Edhe pse sipërmarrësit kanë këmbëngulur që viti 2017 të ofrojë një paketë ligjesh, të cilat do ta bënin më të lehtë klimën e të bërit biznes në Shqipëri, Paketa Fiskale është një nga më modestet në vite. Ndryshimet nuk janë rrënjësore, në një kohë që shihet një tërheqje e qeverisë nga rritja e taksave për disa mallra të cilat kanë qenë pjesë e planit të saj. Fasonët këtë vit kanë arritur të “fitojnë” heqjen e tarifave doganore për lëndët e para
Akciza e gazit të lëngshëm
Këshilli i Ministrave ka miratuar ligjin për akcizat, i cili zyrtarizon qëndrimin e qeverisë për të rritur akcizën për gazin e lëngshëm për furnizimin e automjeteve. Nga 0 lekë për litër, akciza për këtë lëndë shkon në 13 lekë për litër. Kjo pritet të sjellë edhe një rritje të çmimit të gazit me të cilin furnizohen automjetet nga 60 lekë/litër që është sot në 75 lekë/ litër nëse llogaritet edhe Tatimi mbi Vlerën e Shtuar.
Nisma ka sjellë jo pak polemika edhe brenda qeverisë, ku ministri i Mjedisit Lefter Koka, kundërshtoi rritjen e kësaj takse si një politikë që në thelb të saj mbron ndotjen e mjedisit dhe sjell një afrim në çmim të gazit me naftën dhe benzinën. “Do kërkoja që të paktën ky zë në paketën fiskale të rishikohet. Nuk po them të subvencionohet, por s’mund t’i vihet akcizë pasi janë rreth 3% e automjeteve që sot përdorin gazin e lëngshëm dhe nuk besoj se prishen ekuilibrat” është shprehur ai në një seancë raportimi në Komisionin parlamentar të Veprimtarive Prodhuese. “Po ta shohësh si shifër, ne kemi thënë se do të investohen deri në vitin 2030 miliona euro dhe në këtë zë, investimi është rreth 100 milionë euro, që parashikohet nga privatët. Kjo do të thotë që çdo qytetar që disponon një automjet monton një impiant gazi që e blen me kosto të ulët dhe në këtë rast ne duhet t’i stimulojmë dhe jo t’i vendosim akcizë”, ka sqaruar Lefter Koka.
Por, në të njëjtin komision, ministri i Energjisë Damian Gjiknuri ka mbrojtur variantin fillestar dhe ka kërkuar që akciza për gazin e lëngshëm të hyjë në fuqi më 1 janar të vitit 2017. Gjiknuri është shprehur se kjo taksë do të ndikojë vetëm në përdoruesit e automjeteve dhe jo te konsumatorët familjarë të gazit. Në thelb, politika e rritjes së çmimit të gazit që tregtohet në karburante është që të mos lejojë që konsumatorët ta blejnë atë në pika të palicencuara duke rrezikuar sigurinë e bombolave dhe shpërthimin e tyre e në banesa. “Ky ka qenë propozim i Ministrisë së Energjisë dhe është bërë për një arsye shumë të thjeshtë, për të disiplinuar një proces kaotik të mbushjes së bombolave të gazit, i cili është bërë shkak për aksidente të shumta”, – ka sqaruar ministri i Energjisë dhe Industrisë. Ai tha se nuk do të rritet çmimi për konsumatorin familjar dhe as nuk do të konkurrohet gazi nga produkte si nafta dhe benzina, pasi çmimi i gazit do të vijojë të jetë dyfish më pak. “Kjo nuk ndikon te drejtuesit e mjeteve të makinave me gaz, sepse çmimi i autogazit është shumë më i lirë dhe nuk është ngarkuar me taksa të shumta, si diesel apo benzina. Për të sqaruar qytetarët, nuk ka asnjë ndikim, nuk ka rritje për bombolat që furnizohen familjarët. Përkundrazi, ata do t’i blejnë bombolat në një treg më të sigurt, të certifikuara”, nënvizoi Gjiknuri.
Në relacionin e depozituar në Kuvend, Ministria e Financave e shpjegon vendosjen për herë të parë të akcizës për gazin me përafrimin e legjislacionit me direktivat e Bashkimit Europian. “Gazi i lëngët është objekt taksimi në të gjitha vendet si produkt energjetik. Diferencimi i këtij produkti në raport me nënproduktet e tjera të naftës bie ndesh me politikat e përafrimit gradual me nivelin e detyrueshëm minimal të taksimit që aplikohet në BE”, thuhet në relacion.
Sipas direktivës së BE-së, akciza për gazin e lëngshëm aplikohet kështu:
Si rezultat i tatimit të afro 100 mijë tonë gaz që përdoret në vit për automjet, buxheti i shtetit do të përfitojë 5.4 milionë dollarë nga akciza dhe 1.07 milionë dollarë nga TVSH-ja e kostos së rritur të këtij produkti.
Ashtu edhe siç e kishte paralajmëruar, qeveria është tërhequr nga nisma për të vazhduar rritjen e akcizës së duhanit. Në draftin e ri të paketës fiskale të miratuar në Këshillin e Ministrave, është vendosur që niveli i akcizës për këtë mall të qëndrojë 110 lekë për paketë (ose 5.5 lekë/copë). Por financat shprehen të vendosura që të vijojnë rritjen e saj në 2018-n, me qëllim uljen e konsumit. “Ligji aktual i akcizës ka përcaktuar një kalendar të rritjes së akcizës së cigares që përmbajnë duhan deri më janar 2017. Me anë të këtij projektligji propozohet që rritja e akcizës për cigaret të mos aplikohet për vitin 2017, duke propozuar që kalendari i rritjes së akcizës të shtyhet në vitin 2018. Pra, niveli i akcizës për vitin 2017 do të jetë i njëjtë me atë të vitit 2016”, shprehet Ministria e Financave. Por ajo është e vendosur që të vijojë politikën e rritjes së taksimit të këtij produkti për në vitin 2018. “Konkretisht, niveli i akcizës për cigaret do të mbetet në masën 5 500 lekë/1000 copë dhe rritja graduale me 250 lekë/1000 copë do të bëhet çdo vit duke filluar nga 1 janari 2018 deri më 1 janar 2021”, konkludojnë financat. Pavarësisht rritjes së akcizës që do të realizojë në vitin 2018, qeveria nuk pret për ulje të konsumit të saj. Në efektet buxhetore të parashikuara nga Ministria e Financave, njëkohësisht me rritjen e arkëtimeve nga akciza e duhanit, pritshmëritë janë për rritje të importeve me 200 tonë në 2019-n dhe 100 tonë në vitet e tjera.
Nisma për të mos vijuar rritjen e mëtejshme të akcizës është pranuar edhe nga Ministria e Financave se bëhet për shkak të abuzimit që kanë bërë kompanitë e shumicës me çmimin dhe evazionin fiskal. Në prag të rritjes së akcizës dhe ndërrimit të vitit fiskal, grosistët që importojnë cigare rritën për dy vite rresht importet doganore, duke bërë që të paguanin në magazina doganore akcizë më të ulët dhe të shisnin paketat, duke llogaritur akcizën e rritur. E gjithë logjika e rritjes së kësaj takse u kthye në një përfitim për tregtarët dhe jo për buxhetin e shtetit. Konsumatorët, nga ana e tyre, paguanin më shumë. “Ndryshimet e nivelit të taksimit në mënyrë graduale shmangin efektet e krijimit të stokut në avancë nga importuesit, siç rezultoi në vitet 2013-2015. Niveli i akcizës në vendet e rajonit ka ndikim në presionin e kalimeve ndërkufitare të udhëtarëve dhe rritja e menjëhershme, siç është parashikuar aktualisht në ligjin në fuqi, do të krijonte risk të rritur”, pranohet zyrtarisht edhe në relacionin që shoqëron projektligjin e dërguar në Kuvend. Po ashtu, edhe ndryshimet që parashikoheshin për nivelin e akcizës së duhanit që prodhohet në Shqipëri nuk do të bëhen efektive për vitin e ardhshëm. Akciza për duhanin vendas do të qëndrojë në nivelin 2500 lekë për kilogram. Argumentimi për këtë tërheqje të qeverisë është po ashtu evazioni fiskal. Rritja e kësaj takse ka bërë që të ulet deklarimi i lëndës që shitet nga tregtarët e vegjël tek ata të mëdhenj. “Për shkak të nivelit shumë të ulët të deklarimit të duhanit prodhim vendas dhe diferencës së vogël të nivelit të taksimit ndërmjet duhanit të grirë dhe cigareve, propozohet që të ruhet niveli ekzistues i taksimit të duhanit të grirë, duke mos aplikuar rritje për vitet 2018-2021, me qëllim përafrimin me diferencimin që ka duhani i grirë me cigaret. Me qëllim mbështetjen e prodhimit vendas dhe luftën kundër informalitetit, është parashikuar përkohësisht nivel akcize në nivelin 2 500 lekë/kg për duhanin e prodhuar brenda vendit me gjethe të duhanit nga bimë të kultivuara në Shqipëri”, shpjegon Ministria e Financave.
Akciza në vitin 2017 do të rritet për konsumatorët e puros dhe cigarillos. Duke qenë se të dyja këto produkte konsiderohen si mallra “luksi” që konsumohen nga shtresa e pasur e shoqërisë, financat kanë vendosur të dyfishojnë akcizën për të dy këto produkte. “Purot dhe cigarillos janë produkte me konsum të ulët dhe nga shtresa me të ardhura të larta, ndërkohë që kanë një nivel më të ulët taksimi se duhani i grirë që konsumohet më gjerësisht dhe nga shtresa me të ardhura më të ulëta. Niveli i propozuar i taksimit, në masën 4 400 lekë/kg, është respektivisht 76% dhe 96% më i lartë se niveli aktual, në varësi të llojit të produktit. Tregu i tregtimit të purove dhe cigarillos ka nevojë për korrektim dhe standardizim të produkteve të akcizës për duhanin. Purot dhe cigarillos janë produkte luksi”, – shpjegohet në relacion.
Në projektligjin e ri që do të diskutohet në Parlament lejohet për herë të parë vendosja e pullave në magazinat doganore, duke lehtësuar kostot për biznesin. “Me ndryshimet e paketës 2016 është lejuar vendosja e pullave fiskale në magazinat fiskale të stokimit si regjim pezullues i detyrimeve të akcizës. Aktualisht, është propozuar që pullat fiskale të mund të vendosen edhe në magazinat doganore, sipas përcaktimeve në Kodin Doganor. Ky propozim vjen si një lehtësi edhe në kuadër të uljes së kostove për biznesin. Kryesisht për importues më të vegjël, lejimi i vendosjes së pullave fiskale vetëm në magazinat fiskale të stokimit krijon kosto administrimi dhe procedurale, ndërkohë që përdorimi i ambienteve të magazinave doganore për vendosjen e pullave është me kosto shumë më të ulët”, sqarohet në relacion. Po ashtu janë bërë një sërë rregullimesh duke ripërcaktuar fushat e penaliteteve ndaj bizneseve që bëjnë evazion fiskal. Për të gjithë ata që manipulojnë produktet apo tentojnë të shmangin pagesën e akcizës, herën e parë dënohen me gjobë sa dyfishi i vlerës së detyrimit, herën e dytë me gjobë sa trefishi dhe të tretën me gjobë 5-fishin e detyrimit shoqëruar edhe me një revokim të autorizimit për të tregtuar produktin. Në ligj thuhet: “Kushdo që:
a) shmang, me çfarëdolloj mjeti apo mënyre, produktet e akcizës nga verifikimi ose nga pagimi i akcizës;
b) u jep operatorëve, që u nënshtrohen detyrimeve të akcizës, produkte të përjashtuara nga akciza ose me akcizë të reduktuar;
c) kryen operacione përzierjeje të paautorizuara të produkteve të akcizës, prej të cilave përftohet një produkt që i nënshtrohet një akcize më të lartë, krahasuar me akcizën e secilit komponent veçmas;
ç) rigjeneron produkte të denatyruara, me qëllim përdorimin abuziv të tyre dhe shmangien e pagesës së detyrimit të akcizës;
d) mban produkte akcize të denatyruara në kushte të ndryshme nga ato të përcaktuara për të pasur një trajtim të diferencuar;
dh) mban ose përdor produkte të përftuara nga fabrikimi klandestin apo nga përzierje të paautorizuara; e) mban, tregton ose përdor produkte të denatyruara, të përziera me produkte që i nënshtrohen pagesës së akcizës;
ë) përdor, përzien, shet produkte akcize me përjashtim apo reduktim, për qëllime të ndryshme përdorimi nga ai për të cilin kanë përfituar përjashtim apo reduktim;
f) tregton produkte që i nënshtrohen akcizës, pa dokumentacion fiskal.
Dënohet:
a) për herën e parë të konstatuar, me gjobë sa 2-fishi i detyrimeve të akcizës që duheshin paguar;
b) për herën e dytë të konstatuar, me gjobë sa 3-fishi i detyrimeve të akcizës që duheshin paguar;
c) për herën e tretë të konstatuar dhe më pas, me gjobë sa 5-fishi i detyrimeve të akcizës që duheshin paguar dhe revokim i autorizimit për një periudhë dyvjeçare.
Masat janë shtrënguar edhe për tregtarët e karburanteve të cilët nuk shënjojnë produktin te koncesionari i markimit të saj Global Fluid International. “Mbajtja, hedhja në qarkullim të lirë, tregtimi, eksportimi, importimi, shpërndarja, transportimi, rafinimi ose kryerja e çdo aktiviteti tjetër me produktet që markohen/shënjohen apo ngjyrosen apo që nuk kanë markuesin/shënjuesin apo ngjyruesin në sasinë dhe përqendrimin e duhur dënohen, si më poshtë:
a) Për herën e parë të konstatuar, me gjobë sa dyfishi i detyrimeve të akcizës që duhet të paguhet për të gjithë sasinë e produktit të gjendur në depozitë, për herën e dytë të konstatuar me gjobë sa trefishi i detyrimeve të akcizës që duhet të paguhet për të gjithë sasinë e produktit të gjendur në depozitë dhe për herën e tretë të konstatuar dhe më pas, me gjobë sa pesëfishi i detyrimeve fiskale që duhet të paguhen për të gjithë sasinë e produktit të gjendur në depozitë;
b) Me sekuestrimin e të gjithë sasisë së produktit të gjendur në depozitë dhe të mjetit të transportit, kur shkelja është verifikuar gjatë këtij procesi. Mjetet e transportit përjashtohen nga sekuestrimi ose sekuestrimi i vendosur revokohet ose anulohet kur, në bazë të provave që disponohen, rezulton se pronari i tyre nuk është përfshirë në shkeljen në fjalë; Mallrat dhe mjeti i transportit të sekuestruara çlirohen nëse paguhet i gjithë detyrimi dhe sanksioni përkatës dhe më pas mallrat shënjohen ose ngjyrosen në mënyrën e duhur. Nëse nuk plotësohen të gjitha këto kushte, këto mallra dhe mjete konfiskohen dhe shiten në përputhje me dispozitat e ligjit për kundërvajtjet administrative, për të mbuluar detyrimin dhe sanksionin e vendosur ose shkatërrohen në rastet kur nuk plotësojnë standardet për të qarkulluar në Republikën e Shqipërisë. Nëse nga shitja gjenerohen të ardhura, të cilat kalojnë shumën e detyrimit dhe gjobës, teprica shkon në buxhetin e shtetit”, thuhet në ligjin e ri.
Hiqen tarifat doganore për fasonët
Qeveria ka vendosur që të stimulojë biznesin fason duke bërë 0 të gjitha tarifat doganore që ata paguajnë për lëndët e para. Kjo ka qenë një kërkesë e hershme e këtij sektori, të cilët shpreheshin se këto kosto rëndonin mbi ta dhe bënin që të ishin jokonkurrues me rajonin. Gjergji Gjika, kryetar i Shoqatës së Fasonistëve në Shqipëri, thotë se këto pagesa bëheshin një herë në vendet e origjinës ku blihej produkti i lëndës së parë dhe më pas paguheshin edhe një herë në Shqipëri. “Nuk është e drejtë që ne të vazhdojmë të paguajmë për produkte për të cilat kemi paguar një herë tarifë doganore dhe në vetvete kjo është një nismë pozitive që na lehtëson bërjen e biznesit. Në rajon, ne konkurrojmë për të marrë porosi me çmime sa më të lira dhe lëvizjet e ndryshimet bëhen me cent …” thotë ai. “Reduktimi i këtyre tarifave do të krijonte një klimë më të favorshme për këtë industri, duke rritur eksportin dhe konkurrueshmërinë në tregjet ndërkombëtare”, sqarohet në relacionin shoqërues të ligjit Ministria e Financave.
Tarifa doganore për lëndët e para të fasonëve ishte në vlerën 2%, 6%, 10% dhe 15% të produktit. Fatura që i rëndon buxhetit të shtetit për këtë nismë shkon në 41 milionë lekë ose 400 mijë dollarë. “Për prodhimet e destinuara për tregun europian janë shfaqur vështirësi serioze lidhur me kostot e prodhimit dhe kryesisht me lëndët e para. Që këto mallra të përfitojnë origjinë preferenciale, lëndët e para duhet të jenë me origjinë EU, EFTA, CEFTA, të cilat kanë kosto më të lartë dhe rrjedhimisht çmime përfundimtare më pak konkurruese për mallrat e prodhuara nga kjo industri. Në rastet e importit të lëndëve të para nga vendet jo EU, EFTA, CEFTA në Kodin Doganor me qëllim përfitimin e origjinës preferenciale, kërkohet pagesa e tarifës doganore, megjithëse mallrat pas përpunimit janë të destinuara për eksport”, thuhet në projektligj. Pavarësisht se janë të kënaqur me heqjen e tarifave doganore, fasonët nuk bien dakord që kjo nismë të jetë e kufizuar për produktet që vijnë nga vendet e Bashkimit Europian dhe shtetet anëtare të marrëveshjeve CEFTA dhe EFTA.
Industria që punon me material porositës vijon të ngulë këmbë në uljen e tatimit mbi fitimin nga 15% në nivelin 10% që ishte më parë. “Ne vazhdojmë të kërkojmë që të bëhen paketa fiskale më të dobishme për ne dhe të ulet tatimi mbi fitimin. Kjo është një kosto shumë e madhe për sektorin tonë. Vendet në rajon, përveç Serbisë, kanë tatimfitim 9 deri në 10% dhe kjo bën që ata të marrin padrejtësisht më shumë punë. Ne nuk kemi një cilësi të dobët të punimeve, por ambienti fiskal nuk na ndihmon”, shprehet Gjika.
Përveç tarifave doganore për materialet e para me të cilët punojnë fasonët, qeveria ka marrë një nismë për të zeruar edhe tarifën e produktit të koksit dhe gjysmëkoksit nga qymyrguri. Kjo tarifë më parë ishte 2% e vlerës së deklaruar në import. “Qymyri për koksifikim është një nga lëndët djegëse që përdoret për procese teknologjike në furra pasurimi mineralesh etj. Ulja e tarifës për këtë produkt do të favorizonte industrinë prodhuese e përpunuese në vend, duke ulur ndjeshëm kostot dhe duke nxitur prodhimin në vend dhe gjithashtu eksportin në tregun ndërkombëtar. Duhet theksuar që kjo tarifë është 0% nëse importohet nga vendet EU, CEFTA, EFTA”, – sqarojnë financat. Efekti në buxhet për këtë eliminim është 35 mijë dollarë.
Ndryshimet në taksat kombëtare
Makinat e luksit, përveç kushtit të madhësisë së motorit, i cili duhet të jetë mbi 3000 kubikë, do të konsiderohen edhe ato të cilat kanë një vlerë prej 5 000 000 lekësh, nga 7 000 000 që u caktua një vit më parë. Të gjithë qytetarët që kanë një makinë të tillë do të paguajnë 70 mijë lekë në momentin që regjistrohen në Shqipëri, ndërsa taksa vjetore e tyre do të jetë 21 mijë lekë. “Ndryshimi i përkufizimit të makinave të luksit, lidhur me kriterin e vlerës/çmimit, duke ulur vlerën e mjeteve që do të konsiderohen automjete luksi nga 7 000 000 lekë në 5 000 000 lekë. Në praktikë është vënë re se, nëse nuk përmbushet kriteri i cilindratës, vlera është një kusht, i cili është relevant në përcaktimin e makinave të luksit. Për këtë qëllim propozohet ulja e vlerës për përkufizimin e makinave të luksit”, shpjegon Ministria e Financave në relacion.
Ndryshimet më të mëdha këtë herë në Paketën Fiskale do t’i marrë sektori i rentës minerare. Shumë lëndë të para që nxirren nga nëntoka shqiptare dhe eksportohen jashtë do të paguajnë përqindje më të ulët të rentës. Renta paguhet si përqindje në bazë të vlerës me të cilën eksportuesit deklarojnë shitjen e mallit jashtë. “Këto propozime vijnë nga Shoqata e Minierave të Shqipërisë dhe konsistojnë në uljen e nivelit të rentës minerare për mineralin metalor të shitur për përpunim brenda vendit, konkretisht, në aplikimin e një përqindjeje rente të reduktuar për mineralin që shitet për t’u përpunuar brenda vendit, duke e vlerësuar uljen e rentës për mineralin për përpunim brenda vendit, si një hap për nxitjen e investimeve në industrinë e përpunimit minerar, për zhvillimin e sektorit të industrisë minerare të përpunimit dhe në interes të drejtpërdrejtë edhe të shtresave të punëtorëve apo minatorëve të punësuar në këtë industri. Mbështetja e industrisë minerare dhe aplikimi i lehtësirave fiskale nga qeveria është një stimul shumë i rëndësishëm për zhvillimin e industrisë në vend, duke ditur që kjo lloj industrie ofron punësim për një numër të madh punonjësish dhe kontribuon shumë në ekonominë e vendit”, thuhet në propozimin e qeverisë. Sektori minerar përjetoi një periudhë të vështirë në dy vitet e fundit. Rënia e çmimeve në tregjet ndërkombëtare solli ulje të eksporteve të këtij malli dhe po ashtu çoi në mbylljen e disa minierave në vend. Për këtë arsye Ministria e Energjisë i ka kërkuar që në muajin qershor asaj të Financave rishikimin e nivelit të rentës minerare.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.