Është koha kur marrëveshja e CEFTA-së duhet të avancohet, në mënyrë që vendet anëtare të saj, të jenë më tërheqëse për investitorët. Dhomat Ekonomike dhe Tregtare të vendeve anëtare të CEFTA-s” zhvilluan një takim në Prishtinë. Në fjalën e saj, përfaqësuesja e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë, Albana Laknori, tha se ende kanë shumë punë për t’u bërë nga vendet e CEFTA-s. Ajo thotë se po t’i dinin të paktën 70% e bizneseve tona, përfitimet që ka kjo marrëveshje, shumë gjëra do të ishin më të lehta.
Ndërsa kryetari i Odes Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, pohoi se nxitja e investimeve rajonale, zhvillimi i tregtisë dhe eliminimin e barrierave, ishin qëllim i kësaj marrëveshje. Ndërsa sipas tij, duhet punohet së bashku në eliminimin e barrierave, të cilat dalin mes shteteve anëtare të CEFTA-s.
“E kemi detyrim , në qoftë se flasim për integrim evropian, ta japim kontributin tonë në përshpejtimine proceseve ekonomike, si garancë e përshpejtimit të procesit integrues. Sot qasja në CEFTA ka ndryshuar. Po e shihni që partneriteti ose këmbimi tregtar i të gjitha vendeve të rajonit, është kthyer ka marrëveshja e CEFTA-s dhe në këtë drejtim, është koha kur duhet të avancohet kjo marrëveshje. Cili është mekanizimi dhe si mund ta bëjmë këtë. Të jemi së bashku në eliminimin e barrierave. Të arrijmë harmonizim të standardeve dhe kritereve dhe bashkërisht si një tërësi rajonale, të jemi atraktiv për investitorët e huaj dhe të promovohet rajoni, si rajon i paqes, perspektives dhe zhvillimit”, tha ai, transmeton KP.
Ndërsa, Bernard Nikaj, ministër i Tregtisë dhe Industrisë, tha se Kosova ka pasur probleme nga më të ndryshmet, në implementimin e kësaj marrëveshje, në bashkëpunim me vendet e rajonit. Por institucionet e Kosovës, sipas tij, gjithmonë kanë marrë iniciativën, në tejkalimin e këtyre barrierave, me qëllim të sigurimin e një tregu të integruar rajonal, për përfitim të gjitha palëve.
“Ne duhet të sigurohemi, që në kuadër të këtyre bashkëpunimeve, të gjithë të përfitojnë barabartë. Besoj se ka kaluar periudha kur shtetet fqinje, duhet të krijojnë barriera për njeri- tjetrin dhe pastaj ato barriera, të jenë pengese e një zhvillimi të qëndrueshëm ekonomik. Ne në Kosovë e kemi bërë më të mirën e mundshme në adaptim të legjislacionit dhe në implementim të strukturave, që t’i adresojmë të gjitha barrierat, për një tregti të lirë, për një bashkëpunim ekonomik të qëndrueshëm, për të mirën e zhvillimit ekonomik të rajonit”, tha ai.
Edhe Ministri i Financave Besim Beqaj, tha se CEFTA është mekanizëm jashtëzakonisht i rëndësishëm rajonal, pasi që tenton të heq barrierat tarifore dhe jo tarifore. Ndërsa pohoi se së bashku me vendet e rajonit, duhet të luftojnë ekonominë joformale, e cila në Kosovë, arrin deri në 40 për qind.
“Nuk është se nuk kemi pasur probleme gjatë këtyre viteve me vendet e rajonit. Janë raportuar, trajtuar dhe sigurisht me një bashkëpunim më të mirë dhe në nivel të bizneseve, mund të trajtohen edhe më mirë. Ajo çka ne dëshirojmë,është që së bashku të jemi në luftimin e ekonomisë joformale. Sepse ky aktivitet, nuk mund të behet vetëm nga një shtet. Të gjitha shtetet e rajonit e kanë këtë problem. Prioritet i Qeverisë së Kosovës edhe gjatë këtij viti është që të jemi të fokusuar në mënyrë optimale, në luftimin e ekonomisë jo formale. Ekonomia joformale në Kosovë, konsiderohet që është diku në mes të 34 dhe 40 për qind “, tha ai.
Kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Branko Azeski, pohoi se vendet në rajon, mbesin të përkushtuara ndaj CEFTA-s, si një nder aspektet kyçe, drejtë zhvillimit ekonomik.
“Ende ka pengesa, të cilat pengojnë shkëmbimin tregtar, në mes të vendeve anëtare të CEFTA-s. Maqedonia do të merr kryesimin e CEFTA-s nga Bosnja dhe Hercegovina, e cila kryeson aktualisht këtë forum. Prioritet i Maqedonisë, do të jetë liberalizimi i mëtejmë i produkteve bujqësore, eliminimi i barrierave jo tarifore dhe barrierave tjera në tregti. Në nivel rajonal Republika e Maqedonisë, shkëmben tregti me vendet e CEFTA-s diku rreth 85.2 milion dollarë, veçanërisht ky është shkëmbimi tregtar me Shqipërinë, Bosnjën dhe Hercegovinën, malin e zi dhe Kosovën”, tha ai.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.