Shqiptarët po i afrohen me shpejtësi datës së shpallur të zgjedhjeve, 18 qershorit (nëse nuk ndryshon!!). Por procesi i negociatave për një gjithëpërfshirje të subjekteve politike në zgjedhje, po ecën ngadalë. Edhe javën e kaluar, pas një kohe të gjatë, megjithëse pati dy takime mes kryeministrit dhe kryetarit të demokratëve, rezultati ishte nul, pasi nuk prodhoi asgjë me vlerë për qytetarët. Të ngrirë prej më shumë se 70 ditësh në llogore e të paaftë për të dhënë një zgjidhje të mirë, palët janë tërhequr për të hedhur në fushën e betejës simpatizantët.
Shqiptarët, ndonëse i përkasin një Republike Parlamentare, për shkak të një sistemi elektoral pervers, të imponuar e të prodhuar në momente të sforcuara politike, nuk kanë mundësi zgjedhje të drejtpërdrejtë të përfaqësuesve në Parlament. Këtë përgjegjësi përzgjedhjeje dhe përfaqësimi e kanë marrë në dorë “shefat supremë” të partive politike përmes listave të mbyllura të kandidatëve. Kjo marrëdhënie e deformuar në bllok mes zgjedhësve dhe të zgjedhurit e bën të padobishme llogaridhënien. Deputetët e kanë kokën në dorë të Zeusit politik dhe, jo të sovranit, i cili duhet të zbresë i detyruar nga froni e fatkeqësisht të kthehet në figurant të dramës që ndodh në emër të tij.
Ky sistem që vendos në një pozitë të privilegjuar shefat e mëdhenj të partive, megjithëse zhvlerëson llogaridhënien e deputetëve përballë publikut, nga ana tjetër i ngarkon liderët automatikisht me peshën e madhe të vendimeve që marrin e për të cilat duhet të përgjigjen për çdo kosto. Por, teksa përmes një sistemi të tillë, kryetarët e partive çimentuan pushtetin e pakufishëm, nuk po tregohen të tillë kur duhet të marrin vendime që zgjidhin kriza.Me modesti të shtirur, janë gati të zbresin nga altari, për t’ia lënë vendin populli tt’i zgjidhë çështjet, pasi e kanë ndarë atë në copëza.
Politika është arti i së pamundurës, dhe nga një politikë e mençur dhe mendjehapur, ne presim të konsumohen të gjithë hapat e variantet që shmangin krizat dhe që nuk i përdorin njerëzit për përplasje të dhunshme. Ndaj, edhe pse koha po ecën shpejt drejt zgjedhjeve, nuk është kurrë vonë për një marrëveshje.
Kur dukej se nuk kishte fare dritë në fund të tunelit, rastësia e ngjarjeve apo logjika e veprimeve, pak rëndësi ka kjo, i kanë dhënë politikës një shans unik për të gjetur zgjidhjen sipas nevojës së publikut dhe jo sipas asaj që ajo kërkon. Ky shans vjen nga Kavaja.
Po, po, Kavaja!
Për shkak të ligjit të dekriminalizimit dhe shkarkimit të Kryetarit të Bashkisë para afatit të mandatit të tij zyrtar, Kavaja u gjend në një proces zgjedhjesh e votimesh të paparashikuar, pikërisht si një test para fushatës elektorale për zgjedhjet e përgjithshme për Kuvendin Popullor. Ky moment u duk sikur u kap nga politika për të matur forcat, por fatkeqësisht duke tentuar instrumentalizimin e qytetarëve. Votimi tentonte të përfundonte në qesharak, ku populli po thirrej të votonte një kandidat unik nga mazhoranca dhe ku ajo që spikaste, më shumë se çdo gjë, ishte pikërisht mungesa e fushatës së alternativave midis të cilave qytetarët duhet të bënin zgjedhjen e tyre. Fatmirësisht në kulmin e tensionit, vetëm gjashtë orë nga mbyllja e fushatës dhe hyrja në heshtjen zgjedhore, mazhoranca e tërhoqi kandidatin e vetëm në këto zgjedhje. Pavarësisht si e justifikoi ajo këtë vendim, si një mënyrë për të shmangur skenarët e dhunës se opozita kishte paralajmëruar se do të bllokonte procesin, akti duhet vlerësuar dhe lë shpresën se ka hapësirë për negocime të mëtejshme për të shmangur një situatë të ngjashme me Kavajën në të gjithë Shqipërinë.
Pezullimi i zgjedhjeve në këtë moment është logjika e veprimevetë duhura politike, por jo vetëm për shkak të dhunës që mund të ndodhte në Kavajë, por edhe të asaj që përfaqëson Kavaja dhe mënyra sesi procesi kërkohej të zhvillohej në këtë qytet. Zgjedhje me vetëm një kandidat, pa alternativa, duke iu hequr mundësinë qytetarëve të votojnë mbi opsione dhe jo mbi kushte,është deformimi i demokracisë, është një demokraci farsë. Dhe diçka të tillë, qytetarët e Kavajës nuk mund ta pranonin tani, siç nuk e pranuan rreth 30 vite më parë, kur ishin epiqendra e lindjes se zhvillimeve demokratike në vend ne pranverën e vitit 1990. Kavaja sot dhe ajo çfarë Kavaja përfaqëson në të gjithë historinë e saj, janë një mësim i madh demokracie, kur përplasen idetë dhe alternativat dhe jo njerëzit. Kavaja e shpëtoi edhe një herë Shqipërinë, duke i treguar politikës që t’i adresohet zgjidhjeve të krizës: me dialog dhe jo konflikt, dhe se për sa kohë mendohet për njerëzit dhe jo për pushtetin, zgjidhja është gjithnjë e duhura dhe më afatgjata.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.