Mësuesja e një shkolle 8-vjeçare, në kuadrin e zbatimit të direktivave të Ministrisë së Shëndetësisë për të instruktuar fëmijët si duhet të sillen në rast të shfaqjes së mundshme të gripit të shpendëve, u drejtoi nxënësve pyetjen: “Sa prej jush vazhdojnë të konsumojnë ende mish pule?” Dhe asnjëri nuk e ngriti dorën për të pohuar. Në mungesë të statistikave zyrtare apo të sondazheve profesionale për konsumin, ky shembull i thjeshtë dhe domethënës tregon se njerëzit kanë frikë ta përdorin mishin e pulës. Drejtori ekzekutiv i Shoqatës së Importuesve dhe Përpunuesve të Mishit thotë se shitjet e mishit të pulës janë në nivele shumë të ulta dhe rezervat e mëdha të ngelura nëpër frigoriferë po ulin ritmin e importeve. Më të qetë duken tregtarët e mëdhenj të vezëve, të cilët edhe pse kanë pësuar një rënie të shitjeve, sidomos nga bllokimi i eksporteve në Kosovë, mendojnë se situata nuk është alarmante. Ndërkohë, nuk ka asnjë shenjë që rënia e konsumit të mishit të pulës të ketë sjellë rritje të dukshme të llojeve të tjera të mishit. Tregtarët thonë se nuk vënë re rritje të kërkesës dhe çmimet nuk kanë pësuar lëvizje. Ethet e gripit që nuk ka ardhurDrejtori ekzekutiv i shoqatës së Importuesve dhe Përpunuesve të Mishit, Artan Belegu, vëren se ka një rënie drastike të konsumit të mishit të shpendëve. Megjithëse nuk mund të japë shifra konkrete, ai tregon se kanë ngelur sasi të konsiderueshme mishi pule nëpër frigoriferë si rezultat i rënies së shitjeve. Kjo detyrimisht do të sjellë një ulje të ritmit të importeve. Ministria e Bujqësisë fillimisht bllokoi importin nga ato vende të BE-së ku janë verifikuar raste të shfaqjes së gripit të shpendëve. Më pas, ajo lëshoi një urdhër të dytë, ku është hequr bllokimi për Italinë, me përjashtim të disa zonave të saj ku janë gjetur zogj shtegtarë të ngordhur. Problemi kryesor, sipas z.Belegu, është se konsumatorët nuk kanë informacionin e duhur dhe nuk arrijnë të gjykojnë drejt në lidhje me rreziqet e mundshme. Së pari, ai kujton se mishi i importuar është i kontrolluar dhe i garantuar dhe mundësia e pranisë së virusit H5N1 përjashtohet. Së dyti, duhet kujtuar fakti që virusi shkatërrohet në 70 gradë celcius, ndaj mishi i gatuar, siç duhet, nuk mund të përbëjë asnjë rrezik. Sipas tij, pasojat për biznesin dhe konsumatorët janë produkt i paditurisë dhe i një mosbesimi patologjik të popullatës ndaj fakteve shkencërisht të verifikuara. Zoti Belegu shprehet se as për produktet e sallamerisë nuk ka ndonjë rritje të theksuar të kërkesës. Duke qenë se pjesa dërrmuese e sallameve, që prodhohen në Shqipëri, bëhen me mish importi, rritja e kërkesës mund të matet duke parë kërkesën për mish që shprehin prodhuesit e sallamit. Kjo kërkesë, ndonëse është në nivele të kënaqshme, nuk ka rritje specifike për situatën e krijuar nga frika e gripit të shpendëve. Shqipëria importon rreth 45 mijë ton mish çdo vit, nga të cilat 25-27 mijë ton mish pule, 8-10 mijë ton mish derri dhe afërsish po kaq mish gjedhi. Mishi i pulës është i destinuar për përdorim të drejtpërdrejtë nga konsumatori, mishi i gjedhit kryesisht për industrinë e prodhimit të sallameve, por edhe për bar-restorantet, kurse ai i derrit ndahet mes sallamerive dhe fast-food-eve. Çmimet e importit janë afërsisht 1000 euro/ton për mishin e gjedhit, 900 euro/ton për atë të derrit dhe 800 euro/ton për mishin e pulës. Detyrimet fiskale shkojnë në rreth 33% të këtyre vlerave. Shqetësim i madh për Shoqatën e Importuesve dhe Përpunuesve të Mishit, përveç rënies së shitjeve, është edhe problemi i pagesës së TVSH-së në doganë. Importuesit janë të detyruar ta paguajnë TVSH-në për të gjithë sasinë e importuar njëherësh, qysh kur malli zhdoganohet. Në këtë periudhë krize për shitjen e mishit të pulës, pagesa njëherësh dhe e menjëhershme e TVSH-së është një barrë e mëtejshme për biznesmenët e importit të mishit. Sipas z. Belegu, shoqata e tyre kërkon që TVSH-ja të mos paguhet më qysh në doganë, por likuidimi i saj të bëhet në degët e tatimeve, duke ecur paralelisht me ritmet e shitjes së produktit. Pularitë të qetaProdhuesit e vezëve në vend shprehen se për momentin vala e shqetësimit nga gripi i shpendëve nuk ka pasur pasoja shumë të rënda për biznesin në fjalë. Drejtori i Përgjithshëm i Floryhen, Shkëlqim Fortuzi, shprehet se me situatën e krijuar nga rishfaqja e gripit të pulave, shitjet e vezëve kanë rënë disi, ndonëse akoma nuk ka një përllogaritje të saktë për vlerën e kësaj rënieje. Padyshim, me pasoja të ndjeshme në rënien e shitjeve është vendimi i UNMIK-ut për bllokimin e importit të vezëve në Kosovë nga të gjitha vendet e rajonit. Kosova është një ndër tregjet kryesore për eksportet shqiptare të vezëve. Vetëm kompania Floryhen eksporton atje rreth 15 milion kokrra vezë çdo vit. Floryhen është një prej dy sipërmarrjeve më të mëdha në Shqipëri për prodhimin e vezëve. Sipas drejtuesve të saj, ajo prodhon rreth 100 milion kokrra vezë në vit. Drejtori Fortuzi nuk ndjen rrezik të afërt nga gripi i shpendëve për biznesin që drejton. Floryhen, sipas tij, zbaton masa të përhershme për mbrojtjen e shpendëve nga sëmundjet dhe zotëron edhe një laborator ku kryhen analizat sipas grafikëve të përcaktuar mbi cilësinë e produkteve të kompanisë. Ai dëshiron të theksojë faktin se kompania është në disktutime me specialistët e BE-së, për marrjen e çertifikatës ISO 9001, që do ti hapte rrugë eksportimit të produkteve në të gjithë vendet e Bashkimit Europian. Edhe drejtori i Floryhen është i mendimit se situata në Shqipëri është nën kontroll dhe nuk ka arsye që njerëzit të kenë frikë për të konsumuar mish shpendësh dhe produkte derivate. Ai është i kënaqur nga bashkërendimi i punës mes stabilimenteve private dhe shtetit për marrjen e masave parandaluese kundër rrezikut H5N1.Tregu që skompensohetKërkesa për mish vazhdon të mos njohë ndryshime të ndjeshme dhe çmimet po ashtu. Sipas tregtarëve të tregut të mishit në Tiranë, shitjet e mishit nuk janë ndikuar aspak nga alarmi i gripit të shpendëve. Edhe çmimet vazhdojnë të jenë të njëjta, kur një kilogram mish viçi kushton 700 lekë, ndërsa një kilogram mish qengji 650 lekë. Duket se shqiptarëve nuk ua mban xhepi ta kompensojnë mishin e pulës me llojet e tjera “luksoze” të mishit.Tregtarët e sallamit janë të kënaqur nge ecuria e shitjeve, por as sipas tyre nuk mund të flitet për boom shitjesh. Një shpjegim i mundshëm i kësaj gjendjeje është që njerëzit marrin pak nga të gjitha, në një masë që tregtarët e kanë të vështirë ta përllogarisin si shtim të kërkesës, ose shumë më thjesht, ata e kanë reduktuar në minimum konsumin e mishit. Siç u shpreh z.Artan Belegu për revistën “Monitor” gjatë valës së parë të gripit të shpendëve “ndoshta njerëzit po bëhen vegjetarianë”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.