Flet Zef Preçi, drejtor i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike
Sipas jush, cilat do të jenë pasojat afatshkurtër dhe afatgjatë të mbjelljes masive të hashashit në ekonomi?
Pavarësisht “pranimit të tërthortë” të realitetit ekonomik të vendit nga autoritetet qeveritare, tashmë është bërë e qartë se kultivimi i kanabis sativa në vendin tonë ka marrë formën e një epidemie dhe përfshin sipërfaqe të gjera dhe një numër shumë të madh parcelash anembanë vendit. Natyrisht, pasojat e një situate të tillë në ekonominë e vendit duhen parë të lidhura ngushtë, së pari me okupimin e sipërfaqeve të mëdha të tokës që natyrisht duhej të përdoreshin për prodhimin e produkteve bujqësore e blegtorale.
Së dyti, së bashku me përdorimin e sipërfaqeve të mëdha të tokës për kultivimin e kësaj bime, një pjesë e fuqisë punëtore gjithashtu është e angazhuar në këtë aktivitet kriminal;
Së treti, me devijimin drejt këtij aktiviteti kriminal të një pjese të kursimeve monetare të popullsisë, prurjeve të emigracionit deri edhe të një pjesë të huave bankare (kuptohet të marra zyrtarisht nga bankat tregtare “për qëllime bujqësore”…); Së katërti, si rezultat i deformimit të raporteve të kërkesë-ofertës ndaj produkteve bujqësore “tradicionale”, do të rriten çmimet e shitjes me pakicë të këtyre produkteve (gjë që është vënë re edhe gjatë gjysmës së dytë të këtij viti);
Së pesti, për shkak të mënyrës se si funksionon tregu kriminal i kultivimit të kanabis sativa, një numër i kufizuar individësh me pushtet ose anash tij (pushtetit) grumbullojnë në duart e tyre të ardhura kriminale të konsiderueshme e për rrjedhojë injektimi në ekonomi i një pjese të këtyre parave deformon me shpejtësi edhe tregjet e tjera. Kështu mund të thuhet se disa çrregullime siç është p.sh., rritja e menjëhershme e çmimeve të tregun imobiliar, reflektojnë edhe këtë ndikim, e kështu pritet të ndodhë edhe në disa tregje të tjera (p.sh. në shërbimet turistike në bregdet gjatë verës ku shërbejnë si kamerierë të ardhur nga thellësitë e territorit të vendit, ndërsa të rinjtë e qyteteve bregdetare gjatë verës punojnë në malësitë e zonave përkatëse ku kultivohet kanabis sativa…). Në mënyrë të përmbledhur mund të thuhet se ndikimet negative ekonomike si këto që përmendëm më lart të elaboruara me profesionalizëm më herët nga ‘Monitor’ mendoj se janë afatshkurtra, ndërsa deformimet e tregjeve për efekt të parave të pista, që burojnë nga ky aktivitet, pritet të mbeten të pranishme edhe për një kohë të gjatë. Gjithashtu, vlen të theksohet se edhe ajo pjesë e parave që burojnë nga ky aktivitet e që vlerësohet se aktualisht nuk po investohet (po thesarizohet) mendoj se përbën një kërcënim në vijimësi për deformimet e tregjeve dhe mundësitë e përdorimit të tyre në aktivitete të tjera kriminale dhe për interesa politike qëndrojnë si “shpata e Demokleut” mbi të ardhmen e ekonomisë sonë kombëtare. Kështu janë të gjitha gjasat për rritjen e ndikimit të monopoleve dhe të oligopoleve mbi ligjbërjen e Kuvendit dhe vendimmarrjen e qeverisë, si dhe vënien nën kontrollin e tyre të enteve rregullatore të tregjeve, të cilat edhe pa presionin e parave kriminale janë të politizuara, të mbushura me mediokër dhe përfaqësues të industrive që në fakt duhej të mbikëqyreshin prej tyre, pra në një konflikt të hapur të interesit me funksionin ligjor që duhet të ushtrojnë. Pa folur pastaj për ndikime të tjera të lidhura në këndvështrimin social-ekonomik si p.sh., zbehja e dëshirës për të punuar në bujqësi e blegtori, rendja pas të ardhurave që sigurohen pa shumë lodhje d.m.th. me lehtësi e brenda një kohe të shkurtër, rritja e shkallës së konfliktualitetit social dhe të kriminalitetit, po ashtu duke përfshirë edhe fuqizimin e krimit të organizuar, deri edhe në mundësimin e deformacioneve politike të votës dhe të vullnetit të qytetarëve në proceset zgjedhore të radhës. Kjo është aq e vërtetë sa të krijohet përshtypja sikur jemi diku në fillim të vitit 1996, pra në kohën e lulëzimit të piramidave dhe jo në fund të 2016-s, kur duhej të ishte harruar fjala “tranzicion” dhe mundësitë për një jetesë më pak punë apo pa punuar e pa paguar tatime e taksa duhej të ishin afër zeros, sikurse po ndodh aktualisht. Gjithashtu, siç tregojnë studimet në vendet e tjera, me rritjen e shkallës së prodhimit, rriten me ritme shumë të shpejta edhe numri i përdoruesve të drogave që prodhohen mbi bazën e kësaj bime, krijohet terren për kultivimin e bimëve të tjera të vdekjes shumë më të rrezikshme siç është opiumi (për të cilin ka evidencë se është shtrirë në territorin shqiptar gjithashtu) duke sjellë në këtë mënyrë edhe perturbacione të mëdha sociale. Të gjitha këto, së bashku me gjithë ndikimin disi “pozitiv” të nxitjes së konsumit për shkak të punësimit sezonal dhe përdorimit të të ardhurave familjare nga ky punësim stinor indirekt në konsum, ekonomia e vendit tonë po rrezikon të futet në një spirale pasigurie të panjohur më parë dhe të paparashikueshme për pasojat afatgjatë në zhvillimin dhe në rritjen e saj.
Mbështetësit e kultivimit të këtij produkti pohojnë se të paktën ai është një burim i mirë i hyrjes së valutës në Shqipëri. Si e komentoni këtë qëndrim?
Ky argument vlen vetëm për naivët në ekonomi dhe spekulantët në politikë. Sipas mendimit tim, askujt, por më tepër atyre që kanë marrë përsipër të qeverisin fatet e vendit, nuk duhet t’ju erren sytë nga përfitime financiare momentale personale apo të mbështetësve e sipërmarrësve të grupimit politik ku bëjnë pjesë, për shkak të pushtetit që gëzojnë, duke cenuar rëndë interesat e shumicës së qytetarëve të vendit dhe duke rrezikuar shndërrimin e Shqipërisë në një Kolumbi të Europës, nëse kjo tashmë nuk ka ndodhur…Asnjë vend i botës demokratike nuk është zhvilluar mbi bazën e ekonomisë kriminale, dhe qeveritë që për arsye të ndryshme apo për shkak të pazotësisë së tyre për të kontrolluar të gjithë territorin e vendit toleruan kultivimin e bimëve të tilla të vdekjes, ju përgatitën brezave të mëpasshëm histori të përgjakshme të luftërave civile dhe të konflikteve të armatosura që zgjaten e zgjasin me dekada. Mjafton të kujtojmë këtu rastin e Kolumbisë, vendit emblematik të kultivimit të lëndëve të para për prodhimin e drogave, i cili prej më se 4 dekadash është zhytur në luftë civile, në qeverisje diktatoriale apo që kontrollojnë vetëm disa rajone të caktuara të territorit të vendit, dhe në mjerim për shumicën e qytetarëve të atij vendi.
Të mos harrojmë se ndryshimet kushtetuese të verës së këtij viti kanë përgatitur terrenin ligjor dhe politik që të reformohet sistemi ynë i drejtësisë dhe çdo hap pozitiv në këtë drejtim do të ndikojë jo në ardhjen por në largimin nga vendi të mjeteve financiare të siguruara në rrugë kriminale, përmes korrupsionit, etj., ku bëjnë pjesë edhe burimet e valutës që përmendni ju. Në vlerësimin tim, një tymnajë e tillë është përhapur nga ata që duan të justifikojnë ëndrrat oligarkie për pasurim përmes veprimtarive kriminale dhe për sundimin e vendit me metoda autokratike, por edhe nga ata që duan të justifikojnë pazotësinë e qeverisë për të ndërmarrë politika pro zhvillimit të vendit, dështimit thuajse total të saj në hapjen e vendeve të reja të punës, në thithjen e Investimeve të Huaja Direkte, në nxitjen e prodhimit vendas, në nxitjen eksporteve, etj. Të mos harrojmë se hyrja e valutës ka kuptim kur vjen nga veprimtari të ligjshme dhe kryhet përmes kanaleve të njohura në shkëmbimet tregtare midis një vendi dhe vendeve të tjera përreth apo më larg…
Cilat janë sugjerimet tuaja për hapat e menjëhershëm që duhen ndërmarrë për orientimin e ekonomisë drejt një zhvillimi të qëndrueshëm?
Zhvillimi i qëndrueshëm i ekonomisë sonë kombëtare, ashtu si për shumicën e vendeve qe ndërruan sistemin e tyre ekonomik e shoqëror dy dekada më parë është një sfidë mjaft e vështirë dhe komplekse. Kjo lidhet me njohjen më në thellësi të problemeve social-ekonomike që ka vendi ynë, si p.sh., rritja e moshës mesatare të popullsisë, pra plakja e saj, largimi masiv jashtë vendit i rinisë dhe fuqisë së aftë për punë, etj.; me analizën e zhvillimit të derisotëm dhe të faktorëve ende të pashfrytëzuar plotësisht në degë të tilla të ekonomisë si bujqësia dhe turizmi; me politikat që janë ndërmarrë dhe investimet që janë kryer e po kryhen për të penguar rrënimin e pyjeve dhe të kullotave të vendit; me heqjen dorë nga voluntarizmi dhe motivimi nga interesa të ngushta oligarkike e ndoshta edhe mafioze në politikat mjedisore duke përfshirë edhe një moratorium shumëvjeçar ndaj importimit të mbetjeve dhe të plehrave nga vendet e BE-së dhe jashtë saj; me rishikimin e strategjive të zhvillimit, atyre degësore dhe ndërdegësore, me synim krijimin e një kuadri funksional të politikave që ndiqen për të mos lënë zhvillimin e vendit në lojën e rastësisë dhe të ideve e politikave të çastit që injorojnë ligjësitë e zhvillimit në tërësi; me përfshirjen më të gjerë të komuniteteve në identifikimin dhe vënien në rrugën e zgjidhjes së problemeve të mëdha me të cilat përballet ekonomia jonë kombëtare në ditët e sotme; me respektimin e të drejtave fondamentale të njeriut dhe me shtimin e përpjekjeve për ndërtimin e institucioneve bazë të ekonomisë së tregut në vendin tonë…
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.