Saudite ofron shumë atraksione për turistët, përtej shkretëtirës së saj të famshme.
Tani është koha e përkryer për të rezervuar udhëtimin tuaj këtu, pasi Mbretëria sapo ka hequr shumicën e kufizimeve të COVID-19, duke përfshirë edhe distancimin social. Megjithëse duhet të jeni plotësisht të vaksinuar për të vizituar Arabinë Saudite, nuk ka nevojë që të keni një test negativ për të hyrë në këtë vend.
Pra, nëse po planifikoni një udhëtim në Arabinë Saudite për vitin 2022, ku duhet të shkoni?
Deti i Kuq është ideal për diellin e pranverës, por ju mund të bëni kamping në parqet kombëtare të Arabisë Saudite, ose ndoshta edhe të shihni reshjet e dëborës në pjesën malore të veriut.
“Arabia Saudite ka qenë gjithmonë ajo kutia e zezë dhe tani është gati të mirëpresë vizitorët me krahë hapur,” thotë Fad Hamidaddin, CEO i Autoritetit Saudit të Turizmit.
“Për të gjithë ata që po kërkojnë një përvojë autentike, kulturore, madje edhe aventureske, unë besoj se Arabia Saudite është vendi më mikpritës në Arabi.
Në fund të fundit, ne kemi qenë vendi i udhëkryqit të qytetërimeve,” shton ai.
Përtej shkretëtirës
AlUla është qyteti ku ndodhet vendi i parë i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në Arabinë Saudite, i cili ndodhet në veriperëndim të këtij shteti.
Aty mund të vizitoni varret 7,000-vjeçare, kanionet dhe formacionet shkëmbore natyrore që ofrojnë një sërë opsionesh për sporte aventureske. Këtu mund të shihni “gjurmët e atyre qytetërimeve që kanë mbetur deri në ditët tona për t’u shijuar dhe për t’u vizituar”, thotë Hamidaddin.
Deti i Kuq ofron “shkëmbinj koralorë të pashembullt, thesare të detit dhe specie unike që njerëzit mund t’i shijojnë edhe gjatë dimrit”.
Pallati Salwa në Ad Diriyah është shtëpia e vjetër e familjes mbretërore Al-Saud. E vendosur në veriperëndim të kryeqytetit Riad, ajo përmban katër muze së bashku me pallatin e restauruar së fundmi.
Në qendrën historike të Diriyah ndodhet vendi i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, At-Turaif, i cili u themelua në shekullin e 15-të. Ai po rikonceptohet për të përfshirë disa resorte luksoze, si dhe për t’i dhënë mundësi vizitorëve që të ecin nëpër rrënojat e këtij vendi.
“Në fund, ju mund të vizitoni malësitë e Asirit, në pjesën jugperëndimore të Arabisë Saudite, me malet e gjelbërta që janë më të lartat në Lindjen e Mesme,” thotë Hamidaddin.
Për të shijuar dëborën, mund të vizitoni malet e veriut, ku mund të hipni mbi një deve arabe ose të bëni një xhiro me makinë nga qyteti i Tabuk. Atje ju mund të provoni gjithashtu kampingun brenda një tende tradicionale arabe, të njohur si “kashta”, për të pasur një eksperiencë të veҫantë gjatë dimrit.
“Kemi shumë për të ofruar. Peizazhi, topografia, kultura janë shumë të larmishme. Por, për mendimin tim, gjëja më e mirë mbetet natyra mikpritëse e njerëzve”, thotë Hamidaddin.
Ku duhet të shkojnë turistët që e vizitojnë për herë të parë Arabinë Saudite?
Hamidaddin thotë se turistët që vijnë për herë të parë duhet “të vizitojnë patjetër kryeqytetin kozmopolit të Arabisë, Riadin, me përzierjen e tij të tregjeve të zhurmshme dhe të arkitekturës antike, së bashku me ndërtesat, muzetë dhe galeritë bashkëkohore.”
Porti antik i Jeddah me lagjen historike Al Balad dhe bregu i Detit të Kuq janë në kontrast me hotelet luksoze të qytetit dhe eventet e tij të mëdha, si Festivali Ndërkombëtar i Filmit i Detit të Kuq, i cili zhvillohet në fund të dimrit.
Nuk duhen lënë pa provuar edhe gatimet e famshme të detit nga Deti i Kuq. / Euronews